Ju jeni prej kohësh këtu në Prishtinë, keni punuar madje edhe si këshilltare e Kryeministrit Çeku. Cilat janë impenjimet aktuale?
Për herë të parë në Kosovë kam ardhur në vitin 1999 pas luftës. Më 13 qershor kam hyrë së bashku me trupat gjermane të NATO-s në Prishtinë. Ka qenë një emocion shumë i fortë. Atë kohë punoja për Kombet e Bashkuara, me programin botëror të ushqimit. Nuk dija çfarë kishte në Kosovë, nuk dinim nëse njerëzit kishin të hanin apo sa ishin vrarë, kështu që ka qenë vërtet një emocion shumë i madh të hyje e të shikoje Kosovën. Nuk kam për ta harruar kurrë atë moment. Pastaj kam kërkuar të kthehem sërish në vitin 2000. Kam prodhuar një film për televizionin italian "Rai Tre" dhe jam rikthyer sërish në vitin 2001 për të drejtuar komisionin e përkohshëm për median. Më pas kam punuar si këshilltare e Agim Çekut dhe momentalisht jam e angazhuar me gazetari dhe me situatën politike të Kosovës. Është një vend që e dua shumë, i dua njerëzit që janë kaq të ngjashëm me italianët.
Keni shkruar edhe një libër të titulluar "Rasti në favor të Kosovës". Për çfarë bën fjalë?
Ideja e librit lindi sepse duke njohur mirë shqiptarët dhe duke jetuar në Perëndim kam mbetur gjithmonë e habitur dhe e goditur nga imazhi negativ që Kosova dhe shqiptarët kanë në disa pjesë të botës. Le të themi se ekziston një propagandë shumë e fortë që i portretizon si myslimanë, kriminelë, terroristë etj. Kam vënë së bashku akademikë e studiues të famshëm, apo më pak të famshëm, që kanë mundur t‘u përgjigjen pyetjeve të mia rreth Kosovës, nëse është e vërtetë se Kosova ka qenë gjithmonë e banuar nga serbët, nëse është e vërtetë se Kosova është zemra e qytetërimit serb. Dhe ata janë përgjigjur. Në mënyrë të veçantë kanë bashkëpunuar për këtë libër Noel Malcolm, Ivo Banac, Isa Bluni, Besnik Pula, autorë të huaj, por edhe shqiptarë. Dhe kanë thënë këtë të vërtetë pa e ekzagjeruar nga pikëvështrimi shqiptar për historinë e kësaj pjese të botës që është përbërë për shumë shekuj nga prezenca e shqiptarëve, jo vetëm të tyre, por mbi të gjitha të shqiptarëve.
Ndërkohë keni bërë edhe një libër mbi një mit këtu në Kosovë, një libër për Adem Jasharin. Ai është sakrifikuar së bashku me 56 anëtarë të familjes për lirinë. Si e shikoni rolin e mitit të tij në shoqërinë e Kosovës, por edhe në skenën politike të Kosovës gjatë këtyre viteve të pas luftës?
Është një rol fondamental. Lufta ka filluar me masakrën e Prekazit dhe të familjes Jashari. Kështu që është fondamentale edhe mënyra se si është kujtuar kjo masakër, përkujtuar, mënyra se si komentohet dhe si prezantohet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Unë jam interesuar për këtë masakër, pasi këto ditë kam kuptuar se është shumë evident fakti që ka një luftë ndërmjet ndërkombëtarëve dhe vendorëve për të përcaktuar historinë më të re të Kosovës. Historia e re e Kosovës në fakt është një histori e luftës, e sakrificave, e rezistencës nga një forcë e huaj që ka qenë shumë brutale. Ndërsa me përfundimin e luftës dhe ardhjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, sipas meje, është kërkuar të ribëhet historia sikur ajo fillon nga viti 1999. Viti zero për Kosovën: jemi të gjithë shumetnikë, të harrojmë komplet atë që ka qenë vuajtje e shqiptarëve në Kosovë, veçanërisht në vitet ‘90. Dhe për mua ka qenë shumë interesante të flas këtë episod, se si është kujtuar nga shqiptarët, të huajt, me të gjitha ndryshimet, pasi nuk është vetëm lufta ajo për të cilën mund të rrëfehet në historinë më të fundit, është edhe rezistenca paqësore e udhëhequr nga Rugova.
Ky studim është bërë nga një pikëvështrim shumë i ndryshëm nga të tjerët. Cilat janë konkluzionet tuaja rreth figurës së Rugovës dhe Jasharit? Sa e fortë ka qenë influenca e këtyre dy figurave në Kosovë gjatë këtyre viteve?
Duhet të shpjegoj fillimisht se kur kam parë masakrën e Prekazit, kam filluar të bëj lidhje me historinë e Italisë së pasluftës, mbi të gjitha gjatë kohës së pushtimit nazist dhe rezistencës. Në këtë histori ka pasur disa masakra që kanë ndarë popullsinë. Janë përkujtuar pas luftës si rezistencë partizane kundër fashizmit, por nga shumë italianë kjo histori tregohet me shumë probleme. Në fakt plasi në vitet gjashtëdhjetë.
Unë mendoj se si Rugova, ashtu edhe Jashari janë fondamentalë për të kuptuar se si ka ardhur Kosova deri te pavarësia. Rugova për dhjet vjet ka qenë lideri i një populli të vogël, por të jashtëzakonshëm, që ia ka dalë mbanë të jetojë pa shtet, apo në të kundërtën, në një shtet policor, pa burime, pa ekonomi, duke u organizuar vetë. Është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ndërsa Jashari është i jashtëzakonshëm pasi ka luftuar me të gjithë familjen, duke dhënë gjithçka nga vetja, gjithçka që mund të japë një njeri për lirinë e Kosovës. Që të dy janë shumë të jashtëzakonshëm dhe kanë një rëndësi të madhe në pavarësinë e Kosovës, sepse që të dy i kanë kontribuar asaj. Kosova është një vend që ka një histori shumë të gjatë, por është një shtet i ri.
Ju thatë se shihet një tendencë për ta rishkruar historinë nga viti 1999. A e shikoni kështu edhe heqjen nga kalendari të festave zyrtare, edhe datën "28 nëntor", paçka se pas reagimeve ky akt u anulua? Pra, si mendoni ju, a duhet Kosova të heqë dorë nga historia kombëtare për hir të një të "ardhmeje", me gjasë, në paqe me fqinjët?
Opinioni im është krejt personal, por unë besoj se ishte një gabim i madh heqja e festës së 28 Nëntorit nga lista zyrtare e festave, apo e disa festave të tjera që janë kaq të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar në Kosovë, sepse në fund të fundit përbën shumicën. Unë e shoh edhe si të rrezikshëm eliminimin e çfarëdolloj manifestimi të luftës, si pasojë e të cilës Kosova ka lindur. Pa këtë luftë Kosova nuk do të ishte tani e pavarur, nuk do të ishte një shtet. Është një lloj operacioni stalinist: hiqet diçka që ekziston në histori, në jetën e njerëzve, në ndjenjat e tyre. Do të ishte shumë më mirë të konsultoheshin me njerëzit, do të ishte më demokratike. Por nëse kompromisi është që të eliminohet krejt historia e shqiptarëve, më duket një budallallëk që nuk do të zgjasë. Sidoqoftë, 28 nëntori do të festohet gjithmonë në Kosovë. Është shumë inkurajuese të shohësh se si populli i Kosovës e pranoi flamurin e ri, simbolet e reja, por nuk mund të heqë një simbol kombëtar që është kaq i dashur për të gjithë e që tek e fundit kanë vdekur shumë për të.
Është shtyrja e bashkësisë ndërkombëtare që ushtron një presion jonormal për të krijuar një identitet të ri. A e mendoni edhe ju kështu?
Duhet të kuptojmë shpirtin e komuniteti ndërkombëtar, që përbëhet nga njerëz qeveri e interesa. Për sa i përket Kosovës, komuniteti ndërkombëtar i është qasur si një shkencëtar që bën eksperimente. Kjo është normale dhe në anglisht quhet "State Building" (shtetndërtim). Kur fillohet angazhimi me këtë ndërmarrje, vihen në tavolinë shtete, kufij dhe flamuj të huaj dhe kjo krijon disa probleme. Por për ndërkombëtarët është e rëndësishme të përcaktojnë një shtet multietnik të integruar në Evropë dhe ekziston përshtypja se duke eliminuar historinë e shqiptarëve, kjo mund të arrihet më lehtë. Sipas meje është një gabim dhe presioni që po ushtrohet mbi lidershipin e Kosovë do të ketë pasoja negative në të ardhme.
Nga : Gazeta Shqip