Ju shkruan Rruga e Elbasanit...

Ju shkruan 'Rruga e Elbasanit'...
Kemi lënë pas një javë të çmendur diplomatike. Pa asnjë dyshim, të pangjashme me asnjë javë tjetër paraardhëse. Mendjet më autoritare të planetit pyesin me të drejtë nëse bota do të jetë më e njëjta pas stuhisë perfekte të 250 mesazheve elektronike sekrete të ambasadave amerikane në botë, që ka publikuar Wikileaks. Skena diplomatike është futur në krizë, marrëdhëniet mes shteteve duket se kanë pësuar një lëkundje të thellë, ndërsa diplomacia e shtetit më të fuqishëm të globit “lëpin” plagët e një incidenti që e ka goditur mjaft rëndë. Edhe një herë sistemi amerikan i sigurisë ka zbuluar se është i dobët, e kjo e ekspozon keq Amerikën në sytë e pjesës tjetër të botës.

Në një javë mesazhe, që publikohen valë-valë, kemi mësuar idetë e vërteta të Uashingtonit, thuajse për të gjitha temat e imagjinueshme të politikës ndërkombëtare. Irani, Korea, Lindja e Mesme, Kina, Rusia dhe Europa, janë që të gjitha subjekt i një mozaiku të madh emailesh, të cilat plotësojnë dora-dorës qëndrimin global amerikan për punët e planetit. Kemi mësuar gjithashtu tërthorazi edhe atë që thuhet në mesazhet që ambasadat amerikane në rajon shkruajnë për ngjarje e probleme që prekin Shqipërinë dhe shqiptarët.

Materiale gjithnjë e më të hollësishme po dalin lidhur me ngjarjet e vitit 1997, me Marrëveshjen Detare me Greqinë, me luftën në Kosovë, me rolin e elementit grek brenda Kishës Autoqefale Shqiptare, hyrjen e vendit tonë në NATO dhe ardhjen e ujgurëve kinezë të Guantanamos. Ajo që po zbulohet gradualisht deri tani, po konfirmon përputhjen mes qëndrimit konkret të diplomatëve amerikanë dhe shumë sinjaleve deri dje të tërthorta që vinin nga Ushingtoni për temat në fjalë.

Ndërkaq revista MAPO është munduar të “lexojë” në listat ende të pahapura të mesazheve të ambasadës amerikane. E kemi bërë këtë duke analizuar tabulatin e 452 mesazheve të ambasadës, të cilat megjithëse për momentin nuk janë bërë të klikueshme nga Wikileaks (pra nuk hapen), ofrojnë elemente për të kuptuar se ku ka konsistuar në linja të përgjithshme korrespondenca mes “Rrugës së Elbasanit” (adresa e ambasadës amerikanë në Tiranë) dhe Departamentit të Shtetit në Uashington. Për të kuptuar më mirë brendinë e mesazheve, kemi zbërthyer simbolet në krah të secilit prej tyre (tabela bashkëngjitur jep domethënien e këtyre simboleve), çka zbërthen indirekt tematikën e vetë mesazheve.

Nga kjo këqyrje e hollësishme e kësaj liste të gjatë vërehen këto elemente kryesore:

1. Në morinë e 452 emaileve, dy prej tyre mbajnë datat 31 dhjetor 1997 dhe 8 gusht 1997. Mesazhi i 31 dhjetorit 1997 ka anash siglat PINR, PGOV, PARM, AL. pra, sipas zbërthimit të këtyre simboleve, përmban çeshtje të sgërbimeve sekrete (PINR), të kontrollit të armëve bërthamore (PARM) dhe çeshtje të brendshme të qeverisjes (PGOV). AL është simboli i Shqipërisë. Mesazhi i 8 gushtit 1997 ka anash siglat PGOV, PINR, AL. Pra trajton probleme të shërbimeve dhe të qeverisjes.

2. 450 emailet e mbetura fillojnë të gjitha pas vitit 2006. më saktë, në 20 mars 2006.

