Nga krahu i xhupit jeshil, i vetmi që mban veshur sipër këmishës, duket qartë byzylyku elektronik që duhet të mbajë pasi arriti të marrë nga gjykata e Westminster arrestin e shtëpisë për akuzën e përdhunimit të ngritura nga dy gra suedeze. Pikërisht Suedia ishte vendi që ngriti një mandat arresti ndërkombëtar. Në timon është Vaughan Smith, reporter i “Frontline Club” të Londrës, por mbi të gjitha një mik i Julian, që po e mban në rezidencën e tij në fshat, në pritje të procesit, pas lëshimit që erdhi si pasojë e pagesës prej 240 mijë sterlinash e për të cilën kontribuuan edhe regjisorët Ken Loach, Michael Moore, apo Bianca Jagger.
Assange, 39 vjeç, nuk ka më pasaportë. Çdo pasdite, nga ora dy deri në pesë duhet të firmosë në stacionin e policisë së Beccles. Pikërisht në këto dy vende, sapo del nga shtëpia dhe hyn në komisariat, u takuam me njeriun që la gjurmë të thella në historinë ndërkombëtare të vitit që sapo u mbyll. Arrita të flisja pak minuta me të mes morisë së shumtë të gazetarëve anglezë, spanjollë dhe australianë që e rrethonin, përpara se policia që kontrollon eksesin në Ellingham Hall, të ndërhyjë. Assange buzëqesh ëmbël dhe flet me një ton zëri të ulët. Duket si një aktor kinemaje. E ku i dihet ndoshta pas publikimit të librit të tij me kujtime, i parashikuar të dalë në mars të vitit 2011, mund të xhirohen me dhjetëra filma për të dhe historinë e tij.
Zonjushat A. dhe W. ju kanë akuzuar. Thonë se janë detyruar me forcë për të kryer raporte seksuale pa mbrojtje?
Më pëlqejnë gratë, është e vërtetë, e çfarë të keqe ka? Jam beqar dhe heteroseksual. Ato dy zonjat ishin absolutisht të përgjegjshme për veprimet e tyre. Thjesht i bezdisi fakti se zbuluan se ishin të dashurat e mia në të njëjtën kohë. Kush i shtyu të më denoncojnë në Suedi pas kaq shumë kohe?
Kush, Hillary Clinton që ju urren apo zëvendëspresidenti Joe Biden, që ju ka cilësuar si terrorist high-tech?
SHBA-ja ka një frikë të tmerrshme se mos dalin dokumente të tjera komprometuese. Për shembull si akuza për ushtarin Bradley Manning, i mbyllur në burg në Virxhinia, sepse mendohet se ka qenë burimi ynë: unë nuk e kisha dëgjuar kurrë emrin e tij para se të publikohej nëpër gazeta.
Mendoni se do të ekstradoheni në SHBA me akuzën e spiunazhit? Nëse po, rrezikon të mbetesh në burg për një kohë të gjatë...
Rreziku që unë mund të ekstradohem në SHBA ekziston. Shumë vendimtar do të jetë opinioni publik botëror, që nuk duhet të heqë dorë nga mbështetja që ka treguar për mua. Burgu? Të shohim. Në Londër, përveç kohës kur më çuan në qeli me pedofilët dhe vrasësit që ulërinin çdo minutë, edhe u çlodha pak, pas tre vjetësh të kaluar duke fjetur nëpër hotele, duke u fshehur nga të gjithë, pa parë djalin tim Daniel dhe duke u treguar i kujdesshëm ndaj ushqimit që haja. Në burg bëja gjimnastikë, lexoja dhe mbaja shënime.
Ke akoma frikë se mund të të vrasin?
Marr kërcënime çdo ditë. Vdekja ime nuk do ta ndalojë “Wikileaks” dhe revolucionin e saj. Unë vendos vetëm imazhin tim, dokumentet i dërgoni ju.