Ju rrefej stergjyshin tim Ismail Qemali sipas kujtimeve te familjes

'Ju rrefej stergjyshin tim Ismail Qemali sipas kujtimeve te familjes'
Darling Vlora është një prej stërnipave të Ismail Qemalit. Jeton në Itali dhe ka organizuar dy ekspozita fotografike për Ismail Qemalin, të parën në vitin 2009 në ambientet e shtëpisë së tij me rastin e 165 vjetorit të lindjes së Qemalit dhe të dytën në Parma në nëntor të 2010-ës në bashkëpunim me Shoqatën ‘Scanderbeg’.

“Ismail Qemal bej Vlora, është paraardhësi im. Gjyshi im, Qamil bej Vlora (babai i babait tim) ishte njëri nga djemtë e Ismail Qemalit. Pra, në vijë mashkullore, jam stërnip i tij...” – e prezanton Darlingu veten.

Ismail Qemali ka qenë në shërbim të Perandorisë Osmane për 50 vjet. Është  ndër liberalët e parë osmanë dhe në 1909 edhe themelues e Kryetar i Partisë Liberale. Angazhimi i tij në forcat reformatore të Perandorisë është më i hershëm sesa ai në Rilindjen Kombëtare. Ç’e shtynte Ismail Qemalin të ishte liberal: autonomia më e madhe për vilajetet shqiptare apo ndërgjegjja e tij si shtetar osman?

Kohët e fundit e kam ndeshur si një farë kritike faktin që Ismail Qemali i shërbeu Perandorisë Osmane. Ky këndvështrim, jo vetëm për mendimin tim, është krejtësisht i gabuar. Shërbimi i tij në Perandorinë Osmane përkon pikërisht në një kohë kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë ndaj ai nuk i shërbeu asaj por vendit të tij. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore Ismail Qemali u shqua si njeri me ide liberale dhe reformatore.

Ai hyri në administratë në moshën 16-vjeçare, kur kjo drejtohej nga burra të shquar e përparimtar si Mit'hat Pasha, Fuad Pasha e Ali Pasha. Megjithatë veprimtaria e tij duhet parë gjithmonë paralel dhe e lidhur ngushtë me përpjekjet e tij në dobi të Shqipërisë. Që në vitin 1864 atë e gjejmë në mbledhjet e organizuara në Stamboll për të formuar një shoqëri kulturore kombëtare për hapjen e shkollave shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ka qenë njeri largpamës. E ka deklaruar gjithmonë bindjen se me forcimin e Perandorisë i shërbente edhe vendit të tij. Ai bashkëpunoi me Mit'hat Pashën në hartimin e Kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876 dhe neni 108 i saj pranonte që «administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit». Një nga idetë e Mit'hat Pashës e sugjeruar nga Ismail Qemali, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Dhe këtu jemi dy vjet përpara Lidhjes së Prizrenit dhe gati 40 vjet përpara Pavarësisë.

Fatkeqësisht Mit'hat Pasha u arrestua; Kushtetuta mbeti e pazbatuar deri më 1908 dhe vetë Ismail Qemali u internua. Pasi u lejua të kthehej në Stamboll, duke parë qëndrimin e pandryshuar të Sulltanit, Ismail Qemali vendosi të largohej përfundimisht nga Turqia, veprim që e kreu më 1900, duke iu kushtuar më pas tërësisht çështjes kombëtare shqiptare. Në letrën që i drejtonte Sulltanit, nga bordi i anijes angleze që do ta nxirrte në Europë shkruante: «Krimi im ndaj atdheut është dashuria ndaj tij».

Sami Frashëri ose Shemshedin Sami, konsiderohet nga historiografitë shqiptare e turke si nja nga themeluesit e nacionalizmave të këtyre dy kombeve. Si shihet Ismail Qemali nga historiografia turke?


Siç del edhe vetë në pyetjen tuaj, pjesa më e madhe (për mos thënë gati të gjithë) e rilindësve tanë, kush më shumë e kush më pak, shërbyen në administratën shtetërore turke por pa e harruar vendlindjen e tyre. Ashtu si edhe Sami Frashëri, i cili me punën e tij i shërbeu dijes dhe kulturës së mbarë kombësive që jetonin në Perandorinë Osmane, edhe Ismail Qemali, kudo që shërbeu, u dallua si mbështetës i dijes dhe përparimit.

