Juga e Bardhe (analize)
- Botuar: 23 vite më parë
- Shkruar nga:
Romani voluminoz Juga e bardhë u botua në vitin 1971 dhe trajton problematikën e fshatit myzeqar në kohën e kooperativave dhe të transformimeve në fshatin shqiptar të pasluftës. Është menduar edhe si vazhdim i romanit "Lumi i vdekur" në projektin ciklik prej pesë romanesh të autorit. Ndonjë prej personazheve nga "Lumi i vdekur" do të vazhdojë të jetë bartës i ngjarjeve dhe në këtë roman.
Dukurinë e deformimeve në administrimin e atëhershëm të fshatit, që është shtyllë kryesore e ngjarjes, Jakov Xoxa do ta paraqesë përmes personazhit negativ Kiu Koroziut, kryetar i kooperativës. Është po ajo fuqi treguese e autorit të madh që u shqua tek romani i parë "Lumi i vdekur", por ndërhyrja e tij tani në rrjedhat e ngjarjes, në ndërtimin dhe veprimet e personazheve, në zgjidhjet fabulare etj. është më e pranishme dhe njësoj si te shumica e romancierëve të kohës. Edhe Jakov Xoxa, deformimet e atëhershme të sistemit do t'i zbresë në shkallë të drejtorëve të vegjël apo shumë-shumë te ndonjë drejtor më i madh e më i rëndësishëm. (Përjashtim më vonë do të bëjë guximi i Dritëro Agollit që tek romani "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", do të arrijë të fokusojë personazh nga radhët e ministrave).