Ndeshja ndaj Tërbunit është në prag, por pavarë- sisht se do të luajnë kundër ekipit të vendit të fundit trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, nuk ka kërkuar kurrsesi të flitet për një takim të thjeshtë. Në konferencën për shtyp para mediave, numri një i pankinës bardhekuqe vlerëson kundërshtarin, teksa kërkon përqendrim maksimal nga të tijtë ndeshje pas ndeshjeje.
Profesor, luani sot kundër Tërbunit. Në një takim të tillë sa e vështirë është që t'i motivosh lojtarët?
Gjithçka funksionon në bazë të objektivave. Lojtarët nuk kanë nevojë të motivohen më shumë, pasi motivi për ta është pozicioni që kanë në renditje, sikurse edhe distanca që kemi ne me ndjekësit tanë. Ndonëse nuk është e madhe, është një distancë që me një gabim tëndin mund të shuhet shumë shpejt. Patëm fatin e mirë që, pas humbjes sonë në Kukës, Partizani nuk mori pikët e plota në ndeshjen e vet.
Gjatë gjithë javës i keni përsëritur ekipit që nuk është një ndeshje e lehtë. Pse nuk e shikoni si të tillë?
Kam vendosur kështu, pasi Tërbuni është një ekip që është përpjekur me të gjitha mundësitë që të mbajë pozitat e veta si konkurruese e denjë në kampionat, pavarësisht pozicionit që ka në renditje. Është një ekip që nuk është marrë me tolerime gjatë ndeshjeve të kampionatit, pavarësisht se kundër kujt ekipi ka luajtur dhe kjo do të thotë se ky ekip do të vijë në Korçë që të tregojë vlerat. Pas humbjes në Kukës keni marrë një lajm të mirë nga rivali.
Ju ka qetësuar disi pas atij takimi barazimi me Partizanin?
Normal që kampionati luhet në të gjitha drejtimet, qoftë ne me rezultatet tona, apo edhe ekipet e tjera me rezultatet e tyre. Mirëpo ne nuk duhet që të varemi nga rezultatet e ekipeve të tjera, por vetëm nga ecuria jonë që në Kukës pësoi një farë goditje. Një goditje jo se humbëm në Kukës, pasi ishte një rast që ka ndodhur edhe më parë, por për vetë faktin se ekipi kishte probleme në goditjen e portës. Por tani do të shohim ndeshjen e radhës me Tërbunin si një takim që do të na japë vazhdimësinë për kampionatin, pasi kemi përballje të tjera të vështira.
Distanca me vendin e dytë është 5 pikë në 7 javë nga fundi. Një diferencë komode?
Në fakt, diferenca mund të kishte qenë edhe më e madhe, pasi sikundër kemi gabuar ne kanë gabuar edhe ndjekësit tanë. Kemi ndeshje që do të luajmë me ekipe që kanë objektiva sezonale dhe kjo histori do të vazhdojë gjatë gjithë muajit prill. Ne do të shohim javë pas jave se çfarë do të ndodhë.
Pa Salihin Skënderbeu vuan. Kaq i varur jeni nga ky sulmues?
Normal kur një sulmues shënon 24 gola bëhet pikë referimi për skuadrën, por pikë referimi kemi edhe lojtarët e tjerë që luajnë për këtë ekip. Është shumë i rëndësishëm për ne, pasi është golashënuesi jonë dhe ne do të mundohemi që ta kemi sa më shpejt gati.
Sa të rëndësishme do të jenë për Skënderbeun dy transfertat e radhës që i keni në Tiranë dhe Durrës?
Nuk jam duke menduar për to, por për të fituar takimin e radhës dhe më pas të vijojmë me takimet e tjera. Pasi gjithçka nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga rezultatet e rivalëve. Kështu që mua më intereson të kem një ekip të qetë, që këtë qetësi të dijë ta administrojë dhe ta kthejë në grintë në fushën e lojës. Kërkoj një ekip me luftë sportive. Më pas do të flasim për transfertat kur t'i vijë radha.
Cilat janë mungesat për këtë takim?
Fatmirësisht Salihi është kthyer te ne, ndonëse nuk do të jetë në fushë nga minuta e parë. Më pas kemi edhe mungesën e Nimagës dhe Abilaliajt që do të qëndrojnë jashtë. Kjo është gjendja e ekipit deri në këto momente.
Përgatiti: LLAZI SARO