Dalja e fundit në publik e Julian Assange ishte më 4 nëntor, në një konferencë në Zvicër. Pas kësaj date, ai ka qëndruar në Angli, në dy adresa të ndryshme, njëra prej tyre ndërtesa e “Frontline Club”, një vendtakim i gazetarëve britanikë dhe atyre ndërkombëtarë. Njeriu i fundit i cili ka takuar themeluesin e “Wikileaks”, përpara se ai të hynte në stacionin e policisë, ishte Vaughan Smith, themeluesi i “FrontLine Club”. Zotin Smith e takojmë në sallën qendrore të “FrontLine Club”, nga ku Assange, më 26 korrik, tregoi mekanizmin e lëshimit të dokumenteve sekrete për luftën në Irak dhe Afganistan. Në një intervistë ekskluzive për “Top Median”, ai tregon momentin e fundit të takimit me Assange, pse ai beson se akuzat seksuale nuk janë të vërteta, përfshi çështjen e ekstradimit në Amerikë.
A ishit i befasuar që zotit Assange nuk iu lejua liria me kusht?
U befasova shumë. Unë isha në të njëjtën makinë nga cila e çoi në rajonin e policisë. E rikujtoj momentin kur ai vendosi të hyjë në polici, kur më tha se ishte i bindur që do t’i lejohej liria me kusht. Kjo ishte një nga arsyet përse ai u vetëdorëzua. Nuk arrita ta kuptoj përse gjykatësi nuk e lejoi një gjë të tillë pas vetëdorëzimit.
Të martën, nëpërmjet një komunikate për mediat, ju thoni që Julian Assange ka përdorur ambientet e “FrontLine Club” për disa muaj. Pyetja ime është se a i ka shpenzuar ai orët e fundit të lirisë këtu në “FrontLine Club”?
Julian Assange e ka përdorur “FrontLine Club” si një bazë të tijën në Londër gjatë 4-5 muajve të fundit. Ai nuk ka qëndruar këtu gjatë gjithë kohës, pasi ka udhëtuar për në Suedi apo vende të tjera, por “FrontLine Club” ishte një vend qëndrimi i vazhdueshëm për të. Ai pagoi për dhomën ku qëndronte njësoj si në club-et e tjera. Unë isha shumë i interesuar të kisha këtu një njeri interesant të informuar. Edhe gazetarët anëtarë të club-it tonë e donin diçka të tillë. Unë i kam pyetur anëtarët tanë se çfarë mendonin, pasi disa e njihnin, të tjerë jo. Morëm një përgjigje pozitive nga të gjithë ata.
Cili është mendimi juaj ndaj akuzave seksuale të ngritura ndaj tij?
Unë nuk i besoj ato, por natyrisht tani kemi të bëjmë me procedura ligjore. Kam biseduar me pesë gazetarë, të cilët i kanë investiguar këto akuza. Çdonjëri prej tyre më ka pohuar se ato nuk qëndrojnë, sipas pikëpamjes së tyre. Janë shumë rrethana dyshuese rreth tyre. Fillimisht ai u akuzua dhe më pas ato u rrëzuan nga një prokuror, i cili tha se akuzat nuk qëndronin. Provat ishin të pamjaftueshme. Ai pyeti që mund të largohej nga Suedia, pasi qëndroi atje për 40 ditë. Ata kishin kohën e mjaftueshme për t’u marrë me këtë çështje. Kur u rikthye në Londër, papritur akuzat u ringritën. Besoj se njëfarë presioni është ushtruar. Këto që them janë bazuar në thëniet e gazetarëve me të cilët unë kam biseduar, që e kanë investiguar këtë çështje.
Zoti Smith, ju keni qenë në disa zona lufte, si Afganistani, Kova dhe vende të tjera nga ku e keni parë nga afër çfarë ndodh atje. Amerikanët thonë se publikimi i kabllogrameve do të shkaktojë pasiguri në jetën e njerëzve. Si një gazetar dhe një person që keni qenë në fushë betejë, çfarë mund të na thoni për këto pretendime?
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë unë jam i shqetësuar. Nuk besoj në një gjë të tillë. Është e vështirë të thuash se çfarë mund të ketë ndodhur pas këtyre publikimeve. Ne duhet të presim të paktën pesë vjet dhe të shikojmë. Duhet të kuptojmë. Nuk është “Wikileaks” që direkt po bën shpërndarjen. “Wikileaks” është duke bashkëpunuar me pesë gazetat më të mëdha në botë, të cilat janë duke bërë redaktimet e nevojshme, duke fshirë emrat. Është gabim të fokusohemi vetëm tek “Wikileaks” dhe duke harruar faktin që dokumentet po kalojnë nëpër kanalet mediatike. Unë jam shumë i qetë me këtë aspekt.
Cilat janë lajmet më të fundit nga burgu për Julian Assange, ku ai është duke kaluar ditën e katërt atje. A keni ndonjë informacion si ai po e përballon një situatë të tillë?
Nuk di shumë. Nga informacionet që kam, më është thënë se ai është ankuar për shërbimin e televizorit, pasi nuk ka shumë mundësi për të ndjekur lajmet. Ai është një njëri që lexon shumë dhe ka dëshirë të informohet më shumë. Ndoshta ai është bajatur me atë situatë.
A besoni se më 14 dhjetor, atij do t’i lejohet liria me kusht?
Shpresoj shumë. Për mua do të jetë një tronditje nëse nuk rifiton lirinë me kusht. Një prej shumë gjërave që më shqetëson është ajo që më është thënë nga avokatët e tij, të cilët e kanë të vështirë të takojnë dikë që është në burg. Ata kanë vetëm dy orë kohë për ta takuar dhe bashkëbiseduar, nga ku mund të ndërtojnë një strategji, një marrëdhënie me klientin që duhet për ta mbrojtur atë sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk është aspak një gjë e mire të jesh në të tilla pozita. Kjo është me të vërtetë për t’u shqetësuar.
Reagimi i shtetit amerikan ka qenë i menjëhershme, pasi ata janë të prekurit direkt nga kjo histori. Cili është komenti juaj për këto reagime?
Më ka shqetësuar reagimi i tyre. Më duket që SHBA po kërkon të hakmerret. Më duket jo e drejtë të shikosh e të hakmerresh vetëm me një njeri. Kjo është e pandalshme. Le të themi që ata do të ndalojnë Julian Assange. Dikush tjetër do ta bëjë këtë gjë. Pavarësisht se Julian Assange është në burg, publikimi i dokumenteve vazhdon. E gjitha kjo bën që Amerika të duket shumë keq. Ata po tregojnë fuqinë e tyre përballë një njeriu të vetëm. Nuk është me vlerë një diçka e tillë. E gjitha kjo është për internetin. Më mirë do të ishte që ata të merren me këto problem se sa të luftojnë në këtë mënyrë.
Është më se e qartë dëshira Amerikës për ta ekstraduar atje Julian Assange. Besoni se do t’ia arrijnë me sukses qëllimit?
Nuk e di nëse ndonjëherë ata do të arrijnë ta ekstradojnë. Mbase ata do të ndryshojnë ndonjë ligj, kjo nuk do të jetë e drejtë. Shumë njerëz do të mërziten nga një veprim i tillë. Që tani shumë njerëz në Angli janë të shqetësuar. Nëse ai shkon në burgjet amerikane, shumë e shumë njerëz do të mërziten. Kjo nuk do të jetë diçka e këndshme. Më mirë le të punohet se si në këtë botë moderne duhet të sillen me “WikiLeaks”, me internetin për të qeverisur me mënyra të reja dhe jo për të arrestuar një njeri, i cili quhet Julian Assange.