Të qënit i drejtpërdrejtë është karakteristika që spikat në karakterin e tenorit Josif Gjipali, ose si njihet në botën artistike Giuseppe Gipali. Sot 37 vjeçar, me një karrierë të padiskutueshme në skenën operistike botërore, ai cilësohet si një nga zërat lirikë më të mirë dhe angazhimet në teatrot më të mëdhenj të botës, me dirigjentët më të famshëm e dëshmojnë më së miri këtë. Historia e tij nuk i ngjan asaj të Hirushes, ajo është një histori talenti dhe vullneti të hekurt, e mbase pse jo dhe kokëfortësie, që duket se e ka trashëguar nga origjina e tij vlonjate. Pasi diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1999, Gjipali emërohet titullar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Gjatë punës në këtë teatër ai vë në skenë pak produksione, disa opera si Norma, Traviatta, Cosi Fan Tutte, Don Giovani.
Kjo periudhë nuk mund të quhet më e lumtura në karrierën e tij si këngëtar. i bindur për forcën e zërit të tij dhe talentin ai filloi të mos e ndjente veten mjaft komod në Operan e Tiranës. Periudha pas disa grevave të ndodhura në këtë teatër, mungesa e prodhimeve operistike dhe cilësisë, si dhe konfliktet më drejtuesit të TOB në atë kohë, e bënë të kthente kokën drejt mundësive më të mira. E ëndrra e çdo këngëtari është padyshim një karrierë ndërkombëtare dhe Josif Gjipali vendosi të nisej drejt Italisë. Në vitin 2002 fiton çmimin e parë me titull Tito Gobbi, një konkurs shumë i rëndësishëm në muzikën operistike.
Aty filluan menjëherë ofertat e para për djaloshin nga Shqipëria dhe njohja me menaxheren e tij të parë, e cila pa tek tenori shqiptar forcën dhe vlerat artistike për të interpretuar në teatrot më të mira të botës. Kështu nisi të bëhej realitet ëndrra e tij dhe produksioni i tij i parë e ngjit në një skenë prestigjioze si ajo e teatrit të Bolonjës dhe me në krah një dirigjent shumë të shquar, Daniele Gatti. Fati bëri që një prej tenorëve më të njohur në botë që ishtë menduar për këtë rol Ramon Vargas të sëmurej, dhe në listën e dirigjentit Gattit këngëtari që mund ta zëvendësonte atë ishte pikërisht tenori shqiptar, Josif Gjipali.
Por nëse dikush e kometon këtë si fat, nuk duhet të ngutet. Fati shkon me guximtarët. Nuk mund të jetë vetëm fat që në produksionet e tij të para në skenat botërore si Covent Garden, La Scala, Teatrin e Romës apo Mynihut, Ravena Festival etj, i ka bërë me dirigjentët më të famshëm si Rikardo Mutti, Zubin Mehta e të tjerë. Sigurisht pak “çalltisje” ala vlonjatëshe e kishte me vete, sepse në vitet e para të karrierës së tij vetëbesimi ishte në maximum si thotë dhe ai vetë.
“Më kujtohet se ngjitesha në skenë me një vetëbesim të jashtëzakonshëm, të çudishëm, -rrëfen Josifi. Fati im i madh, ishte që unë punova direkt me emrat më të mëdhenj të botës së operas, pra nëse do përdorja një shprehje për shaka, unë nuk kam bërë “gavetë” si normalisht bëjnë fillestarët. Që vitin e parë pata sukses dhe isha i bindur në maximum për aftësitë e mia. Sot gjërat kanë ndryshuar, unë vazhdoj të jem në formë shumë të mirë nga ana vokale, por profesionalisht kam arritur nivele të larta dhe publiku pret më shumë nga unë. Kur përballesh herët e para me skenën ti je një i ri i talentuar, që befason publikun me zërin dhe aftësitë e tua. Pastaj përgjegjësia vjen e rritet, në çdo rikthim në skenë publiku pret diçka më shumë nga ty në çdo interpretim”
Sigurisht, sepse Giussepse Gipali mund të konisderohet një këngëtar i “kalibrit të rëndë”. Pak kush në Shqipëri e di se Josif Gjipali në vitin 2003 ka ftuar konkursin më të rëndësishmëm të muzikës operistike në shkallë ndërkombëtare “Plaçido Domingo”. Ky konkurs i cili është fituar dikur edhe nga sopranoja e famshme Inva Mula, e ka renditur Gjipalin ndër artistët më të kërkuar nga teatrot botërorë. Zëri i tij i fuqishëm dhe i veçantë i ka dhënë mundësinë të shkëlqejë në opera si “Il Trovatore”, “Riggoletto” me rolin e Dukës, “Un ballo in maschera”, “Toska”, “Attila” e mjaft të tjera.
Këto role i ka interpretuar në teatrot më të rëndësishëm anembanë botës, në qytete si Milano, Paris, Zyrih, Pekin, Vienë, San Francisko, Barcelonë e nëse do të vazhdonim lista del vërtet shumë e gjatë. Por për tu përmendur ndoshta në këtë shkrim do të ishte një rivënie historike me rastin e 100 vjetorit të Operas “Toska” nga Franco Zeffirelli në Operan e Romës. Ky personalitet i njohur përzgjodhi Gjipalin si i vetmi këngëtar që sipas mendimit të tij mund ta interpretonte në nivelin e duhur artistik këtë vepër. Apo interpretimet me dirigjentin më të madh në botë Zubin Mehta në skenën e teatrit të Mynihut përkrah sopranos Ana Netrepku, sot më e famshmja në botë.
E ndërsa aktualisht është vendosur me familjen e tij në Tiranë, angazhimet artistike dhe kalendari i tij është i plotë deri në vitin 2014. Në muajt e parë të 2011 do të jetë në Barcelonë e Paris me operan Il Trovatore, më pas në Zyrih me Rigoletto, Vienë, Marsejë, Pekin, Palermo etj. Në Tiranë ndoshta së shpejti si thotë dhe ai vetë do të ketë një produksion të mundshëm me Teatrin e Operas dhe Baletit, me dëshirën për tu rikthyer edhe një herë në skenën ku nisi karrierën e tij si këngëtar.