"Jemi kampionë moral të këtij kampionati". Kjo është një pjesë e deklaratës që trajneri i Partizanit, Andrea Agostineli bëri në përfundim të ndeshjes me Skënderbeun.
Trajneri i "të kuqve" tha se Partizani i meritoi tri pikët e marra në Korçë. Duke folur për fatet e kampionatit në ndeshjen e fundit, Agostineli tha se Skënderbeu ka më shumë mundësi për ta fituar titullin për faktin se ndodhet ende dy pikë para, por ekipi i tij shpreson në një tjetër hap fals për kampionët në fuqi.
"Nuk e di si do të përfundojë ky kampionat sepse Skënderbeu ka më shumë mundësi se sa ne, por besoj dhe e them edhe në emër të klubit, ne ndihemi kampionë moralë të këtij kampionati",-tha Agostineli për 'Supersport'.
Duke folur për ndeshjen e radhës, Agostineli tha ekipi shpreson edhe tek fati. "Të vish këtu dhe të fitosh ndaj kampionëve në fuqi, e meritojmë. Këtë fitore duam t'ja dedikojmë tifozëve tanë këtu në Korçë që kanë bërë sakrifica të mëdha duke na ndjekur deri këtu. Do të përgatitemi për ndeshjen e fundit ndaj Teutës. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, shpresojmë për pak fat",-tha ai.