Joshja cfare fshihet pas saj?

Joshja, çfarë fshihet pas saj?
Vetë ideja se diku, nëpër botë, ekziston një person që është gjysma jonë e vërtetë, a nuk është vallë një motiv i mirë për të shpresuar dhe kërkuar pareshtur magjinë e dashurisë dhe pasionit? Tërheqja ndaj një personi të caktuar mund ta përfshijë aq tërësisht një individ, saqë një pjese të mirë të historisë Perëndimore, ajo është konsideruar e rrezikshme dhe destabilizuese dhe si pasojë, jo e denjë për t‘u celebruar sikundër e meriton. Grekët e konsideronin tërheqjen seksuale një armë të vërtetë, një kamë që mund të të ngulej në trup dhe të të sundonte dalëngadalë vetë shpirtin. Ajo, sipas tyre, shkaktonte kaos si te njerëzit, ashtu edhe te vetë zotat. Për Danten dhe Petrarkën, dashuria ishte një lloj torture hyjnore.

Djemtë e rinj dalldiseshin e bëheshin të marrë pas shëmbëlltyrave të paarritshme femërore dhe treteshin si qirinj me vite nga dëshira për vajzat që nuk u jepeshin. Letërsia është marrë dhe merret pafundësisht me dashurinë. Histori e dashuri të tilla si ajo e Romeo dhe Zhuljetës, Ana Kareninës, Madamë Bovarisë, të thonë dhe paralajmërojnë për rreziqet që të sjell dëshira dhe pasioni. Edhe në Tristanin dhe Izotën e Vagnerit, dashuria e ndaluar sjell shkatërrim dhe vdekje. Megjithatë në këtë vepër, ndryshe nga të tjerat, Vagner përçon idenë se është e gabuar që të luftosh apo t‘i dryhesh pasionit erotik ndaj dikujt. Ideja e tij u pasua nga shumë të tjera të ngjashme dhe sot pjesa më e madhe e njerëzve janë të mendimit se një pasion i vërtetë dhe i rëndësishëm nuk është dhe nuk duhet të jetë shkak për fatkeqësi, por duhet të kultivohet dhe shprehet. Vizioni i Vagnerit mund të argumentohet si i pari që ndihmoi ndryshimin e këndvështrimit ndaj pasionit, ndaj tërheqjes, ndaj dëshirës dhe dashurisë që u harrua e u fsheh në traditën mijëvjeçare judeo-kristiane. Pasioni seksual nuk u konsiderua kurrë, gjatë kësaj periudhe, si mundësi për lindjen e dashurisë së vërtetë dhe për më tepër për krijimin e një lidhjeje të pastër familjare, nga e cila do të vinin në jetë edhe fëmijë. Pasioni erotik nuk ishte i denjë për gjëra të tillë. Por nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, kultura e frenimit dhe paragjykimit u shpërbë dhe u zëvendësua me idenë se vetë-frenimi është mohim i vetvetes. Sot, në përgjithësi, kultura jonë është në dashuri me idenë e dashurisë, por disi e çorientuar për sa i përket romantikes dhe jo shumë e përcaktuar për të përkufizuar se çfarë është tërheqja, joshja apo dashuria. Puberteti dhe fëmijëria janë të mbushura me modele që duhen ndjekur me artistë, futbollistë, këngëtarë rroku dhe ndjenja ndaj tyre konsiderohet si pasion.

Njerëzit nuk i marrin shumë parasysh dhe nuk para i pëlqejnë perifrazimet e shkencëtarëve se tërheqja ka të bëjë vetëm me feromonet, me raportet mes pjesëve të ndryshme të trupit apo me njohjen instiktive të ndryshueshmërisë gjenetike. Të qenit bashkë me dikë për një kohë të gjatë është një ndërmarrje e vështirë, në të cilën duhet të fusësh sasi të pashtershme altruizimi dhe dedikimi ndaj tjetrit, si dhe kuptim e tolerim ndaj nevojave të tij. Kur jemi të rinj nuk e shohim kështu situatën, jemi më romantikë dhe mendojmë se dashuria i arrin të gjitha dhe nuk i besojmë prindërit, kur ndaj një togfjalëshi të tillë tundin kokën me mosbesim. Kur dy persona, që në takimin e tyre të parë arrijnë që të shohin te njëri-tjetri gjëra të përbashkëta, mund të konsiderohet si fat i madh. Të biesh në dashuri që në vështrimin e parë është mrekulli. Gjëja interesante në lidhje me dashurinë me vështrim të parë është se ajo është retrospektive. Mund të qëllojë që një vështrim i parë të jetë tërheqës, por do të harrohej brenda pak minutash nëse nuk do të shoqërohej edhe nga një buzëqeshje e ëmbël, nga ndonjë shaka me kripë, apo ndonjë dialog që rrjedh vetiu e ia shton kënaqësinë vështrimit. Vetëm në një rast të tillë, vështrimi i parë do të mbahej mend. Por edhe nëse takimi nuk të çon askund, sepse të dy palët janë të angazhuar me partnerë të tjerë, momenti i kaluar së bashku, vështrimi dhe dëshira për t‘u prekur si dhe ëndërrimi i shkurtër, se si do të kishte qenë ekzistenca së bashku, mjaftojnë për t‘u futur në kategorinë e takimeve që ndoshta do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Nëse nga takimi lindin marrëdhënie të tjera, fillimisht ajo seksuale e më pas ajo e kujdesit dhe besnikërisë apo edhe krijimi i një familjeje të madhe e të lumtur, edhe në atë rast dashuria me shikim të parë është e suksesshme. Shkenca shoqërore ka nxjerrë nga eksperimentet e saj një histori dashurie alternative. Sipas saj, humanët, si edhe kafshët e tjera, tentojnë herë pas here që të lidhen me të ngjashmit e tyre.

Në periudha të tilla, çdo takim me dikë që plotëson pak a shumë kushtet për të qenë një kandidat është një mundësi e mirë. Njerëzit, pa qenë shumë të ndërgjegjshëm për një fakt të tillë, tentojnë që të gjejnë partnerë potencialë, apo qoftë edhe vetëm thjesht shokë, gjatë gjithë kohës. Sipas disa studimeve, njerëzit bëjnë vlerësime komplekse në lidhje me të tjerët, bazuar te mosha, paraqitja fizike, veshja, sjellja, konteksti shoqëror, brenda disa sekondash pas takimit me dikë të ri. Një konsideratë e parë ka dy karakteristika: mund të jetë e pamëshirshme dhe vështirë e ndryshueshme. Kur e kemi fiksuar një objektiv, atëherëë përpiqemi që të zgjojmë interesin e tjetrit duke tentuar që ai të jetë i dyanshëm. Pavarësisht gjithë miticitetit dhe misterit të romancës, njerëzit tentojnë që të tërhiqen nga njerëz që sipas tyre do t‘i përshtateshin në tërësi. Sytë që na magjepsin më shumë janë ata që na shohin. Në një farë mënyre, çiftet tentojnë të jenë homogjene, pra të lidhen me persona të të njëjtit nivel tërheqjeje, inteligjence, bekgraundi, apo fuqie ekonomike. Kur njerëzit dalin jashtë konvencionales ndodh që të tjerët t‘i shohin me mosbesim për zgjedhjet e bëra dhe ua venë në pikëpyetje motivet e vërteta të zgjedhjes. Një grua e re e bukur, për shembull, mund të vendosë që të mos kërkojë të çiftëzohet me një djalë të ri e tërheqës të së njëjtës sërë me të, por të vendosë që bukurinë e saj të shfrytëzojë për t‘u lidhur me një burrë në moshë shumë më të madhe, por që të jetë i pasur. Sigurisht që bëhen zgjedhje të tilla, por ato nuk janë natyrore. Sigurisht që mrekullohemi kur dëgjojmë, për shembull, që një grua pasanike martohet me një djalë të varfër por të mençur dhe të dy së bashku përbëjnë një çift të suksesshëm që jetojnë të lumtur, edhe shumë kohë pas martesës. Por zakonisht ne nuk i aprovojmë lidhjet që thyejnë rregullat e pashkruara të çiftëzimit dhe përdorin avantazhet e paraqitjes, apo seksualitetit të tyre për të arritur paratë e pushtetin.

Le të shohim tani tjetër aspekt. A është e mundur vallë që ato goditjet e rrufesë, ato godinat e larta të ndërtuara në shkëmbinjtë e dashurisë perfekte realizohen vetëm kur një person identifikon, apo kujton se identifikon te tjetri asgjë më pak a më shumë se një reflektim të vetvetes? A është e mundur vallë që tërheqja e magjishme, pavarësisht nëse zgjat, apo ndërpritet shpesh, t‘i ketë në fakt rrënjët e ngulura thellë në narcizizëm? Thuhet se së bashku me dridhjen e gjunjëve, me fluturat në kraharor, me marrjen e fymës, apo me dëshirën për të dëgjuar këngë dashurie ne kemi edhe një nxitje dhe plotësim të egos sonë. Pjesë e gëzimit të ekzistencës së personit tjetër në jetën tonë intime është pazgjidhshmërisht e lidhur me faktin se ata na bëjnë në radhë të parë të ndihemi mirë me veten. Sipas pjesës më të madhe të shkencëtarëve, partneri yt nuk është i përsosur për ty sepse ju të dy meritoni një shoqëri kaq të mrekullueshme, por sepse keni aroma që zgjojnë dhe eksitojnë hormonet tuaja. Sipas Frojdit, aftësia për të formuar lidhje të mira me seksin e kundërt varet shumë nga rritja e mirë dhe nga prindërit, ndërkohë që anasjelltas lidhjet e shkurtra vijnë si pasojë e marrëdhënieve të dështuara që vajzat kanë pasur me baballarët e tyre dhe djemtë me nënat. Ai ka sugjeruar edhe se pavarësisht se një shkallë narcizizmi është e pranishme te të gjithë njerëzit, është shumë e rëndësishme që t‘i japësh dashuri pa kushte tjetrit, pasi përndryshe narcizimi do të rritet e marrë përmasa të pakontrollueshme, derisa të bëhet shkatërrimtar. Jungu shkoi edhe më tutje duke sugjeruar se ajo që duket si "dashuri në vështrim të parë" s‘ishte gjë tjetër veçse një projektim.

Njerëzit shohin animusin e tyre mashkullor apo femëror te një person i seksit të kundërt dhe tërhiqen nga njëri-tjetri në mënyrë të pavetëdijshme, pasi janë forcat brenda tyre ato që veprojnë pa dijeninë e ndërgjegjes. Për Jungun ishte e rëndësishme që të kuptohej aspekti i psikikës njerëzore, në mënyrë që njerëzit të mos projektonin më por të mësonin të lidheshin me animusin e tjetrit. Vetëm kështu mund të zgjidhet dhe të krijohen marrëdhëniet e pjekura. Paaftësia për të individualizuar ishte për Jungun arsyeja se përse njerëzit e gjejnë veten në kurthin e të njëjtave romancave, duke zgjedhur gjithmonë të njëjtët lloj partnerësh abuzues apo të papërshtatshëm, që i çojnë lidhjet drejt obsesioneve, depresioneve dhe lotëve. Megjithatë, një analizë e tillë nuk është gjithmonë e mirëpritur dhe sipas disa të tjerëve njeriu duhet të punojë me veten dhe të studiojë arketipin e tij seksual. Një psikiatër anglez, jo i përmasave të Frojdit, apo Jungut, tha dikur se nëse njerëzit do të dinin të shkëputeshin nga obsesionet e ndërgjegjshme, apo të pandërgjegjshme, që i kanë rrënjët në fëmijërinë e largët, atëherë dhoma e tij e konsultave do të ishte gjithnjë bosh.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama