Joakim Lev Skemi trauma nga Italia ia gjeta ilacin

Joakim Lëv: Skemi trauma nga Italia, ia gjeta ilaçin

Teksa lojtarët po shijonin ditën e pushimit, trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka dalë në konferencë për shtyp. Trajneri më i mirë në botë ka folur me detaje mbi Italinë, Konten, mbrojtjen e tyre. Ka sjellë në kujtesë 2012-ën si dhe ka analizuar lojtarët e tij nga Myler te Shvajnshtaiger.

loew1

Si është gjendja fizike e lojtarëve?

Disa prej lojtarëve si Khedira, Humels dhe Draksler kanë pasur dhimbje të vogla, por pa problem. Falë stafit mjekësor nën kujdesin e Klaus Eder dhe Myler-Volfart, Boateng u rikthye në kohë dhe do jetë sërish gati ndaj Italisë.

Planifikoni ndryshime në formacion?

Gjithmonë mund të ketë ndryshime. Rëndësi ka që ne vazhdojmë të luajmë në mënyrë fleksibël. Plus kjo bën që të jemi të palexueshëm për rivalët. Duke analizuar dobësitë e rivalit, bëjmë edhe ndryshimet. Ndaj Italisë është e rëndësishme të paralizosh kundërsulmet. Ndoshta duhet të bëjmë presing shpejt.

Çfarë po ndodh me Mylerin?

Tomasi ka mentalitet fituesi. Ai do të fitojë gjithmonë. Që prej vitit 2010 ai ka shënuar rregullisht, por tani vjen faza e tij e golave. Jam i kënaqur me rezultatet e tij, sepse vë gjithmonë në vështirësi kundërshtarin. Lëvizjet e tij janë me vlerë. Ai punon shumë edhe në aspektin mbrojtës.

Khedira luan te Juventusi. Keni marrë ndonjë informacion prej tij?

Natyrisht, ai i njeh shumë mirë italianët si pjesë e Juventusit. Prandaj do të flas me të mbi këtë temë. Samiu është pjesë e boshtit tonë dhe është gjithmonë dinamik.

Shvajnshtaiger ka shprehur gatishmërinë nga minuta e parë. Çfarë roli luan kapiteni?

Basti është shumë i rëndësishëm. Ai inkurajon të rinjtë dhe na jep pozitivitet si në stol dhe në fushë. Nga ana fizike, ai është vërtet në gjendje të na ndihmojë nga minuta e parë. Të bind me potencialin e tij. Ka ardhur në formë.

Edhe Podolski u prit mirë në minutat kundër Sllovakisë. Planifikoni me të?

Lukasi është shembull për të gjithë lojtarët e rinj. Ai jep gjithnjë më të mirën. Podolski gëzon respekt dhe ka treguar profesionalitet. Pas ndeshjes me Sllovakinë, e patë vetë sesa e donin tifozët.

Si ndihen lojtarët e rinj si Sane, Xhan, Vajgl dhe Tah që s'kanë luajtur ende asnjë minutë?

Sjellja e tyre tregon karakterin e tyre të fortë. Ata bëjnë më të mirën në stërvitje. I kanë dhënë shumë ekipit dhe kam besim tek ata. Është e ardhmja e kombëtares sonë.

Cila është shtylla e skuadrës?

Me kalimin e kohës, boshti ynë është forcuar së tepërmi. Nojer, Humels, Boateng, Khedira, Kros, Myler, Shvajni kanë formuar një bosht të fortë. Ata s'kanë shumë nevojë për stërvitje për t'u kuptuar me njëri-tjetrin.

Keni ndier përmirësime që pas ndeshjes me Poloninë?

Kemi gjetur balancat mes mbrojtjes dhe sulmit. Ofensiva po mbron më mirë. Kros dhe Khedira kanë bërë paraqitje dinjitoze.

Suksesi ndaj Sllovakisë ju ngriti moralin dhe euforinë.

Mendoj se është çështje orësh. Nuk duhet të ndikohemi nga euforia, por të përqendrohemi te topi dhe loja jonë. Është gabim të mbivlerësosh fitoren ndaj Sllovakisë. Por, nga ajo fitore kam parandjenja pozitive për fundjavën. Duhet të përmirësohemi në të gjitha fushat.

6 ditë kohë për çerekfinalen, një më shumë se italianët...

Pa dyshim që s'mund të jetë disfavor. Në këto ditë kemi mundësinë të vëmë pikat mbi i. Lojtarët po qëndrojnë të karikuar dhe entuziastë. Nuk i trembemi Italisë, pasi besojmë te forca jonë.