Akoma edhe sot, nëpër vendet ku ai mbuloi postin e guvernatorit, kujtohet me respekt për veprat e tij, në hapjen e shkollave, kundër diskriminimit racor e fetar, etj. Po ashtu ai kujtohet me respekt si një figurë liberale, ndër të parët liberal të Perandorisë. Së fundi «Kujtimet» e tij janë botuar edhe në gjuhën turke, përveç një punimi me disa fjalime të tij në Parlament që është botuar shumë vite më parë.

Në dallim nga figura të tjera, Ismail Qemali duket shumë aktiv në Rilindjen Kombëtare vetëm në vitet që paraprijnë Revolucionin e Xhonturqve. Si mund të shpjegohet kjo “vonesë”?


E drejtë. Duket sikur është aktiv në lëvizjen kombëtare më tepër në prag të Revolucionit, por nuk është ashtu. Gjithë veprimtaria e Ismail Qemalit është e lidhur ngushtë me origjinën e tij, me atdhedashurinë, me historinë e vendit dhe familjes së tij. Ishin këto faktorë që, bashkë me inteligjencën dhe përgatitjen e tij të rrallë, krijuan burrin e shtetit liberal i cili, ashtu siç e ka deklaruar gjithmonë, kërkonte që nëpërmjet forcimit të Perandorisë t'i shërbente gjithë kombësive që bënin pjesë në të, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pra ai dilte përtej përmasave kombëtare. Por, nëse kemi një "ritardo" të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare të para 1900-ës nuk duhet të harrojmë edhe faktin se ai ishte i internuar për 7 vjet rresht (1877-1884) dhe më pas, ashtu siç ka qenë edhe mendimi i historianëve si Luarasi, Xoxi, Naska, etj, ai u mbajt nga Sulltani qëllimisht larg Stambollit, pikërisht për të qenë larg veprimtarive kombëtare.

Në ekspozitën e fundit që ke organizuar në Parma mbi Ismail Qemalin, në bashkëpunim me Shoqatën Scanderbeg, më bëri përshtypjen një foto e 1908-ës, kur Qemali kthehet në Shqipëri e zgjidhet deputet në Parlamentin Osman. Karroca e tij mbahet në krahë nga vlonjatët nga moli në qendër të qytetit. E donin kaq shumë në Vlorë?

Ismail Qemali kishte lindur në Vlorë. Familja e tij drejtonte Sanxhakun e Vlorës që nga viti 1480. Pavarësisht se ai ishte larguar i ri nga Vlora asnjëherë nuk i kishte ndërprerë lidhjet me vendlindjen. Të gjithë shqiptarët që shkonin në Stamboll gjenin gjithmonë mbështetjen e tij.

Ai konsiderohej si përfaqësuesi më i shquar i familjes Vlora. Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës populli i Vlorës, me anë të një telegrami, iu lut të kthehej në vendlindje. Ardhja e tij u kthye në një manifestim popullor. Një delegacion prej 39 vetave kishin shkuar ta prisnin në Korfuz. Në skelë kishte dalë ta priste gjithë populli i Vlorës. U mbajtën fjalime të ndryshme patriotike në nderim të tij; u zbrazën të shtëna topi, si në skelë ashtu edhe në qytet. Për të shprehur dashurinë dhe respektin e madh, karrocës së Ismail Qemalit ia hoqën kuajt dhe e morën në krahë përgjatë gjithë rrugës prej afro 2 km, deri në qendër të qytetit.

Shqiptarët e fituan pavarësinë? Apo kjo ishte rezultat i politikës së ‘800-ës e cila bazohej në ekuilibrin midis fuqive të mëdha dhe kompensimin e fituesve?

Për mendimin tim, njëkohësisht bazuar edhe në «Kujtimet» e Ismail Qemalit dhe vlorajve të tjerë, shqiptarët e fituan dhe merituan krejtësisht Pavarësinë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i luftërave shekullore të popullit tonë. Ata që hera herës e paraqesin Pavarësinë si një «dhuratë» të politikës evropiane apo një zgjidhje të saj, nuk bëjnë gjë tjetër veçse denigrojnë veprën dhe sakrificat e patriotëve tanë dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve për pavarësi.

Sigurisht gjatë Luftës I-rë Ballkanike, kur shqiptarët Shpallën Pavarësinë, ekzistonin kontradikta midis Fuqive të Mëdha të kohës të cilat, për të ruajtur ekuilibrin e tyre menduan jo të krijojnë por të mbështesin Pavarësinë e Shqipërisë. Pra këtu është një diferencë e madhe.

