Ka të rinj dhe jo vetëm, të papunë të cilëve u mjafton një filxhan kafeje në tavolinë, për të kaluar aty disa orë nga dita e tyre e gjatë dhe pa asnjë angazhim. Mirëpo nëpër kafene ka edhe nga ata që takohen për të ndarë pak kohë me miqtë apo me partnerët e tyre në normalitet. Ka edhe zyrtarë të cilët rrallë i gjen në zyra dhe shumë punet duhet t’i mbarosh pikerisht nëpër kafene. Por objekt i këtij shkrimi është një tjetër dukuri.
Përveç zhurmës, muzikës së lartë, komunikimit mes njerëzve me zë të lartë, moda e re e jetës në metropolin e Tiranës të ofron skena sa të shëmuara aq perverse.
Thuajse në çdo bar në kryeqytet, përballesh edhe gjeste të cilat për shumëkënd janë bezdisëse, që sikletosin, madje edhe neverisin, që janë anormale për mjedisin ku gjendesh. Përballesh me çifte të rinjsh që puthen e përqafohen…skena këto që kanë nisur të konsiderohen normale përballë disa të tjerave ku ledhatimet kalojnë çdo lloj limiti, deri në erotizëm të theksuar.
Ata këtë mund ta shohin si një pjesë të lirisë së tyre, por ama e bëjnë këtë në një mjedis i cili nuk është vetëm i tyre, e bëjnë këtë në lokale ku ka edhe prindër me fëmijë, ku ka të moshuar apo qoftë edhe të rinj të cilët ndjehen ‘të dhunuar’ nga ajo çka janë të detyruar të shohin në një mjedis ku kanë shkuar për të kaluar pak momente pushimi. E janë jo të paktë njerëzit që provojnë ndjesi të këqija, deri edhe në neveritje nga këto skena erotike.
E kjo ndodh rëndom qoftë në një lokal në Rrugën e Durrësit, qoftë në një tjetër te Kullat Binjake apo qoftë pranë Librit Universitar, pak rëndësi ka vendodhja e lokalit sepse ndodh thuajse kudo…!
A ka fajtorë për këtë situatë?! Sigurisht që ka….! Nëse këta të rinj të edukuar keq, jashtë kontrollit të familjes apo që pak dinë për normat e sjelljes ja lejojnë vetes të shpërfaqin në publik atë që është dhe duhet të jetë intime, gishti i fajit drejtohet në këtë rast nga menaxherët e lokaleve që e lejojnë këtë gjë të ndodhë në kësi mjedisesh.
Le të bëjnë menaxherët e lokaleve atë që bëri një kamarier në një lokal diku në zonën e mbipopulluar të ish-bllokut. Kur një çift shkëmbeu në nisje një puthje, kamarieri e pa dhe nuk foli. Pak momente më vonë, çifti u përqafua dhe kamarieri u përtyp. Kur çifti nisi të puthej papushim, atëhere kamarieri e ndërpreu puthjen e tyre dhe u tha: “Ndjesë, por kjo është e ndaluar në këtë lokal”. Dy të rinjtë që nuk ishin hiç më shumë se 20 vjeç panë njëri-tjetrin në sy dhe vijuan bisedën e tyre normalisht, pa puthje, përqafime e ledhatime.
Duket se mund të bënin edhe pa këto skena të pahijshme në një mjedis ku ishin nja 50 njerëz të tjerë, shumica e të cilëve nisën ta shfaqnin bezdinë e tyre dhe të reagonin qoftë edhe me fjalë ndër vete.
E pse të jetë ky veçse një rast i izoluar? Pse duhet që në të tjera lokale të përballesh me kësi skenash dhe me pafuqinë për t’i penguar të ndodhin? Pse nuk funksionojnë disa norma në këtë vend? Pse të rinjtë nuk sillen si të tillë? Pse intimiteti nuk konsiderohet si i tillë? Por jo, intimiteti në këtë vend barazohet me një ‘plaçkë’ pa vlerë që e prek kudo, në cepat e oborreve të shkollës, në rrugë e rrugivca dhe sidomos në lokale…!