Prej më shumë se një jave, tifozja e zjarrtë e Juventusit ka luftuar me jetën. Familjarët e saj dukeshin të pashpresë, pasi edhe mjekët që e kishin mbajtur nën vëzhgim nuk po dinin më çfarë të bënin për ta nxjerrë nga gjendja e rëndë vajzën nga Krotone. Mirëpo, duke u nisur nga ndjenja e saj e madhe për skuadrën bardhezi dhe nga dashuria që ajo ndjente për idhullin Alesandro Del Piero, familjarët i kërkuan kapitenit bardhezi një videokasetë të regjistruar ku sulmuesi 37-vjeçar lutej dhe e shtynte Xhada Skalizen të zgjohej nga koma dhe t’u bashkohej shpejt tifozëve të Juventusit.
Dhe magjia ndodhi. Mjaftuan pak minuta me zërin e Alesandro Del Pieros në sfond, që vajza 12-vjeçare të hapte sytë e të rikthehej në jetë, pas më shumë se një jave në gjendje kome. Pasi familjarët i kanë dhënë lajmin edhe Del Pieros, ai ka komunikuar menjëherë me Xhadën për t’i uruar asaj shërim të plotë e për ta ftuar së shpejti në “Juventus Stadiumin”. Nëse shpeshherë bardhezinjtë u kanë dhuruar trofe të rëndësishëm fansave të tyre, Xhada Skalozit i është dhuruar trofeu më i rëndësishëm në botë, jeta…