Ismail Qemali, gjatë lëvizjeve të tij në kryeqytetet europiane (tetor-nëntor 1912) në mbrojtje të çështjes kombëtare, arriti t'i bindë Fuqitë e Mëdha të mbështesnin aksionin e shqiptarëve dhe përfitimi që ai nxori nga kontradiktat dhe interesat e Fuqive duhet konsideruar padyshim si një arritje gjeniale. Pra a s'është edhe kjo një fitore më vete?

Ismail Qemali udhëtonte shpesh në Itali. Që në fillim të 1900-ës, disa të përditshme italiane i dedikonin faqen e parë. Pse vallë? Cilat ishin lidhjet e tij me Italinë?

Pavarësisht se lidhjet dhe miqësitë më të forta ai i kishte me burrat e shtetit anglez, për sa i përket të ardhmes së Shqipërisë ai kërkoi që të gjente mbështetjen kryesore tek Italia. Deri në fund të jetës Ismail Qemali shpresoj tek ndihma e sinqertë italiane dhe bëri të pamundurën që të tërhiqte vëmendjen si të qeverisë ashtu edhe të industrialistëve italianë për të bashkëpunuar me Shqipërinë.

Udhëtonte shpesh në Itali, shpeshherë duke qëndruar gjatë nëpër qytetet italiane si Roma, Milano, Napoli, San Remo, etj. dhe kishte krijuar lidhje personale me mjaft personalitete italiane të kohës, midis të cilëve Markezin San Giuliano i cili më pas, pikërisht në prag dhe gjatë viteve të para të pavarësisë, ishte Ministër i Jashtëm i Italisë. Idetë e Ismail Qemalit, si në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë si në lidhje me raportet italo-shqiptare, dalin qartë në intervista të ndryshme që ai ka lëshuar në shtypin italian, shumë herë publikuar nga periodikë prestigjiozë dhe në faqet e para të tyre, siç ju e kini vënë re.

Italia është edhe vendi ku Ismail Qemali vdiq në 24 janar 1919, siç thuhet “në rrethana jo të qarta”. Pse gjendej në atë periudhë aty?

Ishte aty sepse në përfundim të Luftës I-rë Botërore çështja e kufijve të Shqipërisë sigurisht do të shqyrtohej përsëri. Interesat e Italisë kishin qenë dhe ishin akoma të mëdha në lidhje me çështjen shqiptare ndaj, për të bashkërenduar veprimet qeveria italiane e ftoi Ismail Qemalin në Romë. Në atë kohë ai ndodhej në Spanjë. Udhëtonte sepse ishte zgjedhur nga shqiptarët e Amerikës si përfaqësues i tyre në Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare. Më 23 janar 1919 ndërsa priste në Peruxhia pësoi një hemorragji cerebrale dhe megjithë kurimet e mundshme vdiq më 24 janar.

Është folur edhe se mund të ketë pasur një komplot kundër tij...

Saktësisht Ismail Qemali erdhi në Itali, nga Genova, më 9 dhjetor 1918 dhe mbylli jetën pikërisht në qytetin e Peruxhias, më 24 janar 1919.

Ka patur mendime të ndryshme mbi vdekjen e tij, e cila përkoi në një moment mjaft delikat për çështjen kombëtare dhe kur ndihma që pritej prej tij ishte e mjaft e rëndësishme. Sigurisht, si përfaqësues i çështjes kombëtare ai kishte edhe armiq, armiq të betuar të Shqipërisë. Ekziston mundësia që të ketë patur edhe një komplot ndaj tij pikërisht nga këto qarqe antikombëtare.

Ke qenë i pari që ka bërë një ekspozitë fotografike për Ismail Qemalin si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Bile të parën e ekspozove në ambientet e shtëpisë tënde në Sirtori. Duket sikur kujtesa historike e një burri shteti si Ismail Qemali në Shqipëri konsiderohet çështje familjare....

Unë nuk mendoj që "kujtesa historike" e një burri shteti, e aq më tepër e Ismail Qemalit, të mbetet apo kthehet një çështje familjare. Padyshim që është detyra e historianëve të shkruajnë historinë e vendit dhe figurave kombëtare dhe, në këtë rast, detyrë e familjarëve për t'i ndihmuar ata.

Por, kur historianët bëjnë politikë, shkruajnë historinë në shërbim të saj ose heshtin (dhe ky fenomen fatkeqësisht ka ndodhur, ndodh dhe ka për të ndodhur) atëherë detyra e trashëgimtarëve është që ta tregojnë ata historinë e paraardhësve të tyre. Në këtë rast unë kam dhënë kontributin tim, aq sa kam mundur dhe do përpiqem ta jap edhe më pas.

Fati i varrezës familjare të Vlorajve

Që nga viti 1500, kur pranë kalasë së Kaninës u varros Sinan Pasha, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, njohur edhe si themeluesi i Familjes Vlora, edhe pjesëtarët e tjerë të familjes u varrosën gjithmonë aty duke u kthyer pak nga pak në një varrezë madhështore familjare. Në të, midis shumë familjarëve të shquar, ishte edhe varri i një tjetër Veziri të Madh të Perandorisë, Ferid Pasha Vlora. Varreza u shkatërrua pas vitit 1945. Sot veç vendvarrimit të Sinan Pashait, nuk ka mbetur asgjë dhe ajo madhështi ekziston vetëm nëpër foto.

Ç’kanë thënë firmëtarët e Aktit të Pavarësisë për Ismail Qemalin

1 - Dhimitër Zografi, një ndër delegatët e Kuvendit të Vlorës, i cili e shoqëroi Ismail Qemalin nga Trieste deri në Vlorë: “Ç’ka bërë Ismail Qemali për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që i di dhe i pa veprat e tij”.

2 - Qazim Kokoshi, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë, më 12 shkurt 1919, përpara trupit pa jetë të Ismail Qemalit, Babait të Kombit, siç e quante ai, do i drejtohej popullit të pranishëm: “Juve që ishit në vitin 1912, o atdhetarë të dashur, juve jini edhe sot, më 28 të vjeshtës së tretë t'atij viti patë, bëtë dhe gëzuatë, patë luftën ballkanike me rrezik për ju, bëtë përpjekje të shpëtoni tokën t'uaj dhe u gëzuatë me fitimin e plotësimin e idealit. Ju, pra, jeni një histori e gjallë e Shqipërisë së re, por krijonjësi dhe heroji i parë i kësaj historie është Ismail Qemali”.

3 - Ferit Vokopola, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë do shkruante në 100-vjetorin e lindjes së Ismail Qemalit: “Ismail Qemali, si biri i vetëm i Shqipërisë, rrëmbeu Flamurin, dolli në ballkon dhe e ngriti me dorën e vet, duke iu drejtuar popullit me fjalën e madhe patriotike, me të cilën i bëri të dijtur Shqipërisë dhe Botës mbarë se në këtë çast vendimtar, nën rradhët e Mbretërive të Mëdha e të vogla shtohej dhe një shtet i ri, që populli i vetë ishte një nga trashëgimtarët më të vjetër të Ballkanit. Atë unë e njoha dhe e pashë nër këto çaste vendimtare shumë më të ndryshuar se herë të tjera... Ishte më parë një Yll e tani një Diell i botës shqiptare; ishte më parë një Luftëtar i Lirisë, një shërbëtor besnik i Kombit e tani një shpëtimtarë i Popullit”.

Si e përshkruanin gazetat italiane Ismail Qemalin

Ka artikuj të shumtë të shkruar në vite të ndryshme. Për shembull, menjëherë pas pavarësisë së Shqipërisë, e përditshmja “La Stampa” në faqe të dytë shkruan kështu:

“Në pritje të ngjarjeve që pashmangshmërisht do të ndjekin shpalljen e pavarësisë shqiptare, kurioziteti përqendrohet tek njeriu që është vënë në krye të lëvizjes që arriti qëllimin e saj, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemalin. Qemali nuk është i panjohur në Europë e sidomos në Itali. Dashurinë për vendlindjen e tij e pagoi me persekutimet nga ana e Abdul Hamitit dhe më pas me internimin. Revolucioni i Xhonturqve e nxorri nga vendqëndrimi i tij në Paris. Ai besoi në një shndërrim të Turqisë në një Konfederatë kombësish me të drejta të barabarta si Zvicra apo Austria. Historia e tre viteve te fundit, i dha te drejtë Ismail Qemalit. Por, para se të vërehej shpërbërja e Turqisë, duke parashikuar fatin e rrezikuar të vendit të tij, vrapoi ne Romë e Vienë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, më pas shkoi në Durrës e Vlorë, ku Kuvendi i shqiptarëve e zgjodhi Kryetar të Qeverisë së Përkohshme.

