Jeta e Spilberg-ut

Jeta e Spilberg-ut

Mungon pak më shumë se një muaj nga dalja e serisë së katërt të "Indiana Jones"...

Është e vërtetë. Gjithçka është gati.

Si arrini t‘u jepni jetë kaq shumë projekteve njëkohësisht?

Dhe të mendosh se përveç filmave janë edhe disa seri televizive, videolojëra dhe një projekt sekret për në internet. Nuk arrij dot të bëj vetëm një gjë, sinqerisht nuk mundem. Unë funksionoj në mënyrë ndryshe. Kam një mori mendimesh në kokë dhe një mori punësh që i bëj njëherësh.

Gjithmonë kështu keni qenë?

Po. Që fëmijë kam qenë kështu. Shkoja në shkollë, isha skautist dhe kënaqesha teksa bëja ndonjë xhirim të vogël nëpër shtëpi.

Përse u deshën 19 vjet për një "Indiana Jones" të ri?

Unë dhe George Lucas nuk po binim dot dakord për historinë, kontratën. Ai nuk mundej të bënte diçka pa mua dhe unë për të, është njëlloj si në një martesë.

Do të jetë edhe Harrison Ford, apo vetëm ju të dy?

Po do të jetë edhe Harrison Ford. Pasi më dhanë "Oscar"-in për filmin "Schindler‘s list", në vitin 1994, Ford më tha se duhej të bëja një tjetër "Indiana Jones". Dhe vendosa ta ndiqja këshillën e tij. Kur e bisedova me George Lucas, menduam se kjo ishte gjëja më e mirë.

Duket se ju nuk dëshironi të plakeni?

Vetë zanati i regjisorit të mban të ri, kurioz, të informuar. Të jep mundësinë të evitosh mërzinë, duke treguar histori të ndryshme dhe duke jetuar jetë të ndryshme. Mbi të gjitha të mban mendjen të kthjellët dhe plot ide të reja. Për më tepër, të qenit regjisor eviton mundësinë për të qenë konservatorë. Kjo është arsyeja se përse në ambientin e kinemasë ka më shumë demokratë se sa republikanë. Nuk mund të jemi kurrsesi konservatorë, duhet të jemi gati për risi.

Meqë ra fjala, ndryshe nga shumë kolegë tuajt, ju mbështetni Hillary Clinton-in dhe jo Barack Obama-n. Cila është arsyeja?

Mendoj se ka më shumë eksperiencë. Dhe mendoj se ka ardhur momenti që edhe Amerika të ketë një Presidente femër. Jemi vendi më liberal në botë, por jemi pak të ngadaltë, kemi akoma mendime konservatore. Hilari Presidente do të ishte një hap gjigand kundër diskriminimit. Por pavarësisht kësaj, unë e adhuroj Obamën dhe të shihja një njeri me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë do të më pëlqente.

Le të kthehemi dhe një herë tek "Indiana Jons". Përse ka shumë sekret për subjektin?

Spektatorët duhen të surprizohen, fëmijë apo të rritur qofshin. Mjafton ndonjë detaj në ndonjë gazetë apo në blog për të prishur festën. Publiku dëshiron të ulet në errësirën e kinemasë, siç bënin dikur njerëzit rreth zjarrit, duke lënë që t‘i zbulojë sekretet e historisë ngadalë.

Ku e gjetët Shia LeBoeuf, partnerin e ri të Indiana Jones?


E pashë disa vjet më parë, së bashku me fëmijët e mi, në një film të "Disney"-t, me titullin "Holes". Vërejta menjëherë natyrshmërinë e tij, ashtu siç kisha dalluar vite më parë atë të

Tom Hanks-it, Spencer Tracy-it dhe James Stewart-it, aktorëve të mi të preferuar.

Si ka mundësi që mungon Sean Connery, babai i Indiana Jones?

Ishte një skenë gati për të, por ai m‘u përgjigj se nëse do të kishte pranuar, qoftë edhe për arsye sentimentale, publiku do të mendonte se ishte një hipokrit. Tashmë u tërhoq, sepse ia kishte premtuar gruas së tij, Micheline.

E konsideroni "Indiana Jones" një krijim tuajin 50 për qind, ndërsa pjesa tjetër i takon George Lucas-it, i cili ka pasur idenë origjinale?

Së bashku jemi ata që i kemi dhënë jetë filmit. Po meqenëse unë i jap gjithmonë dorën e fundit, peshorja anon nga ana ime. Pra 60 unë, 40 ai.

Një këshillë e George Lucas që ju nuk ju pëlqen ta ndiqni...

Të xhiroja "Indiana Jonsin" në version elektronik. Unë i qëndroj besnik filmit dhe mendoj se jam e do të jem regjisori i fundit mbi tokë që përdor filmin.

Cili është episodi juaj i preferuar nga saga e "Indiana Jones"?

Le të sqarojmë diçka. Mua nuk më pëlqejnë serialet dhe kam xhiruar vetëm një të tillë në gjithë karrierën time. "The lost World". Por çdo seri e "Indiana Jones" është një film më vete. Është njëlloj si të kalosh lumin duke ecur mbi gurë, dhe ku çdo gur përfaqëson një aventurë më vete. Edhe filmi im, "Extra Territorial", mund të kishte qenë një serial, por unë i rezistova deri në fund presionit për ta bërë një gjë të tillë. Le të themi se "Gjahtarët e arkës së humbur" është më i realizuar, ndërsa "Indiana Jones dhe tempulli i mallkuar" shumë herë më pak. Megjithatë, në atë film unë takova gruan time, Kate Capshaw, që më ndryshoi jetën... Ndaj mund ta kuptoni vetë se cilin do të zgjidhja.

Indiana Jones gjithmonë ka pasur një raport sa dashurie, aq edhe urrejtjeje, me gratë. Po kësaj here si ndodh?

I pëlqen t‘i kontrollojë, por këtu gjen edhe atë që i përshtatet. Cate Blanchet, gruaja me njëmijë fytyra, është një intrigante e keqe.

Më rrëfeni një ditë normale pune?

Zgjohem në gjashtë të mëngjesit dhe u përgatis mëngjesin fëmijëve. Unë ha vetëm një vezë të zier në makinë, ndërsa i shoqëroj të gjithë brenda orës tetë. Një orë më vonë shkoj në zyrë. Kam një takim thuajse 20 minuta, njëlloj si doktorët me pacientët. Skenografë, aktorë, kameramanë, producentë... deri në mesditë. Në drekë ha gjithmonë perime të ziera dhe një supë. Sipas një marrëveshjeje me gruan time, duhet ta lë zyrën rreth orës 17:30, për të arritur në shtëpi rreth orës 18:30. Mund të them se kufiri i tolerancës shkon deri në 19:15, por për këtë duhet të kem patjetër ndonjë arsye shumë të fortë. Ora 19:30 më gjen gjithmonë në tavolinë me miqtë e mi dhe ky është edhe momenti më i rëndësishëm i ditës. Tregojmë për atë që ka ndodhur dhe shpesh krijojmë edhe ndonjë histori interesante të gjithë së bashku. Pastaj qetësohem duke lexuar takimet dhe angazhimet e ditës tjetër dhe mundohem ta shuaj dritën rreth orës 22:00

Më tregoni me hollësi për fëmijët tuaj, mbi personalitetin, dëshirat dhe aspiratat e tyre...

Nuk flas kurrë në veçanti për ndonjërin prej tyre. Të gjithë janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, më i vogli është 11 vjeç, ndërsa më i madhi 31. Mund t‘u them se disa prej tyre janë të interesuar për botën e biznesit.

Kush tjetër ka bashkëpunuar me ju në film?

Vajza ime, Sacha. Ajo ka pasur një rol të vogël, "Indiana Jones dhe kafka e kristaltë", pasi ka marrë pjesë edhe te "The terminal" dhe "Munich".


Nga Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama