Gugash Magani pret Sinan Idrizin. Nga sot nis java vendimtare për largime të tjera nga radhët e kuqezinjve, por trajneri Magani është i vendosur që vendimmarrja të jetë e përbashkët mes tij dhe administratorit Idrizi.
Ky i fundit gjendet në Turqi dhe pritet që në orët në vazhdim të jetë në Vlorë dhe të zhvillojë një takim kokë më kokë me teknikun peqinas. Qëllimi primar i kësaj mbledhje do të jenë "skarcimet". Pas largimit të mbrojtësit slloven Danijel Dezmar, pritet që të ketë edhe të tjerë lojtarë të huaj që do të largohen. Burime pranë klubit vlonjat bëjnë me dije se do të jenë maksimumi dy lojtarë të huaj që do të largohen. Kjo do të thotë se Flamurtari i sezonit të ri do të ketë 5 ose maksimumi 6 lojtarë të huaj në organikë.
Momentalisht Flamurtari ka në organikë 7 lojtarë të huaj. Danilo Alvesh, Timislav Bushiç, Lukas Martins, Balsa Radovic, Masakai Linuma, Milos Rniç, Toni Markiç janë aktualisht lojtarët e huaj të Flamurtarit. Një ose dy prej tyre do të largohen, por nga sa mësohet Magani është ende i pavendosur se cilin do të largojë, ndërsa vendimi pritet të merret pas kthimit të Idrizit.
Pistat
Edhe pse për gazetën trajneri Magani deklaroi se merkaton në hyrje e ka të mbyllur, me largimin e mundshëm të të huajve do të ketë prurje. Por, këtë herë vështrimi do të hidhet brenda vendit, ose me shqiptarë që luajnë jashtë vendit. Burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se po shikohet mundësia edhe për afrimin e ndonjë futbollisti vlonjat që aktualisht luan në ekipe të tjera brenda vendit. Emra aktualisht nuk ka, pasi ato janë në diskutime, ndërsa merkatoja është e fokusuar kryesisht në mbrojtje.
Veliu dhe Peqini
Kthimi nga Turqia i Sinan Idrizit do të vendosë edhe për çështjen "Veliu". Ish-kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu, pret që të ulet në diskutime me administratorin. Pasi tri takimeve me trajnerin Magani, mbrojtësi dëshiron të zhvillojë një takim final me kreun e klubit. Ngërçi i vetëm lidhet me borxhin prej 40 mijë eurosh që klubi i ka lojtarit, por që Idrizi nuk ia njeh. Po ashtu, edhe Roland Peqini është në pritje të kreut të klubit. Mbrojtësi parimisht ka rënë dakord me Maganin, por tashmë duhet të flasë me drejtuesit më të lartë për detajet e kontratës.