Ismail Qemali është një plak simpatik, i gjatë, i kuq në fytyrë, me sy të çelët e të gjallë e me mjekër të bardhë. Figurë e shquar, vishet alla europiançe, kryesisht me një “redingote” të pakapshme. Mendje e ndritur, flet rrjedhshëm 5 gjuhë, kupton italisht por e flet me pak vështirësi. Është i informuar për çështjet ndërkombëtare dhe njeh personalisht politikanët europianë kryesore”.

Pavarësia e shqiptarëve ishte edhe në interes të vetë Europës. Në 2 prill 1913, në një artikull të gjatë në faqe të parë të prestigjozes «Il giornale d'Italia», gazetari italian Benedetti shkruan: “Kauza e paqes i detyrohet shumë këtij njeriu që pati detyrën historike më të vështirë në betejat diplomatike më të cilën iu desh të përballej. Do kish qenë më e lehtë për të, të zhbënte Europën”. 

16 vjeç

ka qenë Ismail Qemali kur hyri fillimisht në administratën osmane. Ishte koha kur kjo drejtohej nga Mit'hat Pasha, Fuad Pasha e Ali Pasha, të cilët historiografia i rendit si qeveritarë liberalë

1876

Ishte viti kur Mit'hat Pasha në hartimin e Kushtetutës së parë osmane futi nenin 108 sipas të cilit «administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit». Një nga idetë e Mit'hat Pashës e sugjeruar nga Ismail Qemali, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Dhe këtu jemi dy vjet përpara Lidhjes së Prizrenit dhe gati 40 vjet përpara Pavarësisë.

“Anija e Ismail Qemalit”  në një monedhë austriake

Anija e Lloyd-it austriak ‘Brünn’, që shoqëroi Ismail Qemalin dhe 14 patriotët e tjerë, nga Trieste në Durrës, për të shpallur Pavarësinë, është vënë në një monedhë argjendi austriake. Ajo është stampuar në vitin 2006 ekzaktësisht më 7 qershor. Vlera e saj është 20 euro, me diametër 34,00 mm dhe peshë 20.00 g. Mësohet se ka në treg 50 mijë të tilla. Nga njëra anë e monedhës është pikërisht “anija e Ismail Qemalit” (për austriakët ajo është një prej anijeve më të rëndësishëm të marinës së tyre tregtare), ndërsa nga ana tjetër shihet një pamje e portit të Triestes. Për sa i përket udhëtimit të Ismail Qemalit dhe 14 patriotëve, që e shoqëruan nga Trieste (atëherë port i Perandorisë Austro-Hungareze) deri në Durrës, është folur shumë pak apo më saktë, është përmendur vetëm fakti se ai erdhi në Durrës nga Trieste. Aty këtu, nëpër kujtime apo edhe studime të mëvonshme, është përmendur se anija që shoqëroi Ismail Qemalin në Durrës ishte e shoqërisë së lundrimit të Lloyd-it Austriak.

Renzo Falaschi, shkruan se Ismail Qemali hipi në anijen ‘Brünn’, e cila e shoqëroi në Durrës, duke bërë një ndalesë jashtë programi, ndërsa Safa Vlora shkruan se ‘Vjena i vuri Ismail beut në dispozicion një anije lufte për ta çuar në Shqipëri që të mos pengohej nga bllokada greke’.

Si qëndron e vërteta e këtij udhëtimi? Darling Vlora na thotë se në ndihmë na vjen shtypi europian i kohës: ‘Le Temps’, ‘Le Figaro’, ‘La Croix’ dhe ‘L’Ouest-Eclair’. Sipas tyre, më 18 nëntor 1912 Ismail Qemali u nis nga Budapesti dhe mëngjesin e 19 nëntorit arriti në Trieste. Pas një ndalese të shkurtër, në ‘Excelsior Palace-Hotel’, në orën 14:00, shoqëruar nga 14 patriotë, midis të cilëve: i biri i tij Qazim Vlora, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale, Dhimitër Berati, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Spiridon Ilo, etj, u nis nga Trieste për në Durrës. Në bordin e ‘Brünn’, u përhap menjëherë fjala se midis pasagjerëve ndodhej “princi shqiptar Ismail Qemali” me shoqërues.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama