Jeta Si kemi ndryshuar 60 vitet e fundit

Jeta: Si kemi ndryshuar 60 vitet e fundit
Brenda 60 vjetëve, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri më sot, jeta njerëzore ka ndryshuar më shumë se në 20 shekujt e mëparshëm. Sot jemi krejt ndryshe, thuaje një specie tjetër. Të kthehesh nga Los Anxhelosi me një fluturim prej 900 eurosh? Një përvojë e tmerrshme: 20 minuta në radhë për kontrollet në aeroport, sedilje të ngushta, ushqim jo shumë i shijshëm, filma që i kemi parë thuajse sa herë dhe një ekran i vogël sa një libër. Jeni dakord? Atëherë nisni të mendoni që për të njëjtin udhëtim, gjyshit tuaj do t’i duhej thuajse një vit dhe kursime të një jete. Gjatë rrugës do të ndodhte patjetër që të sëmurej apo të gjente nuse. Juve ju desh rreth 13 orë, të ulur në poltrona mes reve, duke parë filma dhe duke fluturuar me rreth 1 mijë kilometra në orë. Në rast etjeje, shtypni thjesht butonin dhe një zonjushë e sjellshme do t’ju sillte një gotë uji. Gjyshi, i lindur në vitin 1910, ndoshta tani ka një stërnip, fëmijën tuaj, që sot nuk do të përdore shumë gjëra nga ato që stërgjyshi i tij ka bërë. Bota ka ndryshuar thuajse tërësisht.

Speciet e reja

Ndryshimet e 70 apo 80 viteve të fundit kanë qenë aq të thella sa kanë transformuar edhe vetë qeniet njerëzore: teknologjia dhe informacioni i shpërndarë me kosto të ulët na kanë bërë të ndryshëm nga gjyshërit tanë më shumë se sa ata vetë kanë qenë nga paraardhësit e tyre të dhjetë shekujve më parë. Tani ka lindur fëmija që mund të jetojë deri në 150 vjeç, i shëndetshëm dhe me shikimin e një superheroi. Ja disa nga revolucionet e përditshme që na kanë ndryshuar ne dhe mënyrën tonë të të jetuarit.

Jam edhe unë

Sipas të dhënave ka ngjarje të historisë, sidomos shpikjet që ndryshojnë tërësisht jetën e individëve. “Shpikja e telefonit është një prej tyre, shumë më tepër se radio”, shpjegon Vittorio Marchis, docent i historisë së teknologjisë në Politeknikun e Torinos. I lindur si objekt publik, mes postave të telefonave publikë dhe kabinave, telefoni u bë fillimisht gjysmëprivat (në fillim çdo dy familje kishin një të tillë), pastaj familjar dhe në fund privat. “Askush nuk do ta këmbente celularin personal që përmban të dhëna dhe imazhe të ekzistencës sonë: informacion dhe teknologji të shkrira së bashku në një aparat që e bëjnë atë që e ka në posedim, të komunikojë me dikë tjetër në çdo cep të globit”, shpjegon Marchis. Njëzet vjet më parë ishte e paimagjinueshme të telefonoje dikë e t’i thoje: “Alo, ku je?”. Dhe jo vetëm kaq, brenda pak kohësh mësuam edhe emrin e atij që na merrte (kur u shfaqën celularët) ndërsa tani mund të dimë fare mirë edhe vendndodhjen në çdo pikë të ditës.

Nga hapësira

GSP është sistemi që sot për më pak se 100 euro mund ta montosh në makinë. Një kuti e vogël sa një paketë cigareje, por shumë e vlefshme. Falë saj është e mundur të orientohesh në një qytet të panjohur: falë ndërveprimit me telefonat mund të gjenden farmaci, spitale, kinema, restorante. Gjithçka falë valëve të radios që “udhëtojnë” nga hapësira në sipërfaqen e Tokës.

Elektronika

Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa shpikjen (dhe përhapjen masive) të transistorit në vitin 1948: ai lejoi bërjen e llogarive elektronike kompakte dhe shumë të fuqishme. Vlefshmëria e vazhdueshme e ligjit të murit, domethënë për llogaritje gjithmonë e më të shpejta dhe ekonomike përdoret në çdo fushë. Në mjekësi, për shembull, për të ndarë në pjesë gjenomën e AIDS-it u deshën 15 vjet, ndërsa për atë të Sarsit u deshëm 31 ditë. Por edhe në ekonomi ku operacione komplekse financiare janë bërë të mundura nga shpejtësia e bit-ëve, tashmë monedha e vërtetë dixhitale.

Të jesh më mirë

Higjiena, ilaçet dhe ushqimi i kontrolluar janë padyshim shpikje pozitive. Ndryshimi i madh i mënyrës së jetesës u bë pas Luftës së Dytë Botërore, kur nisi të bëhej edhe zhvendosja masive drejt qyteteve: që prej vitit 2008, më shumë se gjysma e popullsisë botërore është rezidente në aglomeratet urbane. “Kjo ka krijuar shumë avantazhe, të lidhura me kushtet e jetës dhe aksesin ndaj kulturës dhe shërbimeve shëndetësore”, thotë Marchis. Gjërat sot janë bërë më të thjeshta në të gjitha aspektet, për shembull të riparosh televizorë, lavatriçe, apo kompjuterë është e kotë, sepse në çdo kohë mund të gjenden të tjera me të njëjtën çmim.

Ndriçimi

Informatikë do të thotë informacion me shpejtësinë e dritës, që në perceptimin tonë llogaritet si në kohë reale. Kjo lind nevojën e një gjuhe të përbashkët. “Gjyshërit tanë shkruanin pak dhe flisnin shumë. Sot shkruhet shumë”, tregojnë specialistët. Në të kaluarën, dialektet ishin barrë e madhe linguistike: sot anglishtja është alfabeti i botës informatike dhe jo vetëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama