Jemi te lire por pa publik

Jemi te lire por pa publik
Regjisori Fatos Berisha flet për realitetin e vështirë të teatrit në Kosovë, pak prodhime dhe pagesa të ulëta. I dobët bashkëpunimi me Shqipërinë. Sonte në Teatrin Kombëtar në Tiranë, premierë "Vdekja dhe Vasha" e Ariel Dorfmanit me regji të Berishës.

Fatos Berisha:

Një gruaje, Paulina Eskobar, i del para syve e kaluara në burgjet e diktaturës së Pinoçetit. Paulina, 15 vjet më vonë: I prishet qetësia një natë kur në shtëpi i vjen një i huaj, kërkonte vend të fuste kokën. Zëri i të huajit ia sjell të freskëta kujtimet.

Është ky i huaj, doktor asokohe, njeriu që e kishte torturuar e përdhunuar. Ka edhe një gjurmë nga e kaluara që për asnjë çast nuk është venitur në kujtimet e gruas: kuarteti "Vdekja dhe Virgjëresha" i Shubertit.

Ky është thelbi i historisë së veprës "Vdekja dhe Virgjëresha" (Death and the Maiden, 1990) e dramaturgut kilian Ariel Dorfman, për të cilën regjisori nga Prishtina Fatos Berisha punoi dy muaj dhe e solli premierë në vitin 2009, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Teatrin Urban. Titulli i shfaqjes nga Kosova është "Vdekja dhe Vasha".

Kemi rastin ta shohim premierë në Tiranë, sonte, ora 19.00, në sallën "Kadri Roshi" të Teatrit Kombëtar. Interpretojnë aktorët Yllka Gashit, Shkumbin Istrefit dhe Luan Jaha, të tre të njohur disi nga publiku i Shqipërisë me prodhimet në teatër apo në kinema.

Regjisori Berisha thotë se aktorja Yllka Gashi mban peshën kryesore të veprës, një peshë psikologjike që aktorja arrin ta përballojë falë energjisë, temperamentit.
Kush e ka parë në skenë Yllkën i beson fjalët e Berishës.

Dy aktorët e tjerë që i takojnë gjeneratës së mesme të aktorëve në Kosovë, janë dy mbështetës të mirë ku përplaset furia e protagonistes, Paulina Eskobar.
Në skenë do të ketë vetëm një tavolinë, dy karrige dhe një kanape. Kostumet janë realizuar nga Yllka Broda.

Fatos Berisha është regjisor i shfaqjeve "Beselam pse më flijojnë" nga Rexhep Qosja, "Audienca" nga Vaclav Havel, i komedisë televizive "Familja moderne". Gjatë kohës së Luftës, ka ndihmuar për funksionimin Teatrit "Dodona" në mërgim, në Maqedoni. Tani është bashkëthemelues i Teatrit Urban dhe drejtor artistik i "Pri Film Fest".

Në intervistën për "Shekullin" regjisori flet hapur për gjendjen reale të teatrit në Kosovë, ku aktorët paguhet 120 euro dhe "janë të dënuar të luajnë vetëm për publikun e vendit të tyre". Mungojnë bashkëpunimet, paratë janë gjithmonë të pamjaftueshme.

Megjithëse në sallën e Teatrit Kombëtar dje, nga dy titullarët Burbuqe Berisha (Teatri Kombëtar i Kosovës) dhe Kristaq Skrami (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) u fol gjatë për bashkëpunime, shkëmbime, udhëtime, rrëfimit të tyre i përgjigjet një tjetër realitet.

Ai që me zor luan vendit, është teatri ynë kombëtar, ku aktori paguhet pesëfishin e rrogës së kolegut nga Kosova, madje edhe pa i ngjitur fare në skenë.

Intervista

Aktorja Yllka Gashi u shpreh para medias: "Kjo vepër i flet grave të Kosovës që jetuan luftën". Në të vërtetë, çfarë reagimesh shkaktoi vepra në publikun e Kosovës?

Ka qenë ëndërr e imja që këtë dramë ta vë në skenë që kur pashë filmin e Roman Polanskit, në fund të viteve '80. Kosova ishte nën Jugosllavinë. Kisha menduar që do të vijë një kohë që Kosova të jetë e lirë dhe kjo vepër e Ariel Dorfmanit patjetër që duhet të shfaqet në teatër. Një ëndërr që e ruajta për gati 20 vjet, deri ditën e premierës në Prishtinë.

Pas shfaqjes kam parë të përlotur jo vetëm femrat, por edhe meshkujt, ata që dikur kishin qenë luftëtarë. "Vdekja dhe vasha" është aktuale. Ne akoma ballafaqohemi me pasojat e luftës dhe traumat e saj. Jemi pikërisht ajo shoqëria në tranzicion për të cilën flet Dorfman. Kemi gra kosovare që kanë përjetuar fatkeqësi si e Paulinës. Shohim çdo ditë në mediat tona dhe dëgjojmë historitë e tyre, përjetimet. Janë të freskëta plagët që ka shkaktuar dhuna.

