Juri Xhorkaef Gjermanine ta mundin me armet e saj

Juri Xhorkaef: Gjermaninë ta mundin me armët e saj

Juri Xhorkaef i përket brezit të lojtarëve që e bënë të madhe Francën duke fituar në harkun e dy viteve Kupën e Botës dhe atë të Europës. Ish-fantazisti i talentuar tani jeton në Nju Jork, pasi punon në njërin prej kampeve që Interi ka ngritur në shtetet më të rëndësishme të globit.

xhorkaef

"Edhe tani luaj futboll. Më saktë luaj kalçeto, vrapoj pak, por kam rendiment të lartë falë fantazisë", rrëfen 48-vjeçari përpara se të tregojë pritshmërinë që ka për ndeshjen e madhe mes Gjermanisë dhe Francës.

Edhe Franca ashtu si ty tani bën futboll të bukur.

Më në fund, kishte ardhur koha. Fillimi ishte i vështirë, pasi kishim shumë lojtarë të talentuar, por na mungonte kolektivi. Jemi rritur.

A është kjo meritë e Deshampit?

Ai është kritikuar shumë, por për mendimin tim ka bërë një punë të madhe. I është dashur që të formojë një grup lojtarësh brenda pak kohësh mes shumë vështirësive. Ai ka pasur probleme që nuk kanë lidhje me futbollin, siç është ai i Benzemasë dhe të tjera që kanë lidhje me fatin e keq siç janë dëmtimet në seri. Mua më pëlqen Didi, pasi ndryshon shpesh modulin e lojës dhe di se si të korrigjohet.

Spostimi i Grizmanit prapa Zhirusë ka ndihmuar shumë të dy lojtarët.

Gjithmonë kam pasur besim te Zhiru. Kam thënë që në fillim se do t'u shërbente të tjerëve si "torre" apo të përdorte forcën e vet fizike do të bënte diferencën.

Pas tij vjen Paje. A nuk është një surprizë e këndshme edhe për ty?

Të them të vërtetën, po. Ai përfitoi prej faktit se nuk ishte në fokusin e gazetarëve dhe me kalimin e ndeshjeve zgjidhi problemet e skuadrës. Ka shumë teknikë. Më ngjan pak mua. Nga jashtë zone ka gjithmonë një goditje të mirë...

A bën mirë Juventusi që e shet për gjithë ato para që i kanë ofruar në këmbim?

Pogba duhet të largohet, Juventusi nuk duhet ta pengojë. Është e kot të mbash një lojtar që preferohet prej skuadrave të mëdha të kontinentit. Juventusi fiton shumë para nga kjo lamtumirë.

juri xhorkaef

Le t'i kthehemi Francës. Si e shikon ndeshjen kundër Gjermanisë?

Do të jetë provimi i parë i vështirë për ata. Për fatin e saj të keq, Franca deri më tani nuk është përballur me rivale të denja. Deri më tani Europiani nuk ka qenë "stërvitës" për ata që, si të mos mungonin ndeshjet në finale, kanë luajtur prej dy vitesh vetëm miqësore. Kjo është pengesa e madhe. Avantazhi ynë është se luajmë në shtëpi dhe se do të kemi përballë një ekip të lodhur që është gjymtuar prej disa dëmtimesh. Edhe pse më duhet ta pranoj se Gjermania është e vetmja skuadër e vërtetë e këtij Europiani që ka një nivel të ulët. Franca, Spanja dhe Italia janë një shkallë më poshtë.

Franca nuk mund Gjermaninë në finalet e turneve të mëdha që prej 1958-ës.

Mua s'më kanë mundur kurrë (qesh), edhe pse kam luajtur kundër atyre vetëm miqësore. Në Botërorin dhe Europianin që fituam nuk e kemi pasur përballë. Tani nuk kam çfarë të them, veçse ka ardhur momenti që ta thyejmë këtë tabu.

Si munden gjermanët?

Ka qenë interesante ndeshja që bëri Gjermania kundër Italisë. Ndryshuan modul, mbyllën hapësirat dhe komanduan lojën. Luajtën si Italia për ta mundur. Edhe pse e kaloi vetëm falë penalltive, për mua nuk ka shumë rëndësi. Ata e kaluan. Franca duhet të luajë siç bëri Gjermania kundër Italisë.

Çfarë mallkimi janë penalltitë për Italinë?

Italianët i ekzekutuan në mënyrë të tmerrshme. E parë se çfarë katranosën Zaza dhe Pele. Aq më tepër kur e dinin se kishin Nojerin përballë. Nuk mendoja se Italia do të ishte aq kompetitive. Mbase mund të them se e meritonte të kualifikohej duke parë raportin cilësilojë.

Pak më lart the se ky Europian ishte i një niveli të ulët...

Shumë pak kualitet. Nuk ka goditje në portë. S'ka lojtarë që driblojnë kundërshtarin. Interesante ka qenë vetëm mënyra se si u organizuan ekipet e vogla si Uellsi dhe Islanda apo rikthimi i ekipeve historike si Polonia dhe Hungaria.

Cila është skuadra ideale e Europianit sipas teje?

Jam në mëdyshje vetëm te portieri. Edhe pse mes Bufonit, Lorisit e Halldorsonit zgjedh Nojerin. Është një fenomen edhe te penalltitë. Në mbrojtje zgjedh anglezin Uollker. Në mes sigurisht që preferoj "bastardët" italianë, Bonuçin dhe Kelinin. Ndërsa në krahun tjetër të mbrojtjes preferoj portugezin Gerreiro. Në mesfushë më pëlqejnë Modriç, Kros dhe Ramsej. Ndërsa në sulm dua Bejlin, Zhirunë dhe Pajenë. Zbulimin e turneut.

Përgatiti: ALTIN VORPSI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama