Joakim Lev Pres gola nga sulmi ata jane si Polonia

Joakim Lëv: Pres gola nga sulmi, ata janë si Polonia

Gjermania nuk njeh blof në 1/8-at e një turneu ndërkombëtar. Nën drejtimin e Joakim Lëvit, kampionët e botës janë kualifikuar të paktën deri në gjysmëfinale (2008, 2010, 2012, 2014). Në prag të finales së 1/ 8-ave kundër Sllovakisë, trajneri Joakim Lëv i ka bërë presion sulmit, si dhe ka konfirmuar rikuperimin e qendërmbrojtësit Zherom Boateng.


Lëv, përballeni sërish ndaj Sllovakisë. Çfarë prisni nga lojtarët?

Secili prej nesh e di shumë mirë që nuk do të ketë më shanse si ndaj Irlandës së Veriut. Kjo ka qenë tema kryesore në stërvitje. Lojtarët duhet të përqendrohen te topi. Nuk ka më fjalë për rastet e humbura. Për mua vlejnë vetëm golat.

E shihni si surprizë kualifikimin e sllovakëve?

Për mua është një nga surprizat e këtij Europiani. Por ne do të jemi në gjendje për të bërë detyrën tonë më mirë sesa Anglia. Sllovakia ka mbrojtës me eksperiencë dhe luan mirë në kundërsulm. Prandaj përqendrimi duhet të jetë maksimal. Sllovakia është e ngjashme me Poloninë në mbrojtje dhe kundërsulm. Pothuajse gjithçka bazohet te Hamshik. Miqësorja ndaj tyre shërben si kambanë alarmi. Ata do të jenë më mirë sesa Irlanda e Veriut.

Do të jenë gati Boateng dhe Shvajnshtaiger?

Parashikoj të bëj ndonjë ndryshim. Shvajni nuk ka luajtur që nga janari. Ishte e qartë që nuk mundej të luante 90 minuta. Ai do të jetë shumë i rëndësishëm, por vendimin do ta marr para ndeshjes. Ndërsa Boateng është stërvitur rregullisht me ekipin. Ai nuk ndien më dhimbje. Ditët e pushimit kanë ndikuar pozitivisht. Boateng ma dha dritën jeshile pas stërvitjes dhe do të jetë gati ndaj Sllovakisë.

Jeni të kënaqur me paraqitjen e Ozil, Gëces dhe Kros?

Gëce më jep përshtypjen se ka ende shumë për të dhënë. Teknika dhe loja e tij i shërben skuadrës. Ka punuar fort për të ardhur deri këtu, prandaj jam i kënaqur me të. Ozil mbetet lojtar kyç për ne. Ndaj Polonisë e pati të vështirë, por u çlirua kundër Irlandës së Veriut. Roli i tij në mesfushën ofensive na inkurajon të gjithëve. Ndërsa Kros që nga viti 2012 ka zhvilluar të gjitha ndeshjet me ne. Ai është lojtar ekonomik, i sigurt në pasime dhe s'bën gabime. Përpiqet shumë të na japë simetri dhe është pozicional. Kros është lojtar që i përshtatet mirë lojës.

Tapeti në Lilë është ndërruar. Lajm i mirë për ju?

Jam i kënaqur për tapetin e ri. Cilësia e fushës është faktor më vete në një ndeshje futbolli. Ka për të qenë shumë herë më mirë sesa ndeshja e parë. E njohim mirë atë stadium dhe lojtarët do ta kenë më të thjeshtë të përshtaten.

Ju befasoi Joshua Kimish ndaj Irlandës së Veriut?

Kimish kreu siç duhet porositë e mia. Ai bëri një punë shumë të mirë. U lidh siç duhej me lojtarët dhe si ndeshje e parë për të shkoi perfekt. Kam besim të madh tek ai.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama