Ç'thot' ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!"
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.
Qan e lutet Nën' e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç'e pat me Skënderbenë,
Bijt' e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s'i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Cilët jan' ata tiranë
Që të pren' e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t'u nxi, t'u mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn' e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan', o Shkab' e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok' i mbytni,
Mbushni gjyle që t'i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s'ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S'kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n'Amerikë.
Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon' e vyer,
Që me drit' e nder të thuresh
Dhe me bijt' e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s'i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n'Amerikë.
Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin' e vëndit t'onë,
Sot, se nesër është vonë
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n'Amerikë.