Jon Tarifa - Ne nje skene me Stevie Wonder dhe Sting

Jon Tarifa - Ne nje skene me Stevie Wonder dhe Sting
Jon Tarifa, këngëtari i ri shqiptar, që jeton prej vitesh në Holandë, tregon planet e tij. Si ka qenë ecuria e tij në botën e muzikës, por edhe si do marrë pjesë në Curacao North Sea Jazz Festival, në të njëjtën skenë ku do të këndojnë edhe Sting dhe Stevie Wonder, dy prej favoritëve të tij.

Për dike që nuk ju njeh, cili është Jon Tarifa?

“Nga t’ia nis? Kur isha më i ri, jam marrë shumë me sport (futboll) dhe akoma më pëlqen të luaj kohë pas kohe, kurdoherë që më jepet rasti. Por gjatë 10 vjetëve të fundit jam marrë thuajse tërësisht me art, duke kënduar në skenë me grupe dhe artistë të ndryshëm në Holandë. Në skenën muzikore njerëzit mund të më njohin me pseudonimin Mic-Nif, edhe pse kohët e fundit kam vendosur të dal në skenë me emrin tim të vërtetë: Jon Tarifa. Unë jam, përgjithësisht, një tip social, “easy going”. Më pëlqen herë pas herë të dal dhe të argëtohem me shokë, por nuk jam një tip i “klubeve të natës”; përkundrazi më shumë preferoj të ulem me shokë në një bar apo në një shesh për t’iu larguar rrjedhës së përditshme të punëve. Oh, dhe më pëlqen ushqimi; ju kurrë nuk do më shihni t’i them jo një ushqimi të mirë. Por kryesorja është kjo: unë krijoj dhe jetoj me muzikë çdo ditë”.

Si filluat të merreshit me muzikë?

“Nuk më kujtohet hollësisht, pasi ka kaluar shumë kohë. Mua gjithmonë më ka pëlqyer muzika, qysh kur isha fëmijë, por fillova të bëhem më i interesuar për të kur shkova me familjen time në Shtetet e Bashkuara, në mes të viteve 1990, ndërsa seriozisht fillova të merrem me muzikë kur erdha në Hollandë”.

Çfarë lloj muzike bëni ju?

“Kjo është një pyetje kaq e lehtë dhe, njëherësh, shumë e vështirë, për shkak se është e vështirë t’i vësh gishtin një stili të vetëm muzike që unë krijoj. Ajo mund të konsiderohet si një muzikë që ngërthen në një të vetme, ose që lëviz nga Hip Hop në Jazz në Soul në Acoustic dhe në çdo gjë tjetër që “feels good”. Muzika që unë bëj sot është disi ndryshe nga ajo që kam luajtur me grupe të ndryshme në të kaluarën. Me kalimin e viteve jam rritur si artist dhe gjatë pesë viteve të fundit kam luajtur “live” me shumë grupe, në Holandë dhe jashtë saj. Tashmë, zëri im është qartazi më pranë një veshi “jazzy hip hop” (apo edhe acoustic)”.

Si i shkruani lirikat tuaja dhe përse bëjnë fjalë ato?

“Kur je marrë me këtë punë për një kohë relativisht të gjatë, besoj se kjo vjen thjesht natyrshëm. Nuk ka shpjegim të vërtetë se si arrij të krijoj vargjet dhe rimat në përgjithësi. Para së gjithash, kjo ka të bëjë më shumë me mesazhin që dua të përcjell se sa me vetë rimën”.

A shkruani muzikën tuaj?

“Unë nuk kompozoj, këtë e bëjnë të tjerët për mua dhe kjo varet se me kë punoj. Ndonjëherë, një kompozitor më dërgon krijimin e tij dhe nëse unë e pëlqej merrem me të por, zakonisht, më pëlqen që unë të ulem me kompozitorin dhe të krijojmë së bashku diçka nga e para, në mënyrë që unë vetë të jem i angazhuar në aktin e krijimit të muzikës që këndoj që nga zanafilla e saj. Kjo më lejon të influencoj drejtimin që merr krijimi i këngës dhe kjo ka shumë rëndësi”.

Ç’lloj publiku tërheq Jon Tarifa?

“Kam parë fëmijë dhe të rinj që hidhen dhe shkunden me muzikën time, por kam parë edhe njerëz në moshë të mesme dhe të moshuar që më shoqërojnë duke kënduar ndërsa unë luaj në skenë. Por, në përgjithësi, do të thosha se moshat që më ndjekin më shumë janë ato midis 25-35 vjeç, të cilat e pëlqejnë muzikën e mirë dhe janë gjithnjë në kërkim të diçkaje të re, të ndryshme nga muzika që janë mësuar të dëgjojnë çdo ditë. Kam kuptuar se muzika që unë këndoj tërheq më shumë ata njerëz të cilët janë në kërkim të një muzike të mirë sesa ata që dëgjojnë çdo gjë që u bie rasti”.

Thatë më parë se njerëzit ju njohin me pseudonimin Mic-Nif, por thatë gjithashtu edhe se keni vendosur të luani me emrin tuaj të vërtetë: Jon Tarifa? Arsyeja?
“Arsyeja pse e “ndryshova” emrin (edhe pse në të vërtetë nuk e kam ndryshuar atë, por veçse vendosa të dal me emrin tim), ka të bëjë thjesht me faktin se dua t’i prezantoj publikut atë që jam, “the real me”, pa u fshehur pas një emri tjetër. Unë përsëri do i referohem pseudonimit Mic-Nif si një “aka” (i njohur gjithashtu si), ose (i njohur më parë si), por unë jam Jon Tarifa. Deri kohët e fundit bëja pjesë në një grup i quajtur L4 (Looking Forëard), por për shkak të mosmarrëveshjeve midis anëtarëve të grupit që kishin të bënin thjesht me çështje muzikore, u ndamë, duke marrë secili rrugën e vet. Unë e shoh këtë si një fillim të ri. Eshtë një sfidë e re, por pikërisht për këtë arsye është edhe një eksperiencë me vlerë dhe, prandaj vendosa t’i “kthehem” përsëri emrit tim të vërtetë për t’ia nisur nga e para, nëse më kuptoni se ç’dua të them me këtë”.

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

“Nuk besoj se do të rresht ndonjëherë së bëri muzikë, ndaj qëllimi im mbetet të bëj muzikë të mirë për njerëz të mirë dhe të përpiqem ta bëj të njohur atë sa më gjerë që të jetë e mundur nëpër botë. Në video klipin tim të fundit unë këndova së bashku me një grup të njohur amerikan të quajtur “ Blitz the Ambasador”. Kjo këngë po luhet aktualisht në Shtetet e Bashkuara, në Holandë, në Sllovaki, në Republikën Çeke, në Arabinë Saudite etj. Ajo që unë po bëj nuk është e re për mua, edhe pse, natyrisht, unë vazhdoj dhe synoj të përmirësohem gjithnjë e më shumë dhe kjo duket edhe në albumin e ri që po përfundoj. Në 8 gusht parashikohet të dalë albumi im i parë si Jon Tarifa, i titulluar “So Right” dhe i shoqëruar me një video klip që ndihmon të kuptohet se në ç’drejtim po shkoj unë me muzikën time”.

Duhet të ndjeheni krenar për gjithçka që keni arritur deri më sot. Mund të thoni për lexuesit e revistës MAPO diçka më tepër mbi karrierën dhe arritjet tuaja në këtë fushë?

“Pa dyshim. Nga koha në kohë unë ndjehem krenar për atë ç’kam arritur dhe vazhdoj të bëj, por unë ende nuk kam arritur aty ku dëshiroj të jem, ndaj edhe punoj më shumë se kurdoherë më parë. Aktualisht po bëj një tur me kompozitorin dhe këngëtarin Levi Silvanie dhe sapo kam nënshkruar një kontratë me kompaninë “Oneway Melodies”. Përveç kësaj, me kënaqësi dhe krenari njëkohësisht njoftoj se bashke me Levi Silvanie do të këndojmë (në fund të gushtit) në Curacao North Sea Jazz Festival, në të njëjtën skenë ku do të këndojnë edhe Sting dhe Stevie Wonder, dy prej favoritëve të mi të të gjitha kohëve. Gjatë qëndrimit në Curacao, Levi Silvanie dhe unë do të filmojmë një video muzikore për bashkëpunimin tonë të ardhshëm. Por që t’i përgjigjem pyetjes tuaj, kohët e fundit unë kam dhënë koncerte në Shtetet e Bashkuara (në Nju Jork dhe në Uashington, D.C.), si edhe në Bratislavë (Sllovaki). Po kështu, kam marrë pjesë me këngët e mia pothuajse në të gjitha festivalet e mëdha në Holandë si edhe kam kënduar tri herë në festivalin më të madh evropian “Parkpop” dhe në shumë festivale të tjera. Një prej vidiove të mia me grupin e mëparshëm ishte “hit” në njërin prej kanaleve televizive holandeze TMF për më shumë se një vit. Në vitin 2010, albumi ynë “Counting Coins” zuri vend ndër 100 albumet më të mira të “Album Charts of the Netherlands” dhe vendin e parë në “Dutch Alternative Charts”. Ka edhe shumë arritje të tjera të cilat më bëjnë të ndjehem krenar, edhe pse, siç thashë, ende nuk jam atje ku dëshiroj të jem. Më e mira vjen pas”.

Duket se jeni në rrugë të mbarë. Ç’vjen më pas?

“Pritet që këto ditë të vihet në qarkullim albumi i parë “single”, i titulluar “So Right” dhe, sigurisht, koncerti i madh në Curacao. Pas Curacaos do të mbyllem në studio dhe do të shkruaj një album”.

Ç’pritet të jetë ky album i ri?

“Do të jetë ndryshe nga çdo gjë që kam bërë deri më sot. Më shumë nuk mund të them. Le të jetë një surprizë e bukur, apo jo? Për më shumë informacion mbi veprimtarinë time lexuesit mund të vizitojnë faqen time në Internet: www.jontarifa.com dhe mund të më ndjekin në Twitter dhe në Facebook”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama