Dhjetë vjet pas vdekjes i është zhdukur një vepër monumentale dhe i është deformuar "Ushtari i panjohur".
Suzana Varvarica Kuka, tregon themeluesin e shkollës shqiptare të skulpturës, në monografinë "Andrea Mano 1919-2000"
Studiuesja e arteve figurative Suzana Varvarica Kuka tregon në një monografi kushtuar Andrea Manos (1919-2000), historinë personale të një skulptori. Ajo jep njëherazi atmosferën e historisë së arteve figurative në Shqipëri deri në vitin 1989 kur Mano hoqi dori nga dalta dhe çekiçi.
Mano i artit të skulpturës monumentale, i skulpturës së parkut dhe skulpturës së dhomës, një nga autorët e "Skënderbeut" në Tiranë bashkë me Paskalin dhe Paçon, tani që nuk jeton më, kujtohet për lidhjet që ruan vepra e tij me kohën dhe me njerëzit. Ka ndodhur që njerëzit të godasin, zhdukin dhe deformojnë disa vepra të tij.
Varvarica, autore e disa monografive për Kristina Koljakën, Kristaq Ramën dhe Alush Shimën, përmend në këtë intervistë dy raste flagrante, "Heroinat e Mirditës" ku Mano është bashkautor dhe "Partizani i panjohur" e para vepër monumentale në Shqipërinë e pas luftës, 1949, e cila vitin e kaluar u lye me bojë vaji dhe u zbrit nga shkallët.
Edhe njëherë bashkëjetesa e ngjarjeve politike dhe artistike nuk kalon pa pasoja.
Vepra që kemi në duar është ndërtuar mbi dy linja, jeta e një njeriu paralele me historinë e artit dhe të vendit ku ai jetoi. Nuk është aq tipike kjo formë, ndoshta ngaqë monografia është një gjini pak e lëvruar në kulturën tonë.
Për këtë monografi më kanë ndihmuar monografitë e mëparshme që kam shkruar. Ato nuk janë konceptuar kaq thellësisht sa e Andrea Manos, sepse unë nuk kam qenë e mirinformuar. Gjatë kësaj kohe kam lexuar disa monografi të autorëve botërorë të shekullit të 20.
Për Andrea Manon kisha impenjim. Kisha dëshirë që kjo vepër të dilte mirë, sepse Mano ka qenë profesori im, sepse familja Mano kishte një obligim ndaj babait të saj dhe sepse, siç dihet, është e pamundur të shkruhet në Shqipëri një histori arti ku të gjejnë vend profile të detajuara të artistëve. Nuk e di sa ia kam arritur.
Shprehja e parë dhe e sinqertë që hap monografinë e Manos është: Natyra është gjëja më e bukur e kësaj bote. Po tek vepra e tij si interpretohet ky besim?
Nuk e kam zgjedhur pa qëllim atë thënie. Andrea ka mbajtur rregullisht shënime, për shkollën, akademinë, por ka edhe disa shkrime ku si duket ai improvizon ndjesitë e çastit.
Ai i ka kushtuar vëmendje figurës njerëzore në vizatim dhe skulpturë. Kjo shprehje e shkurtër dhe e saktë lidhet me punët e tij që janë të gjitha realiste dhe ky realizëm shkonte kah natyrës.
Ai nuk "abuzonte" me linjën, formën, volumin, me psikologjinë dhe përmasën e figurës, sepse kemi të bëjmë me skulpturën dhe skulptura në përgjithësi, ka të bëjë me formën njerëzore.
Qysh në "Harry Fultz" ai modelonte me baltë argjile. Edhe më vonë e ka përdorur shumë këtë formë modelimi. Është e veçantë për artistin?
Çdo skulptor është i detyruar për të modeluar fillimisht në baltë. Balta është materiali bazë. Por duket se Mano këtë dinte të bënte më mirë, jo se nuk gdhendte.
Po të shohim portretin e Aleksandër Xhuvanit, është një përsosmëri dhe një nga veprat më të mira të gdhendura në mermer. Por baltën e kishte më të pranishme, sepse këtë studioi edhe në tre akademitë e tjera.
Ky artist kalon një kohë edukimi në Shqipëri dhe në Akademitë e Romës, Zagrebit, Petërburgut. Pastaj krijimtaria e tij futet në rrjedhën e artit të Lindjes komuniste?
Vitet '31-'60 përbëjnë periudhën bazë të edukimit të tij me skulpturën.
Nuk duhet anashkaluar në asnjë mënyrë sidomos kushtet në të cilat u rrit dhe studioi. Janë ato fillime të cilat na raportojnë në fund fare një artist që u formua kryesisht në akademitë evropiane në Lindje dhe që krijimtaria e tij e mëpasme u kondicionua nga kushtet e artit të Lindjes.
Duke punuar sidomos mbi temën e heroit të punës dhe të luftës, a hyri Andrea Mano në një skemë?
Patjetër. Çdo lloj arti që merret me heroin, sidomos me atë hero të konceptuar sipas kërkesave të realizmit socialist, skematizohet, sepse artisti është i detyruar të zbatojë kërkesat që ka porositësi.
Në këtë rast nuk është më një porositës individual, por porositësi i madh është shteti. Për shembull, Skënderbeu është një portret i punuar nga të gjithë artistët.
Ne e kemi parë këtë figurë si një portret të importuar nga autorë të huaj të sjellë në kohën tonë dhe të gjithë artistët kanë ruajtur fizionominë e atij portreti që kemi parasysh: hunda me kurriz, sytë e thellë dhe një vetull e ngritur.
Por fryma e atij portreti është e gjitha e mitizuar në bazë të kërkesave që kishte pushteti i kohës, që do të thotë: një hero që të mos ishte real, jo në kuptimin e tipareve, por duhet të ishte frymëzim i atyre shprehive që thuhen për Skënderbeun: një hero kombëtar, sypatrembur, një njeri mbinjeri, që s'dinte të qëndronte në këmbë por gjithmonë mbi kalë, që mundte çdo armik. Ky mbinjeri duhej të raportohej brenda këtyre shprehive.
Cilat vepra të tij janë konceptuar brenda skemës?
Po them disa vepra që nuk janë në skemë. Nuk është portreti i Aleksandër Xhuvanit. Dua të përmend portretin e Migjenit, është portret realist, por fryma e asaj kohe për ta ndërtuar Migjenin, është një frymë që nuk ka për të ekzistuar më kurrë. Si në Bizant.
Heronjtë e Bizantit në ikona duhej të kishin ndikimin që ideologjia bizantine kërkonte nga figura. Mano ka realizuar disa portrete të Migjenit.
Po të shikoni portretin e vendosur në Shkodër, ai duket portret i realizuar për të pasur një ndikim te njerëzit e thjeshtë, për një entuziazëm. Megjithatë tek portretet e Manos ky qëllim nuk është aq i theksuar sa tek veprat e brezit të dytë të skulptorëve shqiptarë që u edukuan po në shkollat ruse, por që u ndikuan më drejtpërdrejtë dhe më fort nga realizmi socialist.
Tek Andrea kjo frymë ndihet më shumë në portretet kineze që kemi në Galeri. Pyetja është: janë portrete të mira apo të realizmit socialist? Janë portrete të mira që kanë frymën e realizmit socialist. Nuk mund ta hedhim poshtë atë art.
Nudoja do zinte një kapitull jo pa rëndësi nëse do shkruhej një ditë një histori shqiptare e arteve figurative. Edhe nga Mano ju keni nxjerrë në këtë monografi një seri fotosh të nudove vizatime apo të skulpturave.
Çfarë tiparesh ka nudoja e tij në krahasim me të bashkëkohësve të tij të Akademisë së Romës si Kel Kodheli, Nexhmedin Zajmi, Janaq Paço? Kujtojmë nudot, sepse të gjithë të përmendurit patën me të një histori që u ndërpre pas viteve '60.
Manon unë e veçoj për realizmin, për modelimin e ftohtë dhe të saktë. Nëse nudot e Paços kanë një deformim në formë, por përcjellin ndjesi krejt tjetër, më shumë butësi, nudoja e Manos, edhe nudoja e gruas, është më eshtake.
Tek vizatimet vihet re që ai është kërkues i jashtëzakonshëm i realizmit. Kurse tek Kel Kodheli, Abdurrahim Buza, Foto Stamo ose Qamil Grezda, ndihet ndjeshmëria e pikturës.
Në qoftë se Mano e sheh si skulptor edhe vizatimin, pra kërkon që tredimensionali, atmosfera e sfondit për të nxjerrë figurën të jetë atje brenda, tek të tjerët ndikon ngjyra në vizatim. Janë nudo piktorike. Ka larmi nga një krijues tek tjetri.
Nëse do të të jepej mundësia të ndërtoje një ekspozitë të Manos me pak vepra, çfarë nuk do të lije jashtë, qoftë edhe veprat monumentale?
Nuk do lija jashtë "Heroinat e Mirditës" e cila nuk ekziston më; nuk do lija jashtë portretin e Aleksandër Xhuvanit, portretin e Bajram Currit që nuk gjendet, por në libër është vetëm fotoja; nuk do lija disa nga nudot në vizatim që janë në libër dhe që ndodhen në koleksionin e familjes; nuk do lija jashtë disa nudo të shkollës në Zagreb, të cilat nuk janë më, i kemi trashëgim vetëm në foto. Ato janë të humbura, janë punë studenti por janë shumë të mira.
Nuk do lija jashtë Skënderbeun që e kemi në qendër të Tiranës, sepse ka një kontribut të jashtëzakonshëm Andrea Mano për këtë vepër. Nuk do lija jashtë portretin e nënës që mbyll këtë libër. Gjithashtu nuk do lija jashtë disa nudo në skulpturë, të femrave kryesisht, që janë në fondin e familjes.
Për "Heroinat" ti ke shkruar menjëherë pas ngjarjes. Çështja është mbyllur. Çfarë ka humbur me shkatërrimin e kësaj vepre?
Politika në Shqipëri ka arritur të jetë kaq konfliktuale ndërmjet "kampeve" të ndryshme, në çdo kohë, sa prej këtyre konflikteve e kanë pësuar edhe veprat e artit. Një nga ato që e pësoi ishte "Heroinat e Mirditës". Kam përshtypjen që ajo u zhduk për shkak të këtij konfliktualiteti. Ishte një hakmarrje për atë që bëri në fillimet e veta, në vitet '44-'60, në atë krahinë, Partia Komuniste.
Ka humbur një vepër arti shumë e mirë ku ne shihnim në mënyrë të qartë konceptet e realizmit socialist në një vepër monumentale. Me humbjen e saj, ka humbur edhe shenja e lidhjes së shkollave të Lindjes, Moskës, Petërburgut, Hungarisë, Çekosllovakisë, Polonisë, sepse skulptorët që e realizuan, vinin nga këto shkolla. Prandaj flitej dikur me emocion për atë vepër.
Në radhën e shkatërrimeve dhe deformimeve që u është bërë veprave të dy brezave skulptorëshpas viteve '90, ju përmendi rastin e "Partizanit të panjohur". Çfarë ka ndodhur?
Kjo vepër ka humbur shumë. Këtë e thonë edhe skulptorë të tjerë të cilët unë i kam intervistuar. Vepra ka humbur vizionin, pavarësisht se ndodhet në të njëjtin vend. Në libër unë nuk kam vënë një foto të re të monumentit, por një të vjetër për të treguar se si ka qenë ai monument. Vepra ka humbur bukurinë e mermerit të kuq, ka humbur bukurinë e lartësisë së relieveve nga shkallët që kishte bazamenti i parë.
Andrea Mano prezantohet në kopertinë si "Skulptor i Merituar". Ka rëndësi një përcaktim i tillë?
Sot flitet shumë për titujt që jepeshin dikur, të jenë apo të mos jenë. Ne duhet t'i respektojmë faktet historike. Ajo që ka ndodhur ka ndodhur, pse e përmendim nuk është gabim.
Mendoj se Andrea Mano e ka merituar, jo për arsye politike, po pse i ka lënë aq vepra historisë së artit të skulpturës monumentale, të skulpturës së parkut dhe të skulpturës së dhomës, për të qenë artist i mirë i historisë së artit shqiptar të shekullit të njëzetë.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli