Një nga këndonjësit na shkruan se nuk sheh asnjë ndryshim midis "Diellit" e "Republikës", se që të dyja gazetat, thotë, shajnë, si njëra edhe tjetra. Pastaj shton, se ai priste nga "Republika" jo shraje po këshilla të urta. Nuk do të qëndrojmë aspak për të thënë se fjala sharje nuk e ka vendin për shkrimet e "Republikës", se e dimë që shqiptarët i japin kësaj fjale një kuptim të gjerë që përmbledh brenda çdo bisedim a shkrim që kapërcen kufirin e muhabetit të ëmbël. Për hatrin e argumentit pra, e pranojmë që "Republika" paska bërë sharje. Po a është e mjaftë kjo sa të vërë "Republikën" në një radhë me "Diellin"? Në qoftë se po, ahereprogrami ynë s´paska asnjë rëndësi, se rëndësinë të tërë e paska ajo sharja më e vogël që paskemi bërë kundra ndonjë beu. Kështu? Ahere mundohemi më kot që nxjerrim një gazetë me një program, se programi s´u dashka fare, se këndonjësi nuk na përqas me kundërshtarët sipas programeve që mbrojmë, po sipas sharjeve që bëjmë. Jo, i dashur këndonjës, gjëja që ka rëndësi kryesore është programi ynë. Të tjerat janë hollësira pa rëndësi. Këtë program do ta mbrojmë me çfarëdo mjet, ashtu si dimë, ashtu si mundim, kur me fjalë të ëmbëla, kur me të ashpra, kur me këshilla, kur me kritika, si ta dojë puna, vendi e personi. Ujku duhet goditur dhe goditur me tërë forcën sa më fort aq më mirë. Kështu e dimë dhe kështu është. Do të gëzoheshim sikur të ishte ndryshe, sikur të gënjehej ujku me sheqerka dhe të mbarohej i tërë sherri me të mirë e me të butë. Po, ajme! Nuk është ashtu, jo, tri herë jo. Pyesni historinë t´ju thotë. Apo kemi fajin ne. Fajin e ka ajo. Dhe ajo s´lajthitet e s´gënjen.
Botuar në "Republika" më 4 dhjetor 1930.