3. Siç e ka botuar edhe gazeta Mapo gjatë javës, vihet re një dendësi e dukshme mesazhesh gjatë tre ngjarjeve kyçe që shtrihen në harkun kohor 1997-2010: shpërthimi i Gërdecit, hyrja në NATO dhe zgjedhjet e 29 qershorit 2009. Datat e nisjes së mesazheve janë veçanërisht të ngjeshura gjatë dhe pas këtyre evenimenteve.

4. Në listën prej 452 mesazhesh, numrin më të madh e përbëjnë ato me siglat PGOV, PREL dhe PHUM. Përkatësisht “çeshtje të brendshme të qeverisjes”, “marrëdhënie të jashtme politike” dhe “të drejtat e njeriut”. Me siglën PGOV janë dërguar 301 emaile, me siglën PREL janë dërguar 251 emaile dhe me siglën PHUM 134 emaile.

5. Përveç këtyre tre temave, në listë ka gjithashtu edhe mesazhe që trajtojnë vizita liderësh të huaj (tre emaile), mospërhapje të armëve bërthamore (50 emaile), siguria (14 emaile), shërbimet sekrete (32 emaile), marrëveshje ushtarake dhe të mbrojtjes (20 emaile), shitje dhe asistencë ushtarake (26 emaile) etj.

Kjo ndarje tematike e mesazheve i përkon normalisht punës së një ambasade të madhe siç është ajo amerikane, në një vend jostabël dhe që ndodhet në një rajon me probleme, siç është Shqipëria. Duke parë tematikën e emaileve, nuk është e vështirë të përceptosh se problemet e qeverisjes së brendshme, të politikës së jashtme dhe të të drejtave të njeriut, i korespondojnë në praktikë angazhimeve konkrete që diplomatët amerikanë kanë pasur në jetën publike në Shqipëri gjatë gjithë tranzicionit.

Kjo gamë çeshtjesh është në fakt puna e përditshme e një ambasade e cila nga shumë anë, siç po shohim edhe në skandalin Wikileaks, ka statusin e një arbitri në punët e vendit ku akreditohet.

Brenda 452 emaileve përkohësisht të kyçura që janë nisur nga Tirana drejt Uashingtonit, mund të gjenden mjaftueshëm informacione, qëndrime, përshkrime dhe analiza, sa për t’i hedhur edhe një kovë tjetër me benzinë zjarrit politik që mbahet ndezur në vend nga dy partitë e mëdha. Duke kujtuar marrëdhëniet që disa prej ambasadorëve amerikanë, sidomos Xhon Uithers, kanë pasur me qeverinë aktuale, mundësia që kjo listë emailesh të jetë eksplozive është relativisht e madhe. Tjetër gjë është më pas, nëse tërësia e fakteve dhe detajeve që do të publikohen, do të krijojë ose jo një impakt të madh në jetën tonë politike. Mundësia më e madhe, në mjedisin folklorik ku noton politika shqiptare, është që historia e mesazheve të Wikileaks për Shqipërinë dhe shqiptarët, të kthehen pjesërisht në një histori batutash, e jo në një proces reflektimi për dimensionin real të ideve amerikane që ato përmbajnë.

Ambasadori i ri amerikan Aleksandër Arvizu, vendos këmbën në tokën shqiptare në mesin e një furtune të paralajmëruar. Ende jo faktike, pasi provat e shkruara janë ende të tërthorta kur bëhet fjalë për vendin tonë. Gjithsesi këto 452 mesazhe elektronike dhe disa herë më shumë të tjera që po filtrojnë nga përfaqësi të tjera amerikane në rajon e kontinent, ku flitet për Shqipërinë, parashikohet të krijojnë gradualisht një situatë paralele në jetën tonë politike, që me shumë gjasë do ta ushqejë edhe më tej konfliktin e ndezur që ka pasur në qendër zgjedhjet, korrupsionin dhe përgjithësisht funksionimin e shtetit. Në kontaktin e parë me mediat, ai e përmendi ndoshta jo rastësisht paraardhësin e tij Uithers, trashëgimia shkresore e të cilit mund të shkaktojë një tërmet të vogël politik në Tiranë. Gjithsesi titullari i ri amerikan personalisht mund t’i takojë më i lehtësuar se shumë kolegë të tij nëpër botë, ofiqarët e shtetit e politikës shqiptare, pasi nuk ka lënë ende rekorde të shkruara për ta. Çka s’do të thotë se shumë shpejt nuk do ta bëjë këtë. Përkundrazi. Por do të duhet një tjetër furtunë kibernetike si kjo e Wikileaks, që ne të shohim jashtë dritares 1997-2010 ku pritet të na fusin mesazhet e ditëve të fundit.



Jeta sekrete e Julian Assange

Djali i një familje që merrej me biznesin e teatrit në Australi, Julian Assange është rritur duke u endur nga njëri vend në tjetrin.

Tashmë, në moshën 39 vjeçare, sërish e sheh veten duke u endur, i kërkuar nga Suedia si i dyshuar për krime seksuale dhe nga mbarë bota për publikimin e mijëra dokumentave me përmbajtje sekrete në faqen e tij të internetit, Wikileaks.

Nëse ia ka dalë mbanë të krijojë një lloj mbrojtje rreth vetes, kjo ndoshta vjen edhe prej faktit se që në fëmijëri ka mësuar të përballet me vetminë ashtu si edhe ka kuptuar ekzistencën e sistemit, që e tejkalon jetën e njeriut dhe të atij vetë.

Assange është përshkruar nga e ëma e tij, Christine, si “tepër inteligjent”. Ai ishte vetëm 13 vjeç kur ajo i bleu një kompjuter “Commodore 64”. Ishte viti 1987 dhe interneti ende nuk ekzistonte. Assange i vendosi një modem kompjuterit të tij dhe filloi udhëtimin në botën në zgjerim të rrjeteve kompjuterike.

“Është si shahu,” i pati thënë ai revistës “The New Yorker”. “Shahu është ashpërsisht strikt, pa shumë rregulla, nuk ka rastësi dhe kjo e bën problemin të vështirë”. Edhe pse e ëma e rriti pa ndonjë influencë të veçantë fetare, ajo pati kuptuar që në moshë të njomë, se djali i saj udhëhiqej nga një dëshirë e fortë për të bërë atë që e gjykonte si të drejtë. “Ai ishte një djalë shumë i dashur, shumë i ndjeshëm, i trajtonte mirë kafshët, i qetë dhe me një sens humori të hollë,” i pati thënë ajo të mërkurën gazetës së Melburnit, “Herald Sun”.

Ai vazhdoi studimet për matematikë dhe fizikë në Universitetin e Melburnit. Nëpër intervista që ka dhënë, të bie në sy rigoroziteti i tij shkencor.

Me një zë bariton, me ritm të kontrolluar, ai zgjedh çdo fjalë me kujdes. Ai mund të duket sa sharmant aq edhe i kujdesshëm për jetën e tij private dhe rrallë tregon shenja emocioni madje edhe atëherë kur flitet me nota ngacmuese për Wikileaks.

Ai thotë për vete se është i aftë të thyejë edhe sistemet më të komplikuara kompjuterike. Por nga ana tjetër mund edhe të harrojë të shfaqet në takim për një intervistë apo edhe ta anullojë në minutën e fundit. Kur ai flet, shfaqet si një njeri me gamë të gjerë interesi: nga kompjuterat, në letërsi dhe deri tek udhëtimet e tij në Afrikë. Edhe kur u largua nga një intervistë e CNN në tetor duke refuzuar të përgjigjej për paditë seksuale të bëra ndaj tij në Suedi, Assange u duk i qetë dhe i vetëpërmbajtur.

Ai ka arritur të krijojë një model sjellje ngacmues, e ndihmuar kjo edhe nga bollëku i flokëve gri, të cilat i erdhën shumë shpejt, si edhe një shprehje fytyre prej njeriu të bindur në qëndrimet e tij.

Pas inkursionit të tij fillestar në botën e kompjuterave, Assange filloi të eksperimentojë në kriptimin e kompjuterave dhe e rriti së tepërmi kuriozitetin ndaj sigurisë së tyre. Ai tregoi një herë një histori sesi arriti të krijonte një kriptogram kompjuterik të bazuar në manipulimin e numrave primarë.

Artikulli i “New Yorker”, i publikur në fillim të këtij viti, tregonte sesi në vitin 1991, Assange kishte arritur të thyente sigurinë e terminalit qendror në kompanisë së telekomit Nortel, ndodhi pas së cilës ai zhvilloi një frikë në rritje ndaj arrestit.

Ai u martua dhe pati një djalë kur ishte vetëm 18 vjeç por marrëdhënia mori fund shumë shpejt dhe bashkëshortja e tij e la bashkë me djalin e vogël.

Sipas revistës “New Yorker”, ai u shpall fajtor për 31 thyerje të sistemit në Australi por në fund ia doli duke paguar vetëm një shumë të vogël për dëmet e shkaktuara.

Hackeri i ri filloi kështu të fokusonte vëmendjen e tij larg thyerjes së sigurisë së rrjeteve, në drejtim të asaj që ai i konsideronte “veprimtaritë ilegale të qeverisë”

Në vitin 2007 në një postim në një blog, IQ.org, ai shkruante:

“I gjithë universi apo struktura që e përbën atë është një kundërshtar i denjë dhe sado që mundohem, nuk arrij t’i shpëtoj zërit të vuajtjes. Ndoshta, kur të plakem, unë do të rehatohem duke punuar në një laborator dhe do të flas me studentët në netët e verës duke pranuar kështu vuajtjen. Por jo tani: njeriu duhet të veprojë sipas bindjeve të arsyes së tij”

IQ.org mendohet të jetë një blog i krijuar nga vetë Assange dhe është i regjistruar nën emrin “JA” nga e njëjta kompani amerikane e domain si faqja tjetër, Wikileaks. Adresa e saj postare në Australia është e njëjta si adresa e dërgesave për Wikileaks.

Përpos temave të pafundme të adresuara në këtë blog, Assange diskuton tema si matematika përballë filozofisë, vdekjen e autorit Kurt Vonnegut, censurën në Iran dhe koorporatat si një formë e re e shtetit.

I frymëzuar nga bindja e të qënit një aktivist dhe kurioziteti i një gazetari, Assange krijoi Wikileaks në vitin 2006. Ai flinte shumë pak dhe harronte të ushqehej. Ai punësoi një staf dhe vuri theksin tek ndihma e vullnetarëve.

Gjithmonë, ai i mbronte burimet e tij, asnjhërë nuk diskutonte se nga vinte informacioni. “Njerëzit duhet të kuptojnë se Wikileaks ka vërtetuar që është burimi i ri më i sigurt që ekziston, pasi ne publikojmë materiale që vijnë nga burime primare dhe analiza të bazuara tek këto burime,” pati thënë Assange për CNN. “Të tjera organizata, me disa përjashtime, nuk do i botonin këto materiale”.

Faqja pati një rritje meteorike në korrik kur publikoi 90 mijë materiale sekrete, dokumenta të ushtrisë amerikane gjatë luftës në Afganistan. Kjo u konsiderua rrjedhja më e madhe e materialeve të inteligjencës në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Wikileaks vazhdoi me pjesën e dytë në muajin tetor, këtë herë më dokumenta sekrete të ushtrisë amerikane për luftën në Irak. Dhe sërish gjatë javës së fundit, filloi të postojë dokumentat e para të 250 mijë kabllove, duke zbuluar anën e errët të informacioneve diplomatike.

Disa e përgëzuan Wikileaks si një tribunë të fjalës së lirë. Por të tjerë, përfshirë edhe zyrtarët e irrituar të Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë, e quajtën të papërgjegjshëm këtë veprim dhe kërkuan që Wikileaks të ndalonte atë që ata e quajtën një dëm i pariparueshëm i sigurisë botërore.
Assange, imazhi enigmatik i faqes Wikileaks u katapultua kështu në statusin e personit publik. Imazhi i njeriut me flokë të thinjur, me fytyrë të bardhë, me xhaketë lëkure u përhap menjëherë në televizione dhe internet. Të gjithë donin të dinin sesi kryeredaktori i Wikileaks ia kishte arritur të gjente informacionet.

Revista “Time” e ka nominuar atë për çmimin “Personaliteti i Vitit”, duke e quajtuar atë një lloj të ri ‘zhurmuesi’ për epokën dixhitale.

Por reputacioni i keq i Assange nuk merr fund me kaq. Shumë shpejt pas publikimit të materialeve të luftës në Afganistan, ai u vendos në qendër të një padie seksuale që vinte nga Suedia. Gjykata Kriminale e Stokholmit lëshoi një urdhër arrest ndërkombëtar për Assange dy javë më parë, ku pretendon se ai dyshohet për përdhunim, abuzim seksual dhe përdorim dhune në muajin gusht. Ai mund të dënohet me dy vjet burg nësë shpallet fajtor.

Interpoli u vendos në lëvizje të mërkurën me kërkesë të Suedisë. Assange është vetëshpallur i pafajshëm dhe i quajti akuzat ndaj tij në Suedi një farsë. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë zërat për probleme të brendshme në Wikileaks.

Daniel Domscheit-Berg, një nga vullnetarët më të vjetër dhe zëdhënësi i Wikileaks, i cili pati dhënë dorëheqjen kohët e fundit, tha për CNN se personaliteti i Assange ka shfokusuar misionit fillestar të grupit; atë të publikimit të skandaleve të vogla, jo aq të mëdha si Ditari Afgan. Por Assange menjëherë u përgjigj: “Është roli im që të jem një yll polar. Sigurisht që është një rol shumë i vështirë, por nga ana tjetër marr merita të paqëna”

E ëma e Assange tha të mërkurën se ajo kishte frikë se i biri i saj ishte bërë shumë i zgjuar për veten. “Jam e shqetësuar se kjo është bërë shumë e madhe dhe forcat që e sfidojnë atë janë shumë të mëdha,” tha për Herald Sun, Christine Assange. Ajo nuk bëri ndonjë koment lidhur me akuzat seksuale ndaj djalit të saj në Suedi. Por më vonë deklaroi se Assange ishte larguar nga familja në mënyrë që ta mbronte atë. Por edhë vetë ai nuk i pranoi akuzat në tetor gjatë intervistës në CNN në Londër. “Kjo intervistë ka për qëllim tjetër diskutim. Do të më duhet të largohem nëse ju do të vazhdoni këtë intervistë kaq serioze me çëshjet e jetës time private,” u shpreh ai. Më pas hoqi mikrofonin, kërkoi ndjesë dhe u largua.


Më të çuditshmet e Wikileaks

1. Presidenti pakistanez
“i ndyrë, por i parrezikshëm”

Ky ka qenë, sipas mesazheve të Wikileaks, komenti i princit të Kurorës të Abu Dabit, ndaj presidentit të Pakistanit Zardari. “Ai është i ndyrë, por i parrezikshëm, kurse rivali i tij, ish-kryeministri Navaz Sharif, është i rrezikshëm, por jo i ndyrë”, citohet princi nga Emiratet në tesktin e ambasadës amerikane në atë vend.

2. Ëndrra e keqe e Obamës

Pakistani është, sipas një citimi nga njëri prej mesazheve të Wikileaks. “Ai e përshkruan Pakistanin si ëndrrën e tij të keqe private, duke u shprehur se bota do të ngrihet një mëngjes e do të shohë se gjithçka ka ndryshuar, pas marrjes së këtij vendi nga islamikët”, citohet të ketë thënë kreu i Shtëpisë së Bardhë.

3. Sara Palin: Ky, dështimi i Obamës

Kështu e ka akuzuar presidentin amerikan ish-kandidatja presidenciale republikane Sara Palin. “Pse Asange nuk ndiqet njëlloj si grupet terroriste, si Al kaeda dhe talebanët”, ka pyetur zonja e hekurt e të djathtës, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë duhej të kishte reaguar që në verë, kur dolën lajmet e para për rrjedhjen e këtij dokumentacioni.

4. Dasma me kallashnikov të florinjtë në brez

Kështu kërceu, sipas diplomatit më të njohur amerikan Uiliam Burns, presidenti çeçen Ramzan Kadirov, në një dasmë ku kishte asistuar edhe diplomati amerikan. Sipas tij, i zoti i dasmës, i shoqëruar nga presidenti dhe disa djem e vajza të mitur, kryenin lëvizje që ngjanin herë si ushtrime gjimnastike e herë si vallëzim. Në brez presidenti mbante, edhe gjatë kërcimit, kallashnikovin e tij të larë në flori.