Këtu në Shqipëri kemi parë një version të kësaj drame, me akorët e njohur të skenës Qirjaqi-Xhuvani-Xhepa me regji të Kiço Londos. Ju si e keni konceptuar?
Nuk e kam parë këtë version. Në këtë shfaqje ka një marrëdhënie të veçantë të publikut me aktorët. Publiku është i ulur në skenë bashkë me ta, rrotull skenës. Shfaqja ka një numër të limituar të vendeve, vetëm 100 vetë vijnë ta shohin në disa karrige të improvizuara. Është një dramë e fortë psikologjike që kërkon lojë të natyrshme të aktorëve. Ata duhet të jenë afër publikut. Unë kërkoj që në një shfaqje fjala të godasë, te ketë peshë. Një handikap i shfaqjes në Tiranë, është mungesa e koncertit "live" me violinë, që e kishim në shfaqjen e Prishtinës. Por, do të përdorim elemente multimediale për të dhënë efektin e muzikës së Shubertit.

Cila është gjendja e Teatrit Kombëtar të Kosovës?

Kosova është një vend shumë i varfër dhe në tranzicion. Ka hallexhinj shumë, njerëz që kanë vështirësi dhe vuajnë që të ushtrojnë profesionin e tyre. Këta janë mësuesit, mjekët, policët tanë. Në këtë klimë edhe teatri nuk ka kushte të mira. Nuk prodhohen shumë shfaqje, pesë gjithsej në një vit. Rrjedhimisht ka pak hapësirë për punë.

Nga Akademia e Arteve në Prishtinë dalin çdo vit 12-13 aktorë të rinj që janë fuqi e re teatrore që nuk ka ku të organizohet. Fatkeqësisht teatro të tjerë të qyteteve funksionojnë fare pak. Teatri i Qytetit të Gjilanit ka filluar tani të formojë teatrin profesionist; Teatri i Gjakovës i cili ka një traditë 30-vjeçare për shkak të problemeve financiare nuk prodhon prej dy vitesh asnjë shfaqje, Teatri i Pejës, po ashtu.

Të gjithë përqendrohen në Prishtinë, i trokasin derës për të punuar aty, mirëpo nuk ka hapësirë. Kjo krijon frustrim te njerëzit. Edhe rrogat e aktorëve, e atyre që përbëjnë ansamblin permanent, janë tepër të vogla. Një aktor merr në muaj 120 euro.

Njerëzit detyrohen të punojnë nga dy punë, ose ta lënë punën dhe të bëjnë diçka tjetër. Ajo që na mundon ne është që prodhohet pak dhe rrjedhimisht ka pak vende pune. E njëjtë është situata edhe për filmin. Në Kosovë prodhohet në vit një film artistik!

A ka ndikim në publik puna juaj, teatri juaj? A ka influencuar koha e luftës te këto marrëdhënie të artit në Kosovë me njerëzit?

Ju kujtoj se Teatri i Kosovës, sikurse gjithë jeta e kosovarëve gjatë kohës së Luftës, ka qenë ilegal ose gjysmëilegal. Por ne e kemi mbajtur gjallë teatrin duke punuar, duke u shkolluar, ilegalisht. Teatri Dodona ka qenë një teatër që është përdorur për prova ilegale. Paguanim qira për shfrytëzimin e asaj salle. Nuk ishte shtetërore, sepse teatri shtetëror ishte i serbëve. Ne ishim në një lagje jashtë qendrës. Ne e kemi mbajtur gjallë. Kishte edhe shumë publik, teatri kishte rol dhe forcë. Në atë kohë ne e përjetuam këtë.

Po tani çfarë ndodh?

Tani jo. Ka humbur ai entuziazëm për shkak se liria iu ka sjellë njerëzve mundësi të ndryshme e të shumëfishta për zbavitje dhe për konsumim të kulturës. Kjo e ka zbritur edhe numrin e shikuesve. Të them të drejtën edhe entuziazmi ynë, i vetë komunitetit ka rënë. Atëherë kemi qenë shumë më entuziastë, për shkak të represionit të madh kemi bërë rezistencë kulturore, kemi menduar që po bëjmë diçka për veten dhe për popullin tonë. Ai entuziazëm gjatë luftës së Kosovës na mbajti gjallë.

Ka qenë një kohë interesante. Tani ajo kohë duket si film. Kur fituam lirinë, kohë kur u futëm në Teatrin Kombëtar, kishim vështirësi për t'i mbushur sallat me njerëz.

Po në bashkëpunime si ky për të cilin u fol sot, sa beson?

Ne shumë flasim, kur vijmë këtu, ose kur Teatrot nga Shqipëria vijnë në Kosovë. Të gjithë, fjalët i kemi të mëdha e të bukura. E fillojmë me "Ne duhet të bashkëpunojmë... kjo është nismë e mirë" dhe pastaj, nuk ndodh asgjë. Unë kam dëshirë që sot të mos jetë ashtu. U prezantuam me këto dy shfaqje, përpara publikut tiranas. Prezantimi ynë i ardhëm të mos jetë pas një viti. Takimi ynë i ardhshëm të jetë në Prishtinë këtë vit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama