Petraq Qafzezi, inxhinier arkitekt në profesion, botoi më 1972 romanin autobiografik “Bonjakët” që “Naim Frashëri” e hodhi në qarkullim (botimi I) në 13 mijë kopje. Romani kishte fituar çmimin e parë në konkursin që më e madhja shtëpi botuese shtetërore kishte shpallur me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Partisë, e megjithatë tri botimet më pas qarkulluan si libër për “Bibliotekën e pionierit”.
Katër vjet nga botimi, Dhimitër Anagnosti e bëri film (premiera, janar 1977). “Lulëkuqet mbi mure”, që në masë e njohin dhe e pranojnë si një vepër arti që nuk e rrëzojnë dot interpretimet ideologjike.
Petraq Qafzezi (Korçë, 1935) piu qumësht në gjinjtë e tajave të lagjes, jetoi dhjetë vjet në tri jetimore të Shqipërisë, periudhë të cilës i kushtoi romanin “Bonjakët”. Studioi inxhinieri ndërtimi më pas. Rrugës i dështoi ëndrra për t’u bërë pilot, megjithëse pas një vit studimi në Rusi, i kishte bërë 400 orë fluturim, dhe i kishte shpëtuar vdekjes nga rënia me reaktiv në arat e kooperativës. Shkroi tekste këngësh deri në festivalin e 13-të në RTSH (Si mimoza që çelën, Sot jam njëzet vjeç, Nënave shqiptare etj..) Për këto stacione të jetës ai ka nxjerrë mbi tavolinë pesë fotografi bardhezi. Në asnjërën nuk është burri me portretin e sotshëm.
Zoti Petraq vështirësitë e jetës i quan dallgë. Ai është një burrë shtatlartë, i thinjur e i gëzueshëm. Tokat e tij të përmbytura së brendshmi i tregon me dorë si nga një breg tjetër, tani kujtime.
U takuam në shtëpinë e tij në Durrës ku erdhi për disa ditë dhe u kthye në Torino, vendi i tij rezident prej vitit 1998 bashkë me të shoqen Marianthi dhe familjen e të birit.
Ku dhe kur jeni te kjo foto?
Aty jam 7 vjeç, në jetimoren e Korçës. Është viti 1942. Nëna ime vdiq dy muaj pasi më lindi. Babai më çonte tek tajat. Kisha qëlluar qaraman kështu që ato mërziteshin dhe i thoshin babait mos e sill më. Unë nuk e di në sa taja kam pirë. Ndofta kanë qenë të gjitha me qumësht të mirë që u rrita dhe u bëra.
Babai bënte lloj-lloj punësh, furrtar, këpucar... Kishte provuar shtatë vjet emigracion në Amerikë. Ato pak plaçka që kishin ngelur në shtëpi babai i shiti gjatë luftës. Thonë që nëna të lë jetim, kurse babai të lë të varfër. Kështu që me gjithë motrën Fedra hymë me pak vështirësi në shtëpinë e fëmijës. Si objekt edhe sot e kësaj dite ndodhet në kishën e Shën Thanasit. Vitet 1938-1948 i kam kaluar nëpër jetimore.
Kjo ishte uniforma që mbanit?
Kjo ishte uniforma jonë. Me pantallona deri te gjunjët dhe në dimër. Është e vetmja fotografi që kam nga fëminia ime.
Është përdorur pikë për pikë te “Lulëkuqet mbi mure”?
Është baza e filmit.
Kush kujdesej për ju?
Në Korçë na shërbenin murgesha italiane dhe ato na mësonim të bënim dhe çorape, na mësonin të faleshim. Kishin ndërtuar një dhomë të vogël dhe para se të flinim do vinim të faleshim, a ishe mysliman a tjetër fe, s’kishte rëndësi. Kur i hoqën murgeshat mbas çlirimit, na sollën njerëz të zakonshëm që janë sjellë keq me ne. Për gjënë më të vogël të dënonin me uri në qilar. Po kishim një farë solidariteti dhe nga ato dritaret e vogla të bodrumit u çonim shokëve ndonjë kothere.
Janë përdor gjithnjë dënimet fizike?
Lënia pa bukë dhe rrahjet ishin dënime shumë të theksuara. U hoqën mbasi erdhi Koci Xoxi për një vizitë, ndoshta në vitin 1946. Nuk po përmend forma të tjera të dhunës psikologjike si tallja. Një fëmijë i sëmurë që urinonte natën kur vinte në mëngjes për të ngrënë, e gjente përmbys pjatën.
E ndjenit luftën aty, siç është e pranishme te “Lulëkuqet mbi mure”?
Ashtu si e përshkruaj në roman, ne na zhvendosën nga jetimorja e Korçës që do të bëhej vetëm për femra, në jetimoren për meshkuj të Shkodrës, e prej këtej, meqenëse për ne paguante Kryqi i Kuq, në jetimoren e Tiranës që ndodhej përballë Lidhjes së Shkrimtarëve. Pak më vonë, aty ku është spitali ushtarak, u ndërtua jetimorja dhe aty kemi jetuar në zemër të luftës deri në çlirimin e Tiranës. Forcat partizane bënin diku pranë nesh ndërlidhjen me brendësinë e qytetit. Një mëngjes gjermanët bombarduan dhe rrëzuan një kat të ndërtesës sonë. Ne siç qemë, dolëm përjashta dhe shkuam atje ku është Kinostudio sot sepse aty ishin dislokuar brigada që luftonin për çlirimin e Tiranës. Ndenjëm dy javë.
Mbas çlirimit u mblodhëm me babanë dhe motrën.
Kaq vite larg babait si e përjetonit?
Shikoheshim e dëgjoheshim ngadonjëherë. Babait iu futën shkesë, deshën ta martonin. Një ditë ai na e solli Julinë në shtëpi. Kur hyri në derë, shikimi im me të sajin ngjiti si e magji. Ndërsa motra mbante sytë vetëm në një pikë të caktuar dhe nuk e shikonte fare atë. Ajo e kishte të vështirë ta pranonte. Babai na tha: “Dëgjoni fëmijët e mi. Nuk jua kam thënë më përpara, kjo do të jetë nëna juaj e ardhshme. Si thoni?” Ajo quhej Juli Treska, babai Perik. Më vonë i kushtova një novelë kësaj gruaje, që m’u bë vërtet nënë. E kam dorëshkrim. Mua më doli e drejta e studimit për në teknikumin e ndërtimit. Në fakt kisha qejf për kadet, se i shikoja këta djem kur vinin në Korçë, me pantallonat me shirita të kuq, që shitnin një çikë mend te femrat. Motra vazhdoi një kurs për infermiere, por vdiq 21 vjeç nga astma.
Pra “Bonjakët” është jeta juaj, pjesa e parë e këtij rrëfimi?
Është e gjitha autobiografi. Romani pati tri botime dhe një përkthim në greqisht.
Fitoi çmimin e parë në konkursin e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Partisë. Katër vjet më vonë Dhimitër Anagnosti e bën film. Si jeni njohur me Anagnostin?
Nëpërmjet Vath Koreshit. Ishim miq. Po ndërkohë ai kishte dëgjuar për këtë libër që është pëlqyer. E ndjente që duhej bërë diçka. Më tha të shkruaja një skenar ashtu siç e mendoja unë. Unë kisha dashur që “Bonjakët” të ishte një serial, sepse çdo kapitull mund të shihet si një film më vete. Atëherë hodha ato që mendoja unë, duke marrë për bazë romanin. Gjuhën e skenarit nuk e njihja. Pas dorës së parë filluam të punonim me Dhimitrin. Kur i hynim një linje, nëse nuk gjenim rrugë, tërhiqeshim dhe bënim propozime të tjera. Dhimitri është konciz. Atij i pëlqente aksioni që kishte romani. Pastaj, me fëmijët mund të bësh mrekullira.
Për çfarë ka shërbyer tjetër konsulenca juaj në film?
Për mjediset, veprimet, për çfarë hanim, pinim, lëvizjet, ku shkonim, organizimi i jetimores, thashethemet mes djemve.
Cila mendoni se është figura më besnike?
Kujdestari. Kujdestarët e jetimoreve janë kudo njëlloj. Puna ua do që të kërkojnë gjëra që ty s’të pëlqejnë. Asnjeri s’e pëlqen disiplinën dhe rregullin strikt. Sidomos ajo moshë. Godisnin, me çokë, me shpullë, kanë qenë të plotfuqishëm në këto veprime. Kujtoj që Kadri Roshi nuk donte të vinte për arsye se i ishte krijuar bindja që roli negativ u jepej atyre me “biografi të keqe”.
Po për mua, për në atë situatë, pa nënë dhe jo vetëm aq, jetimorja ishte rilindje.
Çfarë ka prej qytetit në kohën e luftës që nuk është futur në film?
Në jetimoren e Korçës, kur u pushtua qyteti për një kohë të shkurtër nga ushtria greke, ata bënë reprezalje dhe strehës sonë i grabitën ushqimet.
Nga romani kemi marrë linjat kryesore të shtëpisë së fëmijës duke u ndalur në jetimoren e Tiranës. Por ideja qendrore që një grup fëmijësh të grumbulluar këtu nga të cilët edhe dolën partizanë, është reale. Këta ishin djemtë më rritur nga ne.
Të them të drejtën, shumë gjëra që kanë ndodhur në jetimore mbas çlirimit, si rrahjet apo lënia pa bukë janë spostuar gjatë pushtimit fashist, por që kanë ndodhur në shtëpinë e fëmijës, janë më se reale.
Bamirësitë, jetimët që familjet tregtare i marrin për drekë, janë gjithashtu realitet. Mua më ndodhte që me merrte për drekë të dielave një nga kujdestaret e jetimores.
Ju ia faturoni fashizmit trajtimin e keq në vorfënore pas lufte? Siç do ta donte letërsia e pasluftës, me “sytë e komunistëve”?
Unë jam nga të vegjlit, po ke kolosët e letërsisë që kanë bërë më shumë në këtë drejtim. Profesioni im është inxhinier arkitekt. Edhe pse kisha 6 orëshin, leje krijimtarie, unë nuk kam bërë politikë. Si romani edhe skenari kanë personazhe fëmijët, një grup njerëzish që përcjellin një frymë humane.
Komunist nuk u bëra kurrë. E ndjeja që nuk shkonte ajo gjë. Vëllai i sime shoqeje u dënua me burg politik, 20 vjet. Atë ditë më thirrën, punoja në Zyrën e Urbanistikës në Komitetin Ekzekutiv të Durrësit dhe më thanë të shtoja në biografinë time që kam një kunat të dënuar. Më qarkulluan në ndërmarrjen e serave në Durrës. Më vonë doli që nuk preket nga “biografia e keqe” ai njeri që nuk ka të dënuar në trungun familjar. Kështu që mua ajo xanxë që m’u vu m’u hoq prapë, por nuk ma njoftuan këtë gjë.
Shtypi i kohës e vlerëson me filmin me titujt: Lulëkuqet, një film me vlera të mëdha edukative; Një film me vlera të mëdha ideologjike; Lulëkuqet që çeli partia komuniste shqiptare; Ata nuk ishin jetimë...
Koha për të cilën shkruaj ato fenomene ka shfaqur. Ky është një fakt real. Këtu nuk ka politikë, siç thoni ju. Ke një grup njerëzish që janë mbledhur nga e gjithë Shqipëria që i trajtonin në atë mënyrë.
Çfarë dini për vështirësitë e filmit para se të merrte miratimin?
Qarkullonin zëra që po bëhej një film i madh, por asnjeri, përveç një ekipi shumë të ngushtë pranë regjisorit, s’dinte gjë deri ditën kur u shfaq filmi. Por para se filmi të merrte miratimin, mbaj mend që një mbrëmje na thirrën në Kinostudio, na çuan në një zyrë, erdhën nga Komitetit Qendror. Mendo të shohësh një film me sallë të zbrazët. Ata, këshilli që drejtohej nga Dalan Shapllo dhe krijuesit. E panë filmin dhe aty filluan: pse “Lulëkuqe mbi mure”, ç’është ky komunist këtu, ç’është ky fashist kaq i bindur atje, ç’janë këto familje që marrin fëmijë për drekë... Më vonë mësuam që filmi është shfaqur në familjen e Enver Hoxhës dhe pas kësaj mori miratimin.
Ndryshoi diçka tek ju suksesi i “Lulëkuqeve...”?
Filmi i ngelet regjisorit. Unë këtë kam (tregon romanin). Të them të drejtën doja të bëja një skenar bazuar në romanin tim “Moshatarët”, por e pashë që nuk qe në natyrën time kjo punë. Doja të bëhej film sepse ky roman tregon se si e kanë përjetuar bonjakët çlirimin e Shqipërisë deri në rindërtimin e vendit. Bëra dhe një roman të tretë të kësaj serie: Ç’u bë me këta që ikën nga jetimorja? U bënë atentatorët më të mëdhenj të zonës. Po nuk e botova, sepse ndryshoi situata. Do thoshin jo më me ballistë e partizanë.
Nëpër këto përvoja jetësore ç’përgjigje keni për njeriun, ç’është njeriu?
Nuk habitem kurrë për veprat e njeriut: është madhështor në madhështinë dhe në poshtërsinë e tij. Çdo gjë që bën njeriu besoje. Duhet të mendohemi mirë para se të themi këtë gjë për kafshët. Shkurt, njerëzit duaji po mos ki iluzione.
Pasaporta e filmit sipas të dhënave nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit
Lulëkuqet mbi mure
Jetimët e një strehe vorfënore, nën urdhrat e drejtorit dhe kujdestarit të tyre, pastrojnë çdo natë parrullat që njerëzit kanë shkruar kundër fashizmit. Katër shokë të vegjël, Jaçe, Lelo, Bardhi, Tomi organizojnë rrëzimin e kujdestarit nëpër shkallë. Nga frika e presioneve të kujdestarit, Sulo i vogël përpiqet të kapërcejë muret e jetimores dhe vritet nga patrulla.
Aktorë: Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Alfred Kote, Liza Lasku, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Pavlina Mani, Enver Dauti, Strazimir Zajmi, Enea Zhegu, Artur Hoxholli, Krenar Arifi, Gjergj Pilika, Roland Ohri, Robert Xhuli
Skenari fiton çmimin e II në Konkursin Kombëtar të Dramaturgjisë, 1976. U shpall filmi më i mirë i Festivalit të II të Filmit Shqiptar 1977. Timo Flloko, Agim Qirjaqi e Kadri Roshi morën medalje. Dh. Anagnosti merr çmimin e Republikës së Kl.I, 1979. Merr çmimin e I në Festivalin Ndërkombëtar të filmit Beograd, 1980. Namik Prizreni e Kujtim Lako u nderuan me medalje. Filmi merr medaljen e Artë në Giffoni, Salerno, Itali, 1985. Filmi diskutohet në Këshillin Artistik të dt. 17.12.1976. Flasin Dalan Shapllo e Vangjush Zallëmi dhe filmi miratohet. Më pas diskutohet me Ministrinë dhe me aparatin e KQPPSH në dt. 17.12.1976. Flasin Meto Metaj, Xhelil Gjoni, Tefta Cami, K. Xhokaxhi, Anastas Kondo, Limoz Dizdari, Vangjush Zallëmi. E vlerësojnë filmin por dalin në përfundimin që të shihet përsëri pasi të jenë plotësuar vërejtjet e sugjeruara.
Regjia: Dhimitër Anagnosti
Skenari: Petraq Qafzezi, Dhimitër Anagnosti
Muzika: Kujtim Laro
Producent: Shqipëria e Re
Viti: 1976
Kohëzgjatja: 90 min