5. Mbreti saudit dhe bluetooth-i

Në një mesazh kurioz, mbreti i Arabisë Saudite Abdullah bin Abdul Aziz i thotë ambasadorit amerikan në Riad, se ka menduar që t’u vendosë terroristëve aparatura të cilat do të tregojnë vendndodhjen e tyre dhe që lidhen me sistemin e bluetooth. “Është bërë me kuajt dhe fajkojtë dhe ka funksionuar”, e ka siguruar mbreti ambasadorin amerikan, i cili ka mbetur i shtangur nga propozimi i habitshëm.
Kurse duke folur për kuajt, ai i tha diplomatit amerikan se i do shumë ata. “Shkoj të shoh kuajt e mi dhe atëhere fle shumë i qetë”, ka thënë mbreti. Më në fund, në një mesazh ku monarku saudit flet për kryeministrin iraken Maliki, ai citohet të ketë thënë se “nuk e besoj këtë njeri, ai është agjent i iranianëve. Si mund ta takoj një njeri që s’e besoj? Ai u ka hapur derën iranianëve”.

6. “Trafikoni uiski, me kusht që të jetë cilësor”

Kjo frazë duhet të ketë dalë nga goja e President Ali Abdullah Saleh, padroni i fortë i Jemenit, dhe destinacioni ka qenë gjenerali David Petreus, shefi i trupave amerikane në Irak. Presidenti i ka treguar gjeneralit se së fundi qeveria e tij ka kapur disa kontenierë me uiski që vinin nga Xhibuti fqinjë. “Thuaju atyre, ka thënë presidenti, që unë s’e çaj kokën nëse trafikojnë uiski, me kusht që të jetë cilësor. Vetëm armë e drogë s’du në tokën time”, është shprehur Saleh.

7. “Unë s’i mbaj këtu këta njerëz”

Ministri i brendshëm i Kuvajtit Shaykh Jaber al-Khalid Al Sabah është një njeri që flet hapur. Ai është shprehur kështu, kur amerikanët i kanë kërkuar vendit të tij që të pranojnë disa të burgosur të Guantanamos.
“Ne nuk jemi Arabia Saudite, që ndërton kampe në shkretëtirë për të mbajtur këta njerëz. Më mirë dërgojini në Afganistan dhe hidhini diku në mes të luftës”, ka thënë ministri.

8. Arratisja majë kalit

Një fat i çuditshëm i ka takuar shtetasit amerikan Hossein Ghanbarzadeh Vahedi, që kishte shkuar në Iran për të parë të afërmit e tij. Një mesazh i Wikileaks, i konsullatës amerikane në Ankara tregon se pasi ka hyrë atje, atij i kanë marrë pasaportën dhe i kanë kërkuar të paguajë një gjobë prej 150 mijë USD, nëse donte të ikte sërish në Amerikë. Pas shtatë muajsh qëndrimi në Iran, ai ka mundur të ikë nga kufiri turko-iranian, duke paguar 7500 USD, në një udhëtim rraskapitës përmes malesh, në kurrizin e një kafshe. Amerikano-iraniani ka marrë ndihmën mjekësore nga ambasada amerikane, pasi ka paraqitur shenja të një lodhjeje të dukshme.

9.”Amerikanët s’marrin vesh nga gjeografia”

Princi britanik Andrea, Dukë i Jorkut, citohet në një mesazh që me siguri e ka bezdisur mjaft familjen mbretërore britanike. Gjatë një vizite në Kirgistan, Princi Andrea është shprehur se “amerikanët nuk marrin erë nga gjeografia. Në Britani ne kemi mësuesit më të mirë në botë në gjeografi”. Kurse duke folur për të ardhmen, ai ka thënë se “qeverita tona budallaqe në SHBA dhe Britani, mezi arrijnë t’i planifikojnë gjërat për dhjetë vjetët e ardhshëm, ndërkohë që njerëzit duhet t’i bënin planet e tyre për njëqind vjetët e ardhshëm”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama