Prej 13 vitesh drejton skuadra në Shqipëri, në një kohë që katër vitet e fundit arriti gjithçka me Skënderbeun. Mirel Josa po shijon katër titujt dhe sukseset e mëdha në Europë. Tashmë, pas largimit nga korçarët, tekniku është gati për të nisur një aventurë të re. Ai thotë se ka tri opsione jashtë Shqipërisë, në një kohë që sqaron edhe aludimet më të fundit për të marrë drejtimin e Kukësit në Shqipëri.
E ardhmja
"Janë tri opsione jashtë Shqipërisë ku unë mund të shkoj, të cilat ende nuk janë konkrete. Një prej tyre është Azerbajxhani, por për dy të tjerat nuk mund të them shtete. Unë ia kam bërë të ditur edhe Skënderbeut kur kam qenë në drejtimin e skuadrës se nuk ka pasur asgjë konkrete. Unë pres me qetësi. Në këto momente dua të pushoj dhe të shoh ecurinë e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës, apo qoftë edhe kampionatin europian", shprehet fillimisht Josa.
Por i pyetur nëse kampionati shqiptar është sërish një opsion, tekniku thotë se mbetet primar. "Sigurisht, prioriteti im është kampionati shqiptar, pasi është një garë që e njoh shumë mirë. Por, në këto momente, nuk ka asgjë konkrete me asnjë prej skuadrave, pasi ato janë të plotë- suara me trajnerë. Përfitoj nga rasti që t'u uroj të gjithë kolegëve të mi sukses në drejtimin e skuadrave që kanë. Për momentin më duhen pak pushime, pasi në këto 13 vite që drejtoj ekipe të Superiores, nuk jam i sigurt nëse kam bërë 15 ditë pushime me familjen apo jo".
Kukësi
Gjithashtu është përfolur se ai mund të marrë drejtimin e Kukësit. Në lidhje me këtë çështje, Josa thotë: "Fillimisht, dua të them se kam respekt për atë skuadër dhe për mënyrën si funksionon. Gjithashtu, kam shumë respekt për trajnerin Hasan Lika që drejton atë ekip, të cilin e kam shumë mik. Likën e kam mik shtëpie dhe do t'i uroj vetëm suksese dhe të shkoj sa më larg me Kukësin në Europë. Gjëra konkrete nuk ka", flet në lidhje me aludimet që janë hapur se Josa mund të drejtojë Kukësin sezonin e ardhshëm.
Besar Bozgo