Sa rëndësi ka forma fizike dhe eksperienca?

E di që do përballet skuadra më e re kundër më të vjetrës. Italia pati favorin të linte pushim titullarë në ndeshjen e tretë në grup. Nuk besoj se janë të lodhur. Edhe lojtarët më në moshë, Bonuçi dhe Kielini, janë të fortë fizikisht. S'po e ndiejnë lodhjen.

Të enjten, do kujtohet 20- vjetori i "golit të artë" të Bierhofit.

Do isha i lumtur mos e dëgjoja më, sepse na i ka treguar shumë herë Bierhofi (qesh). Atë ditë do të ndërroj rrugë (qesh).

Në çerekfinale përballeni me Italinë në Bordo.

Jam shumë i lumtur për këtë duel. Ndaj Spanjës treguan se janë Itali ndryshe nga ajo që pretendonin të tjerët. Ata nuk përqendrohen vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm. Kjo është një skuadër më e mirë se ajo e "Euro 2012"-ës.

Joakim lev

Historia ka treguar se Italia është "macja e zezë". Ka mundur Gjermaninë në çdo ndeshje zyrtare.

Nuk kemi asnjë traumë italiane. Ngjarjet e së kaluarës nuk i marr parasysh. Është kafe e ftohtë. Do më pëlqente një kafe ekspres e freskët dhe do ta shihni që ditën e shtunë do na shijojë shumë. Ndeshjen e fundit e fituam 4-1 dhe mendoj se do t'ia gjej ilaçin.

Si e gjykoni kualitetin mbrojtës të Italisë?

Ata e kanë mbrojtjen në ADN. Luajnë shumë ngushtë dhe janë në humor edhe kur gjuajnë topin nga tribuna. Nëse italianët gëzohen kur dalin 0-0, ne lumturohemi kur del 3-3.

I ka kompensuar Konte mungesat e rëndësishme në ekip?

Italia e ka kompensuar shumë mirë largimin e Pirlos. Çdo repart ka pikat e forta të saj. Bufon në portë, para tij një trekëndësh qendërmbrojtësish. Admiroj shumë De Rosin. Ai ka inteligjencë loje dhe kujdeset për balancat. Në sulm kanë lojtarë të mirë si Pele.

Vlerësimi juaj për punën e Kontes dhe sjelljen e tij impulsive?

Konte ka bërë punë të shkëlqyer. Te Juventusi bëri epokë. Konte arriti në përfundim që vetëm me "katenaço" nuk mund të fitohet një turne. Për sa i përket sjelljes, janë emocione. Ato gjeste nuk ndikojnë negativisht te lojtarët, pasi janë të fokusuar te puna e tyre. Ndodh që të jenë edhe veprime të pavetëdijshme.

Ju dhemb kur kujtoni humbjen në gjysmëfinalen e "Euro 2012"-ës?

Atë mbrëmje asnjë prej lojtarëve nuk dha maksimumin e vet. Edhe plani im nuk u përmbush siç duhej. Ajo humbje e dhimbshme më ka ndihmuar. Ka qenë leksion i mirë për mua.

Bilanc i frikshëm, i fiton të gjitha çerekfinalet

Gjermania nuk e ka aspak frikë Italinë. Kampionët e botës kanë arritur pjekurinë e duhur për të përmbysur historinë dhe rritur shanset për të fituar Europianin pas 20 vitesh. Shpresëdhënës është bilanci i trajnerit Joakim Lëv. Strategu gjerman ka udhëhequr "pancerat" në 4 turne ndërkombëtare dhe në të katërta ka mbërritur dy herë në gjysmëfinale dhe dy herë në finale.

Gjermania i ka fituar 4 çerekfinalet dhe ky është një lajm i mirë: Në çerekfinale të "Euro 2008"-ës, Gjermania mundi 3-2 Portugalinë me gola të Shvajnshtaiger (22´), Klose (26´) dhe Balak (61´). Në Botërorin 2010, fituan pastër 4-0 kundër Argjentinës. Në "Euro 2012", "pancerat" triumfuan 4-2 përballë Greqisë, ndërsa në Botërorin 2014 hoqën qafe Francën (1-0).

Gjithashtu, të qenit kampion bote dhe fitorja 4-1 ndaj Italisë shërben si një mburojë dhe statistikë shpresëdhënëse për gjermanët. Gjermania është kombëtarja me më shumë pjesë- marrje në Europian. Në 11 Europiane e kanë fituar tre herë, 1972 në Belgjikë, 1980 në Itali dhe 1996 në Angli.

Përgatiti: ENIAR IBRO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama