KESH nderpret importin shpetojne 2 milione euro

KESH nderpret importin, shpetojne 2 milione euro

Mbi 2 milionë euro kanë shpëtuar nga vendimi i KESH-it, i cili do të ndërpresë blerjen e energjisë në 10 ditët e fundit të majit. Moti me shi që ka mbushur digat e HEC-eve mbi lumin Drin, e ka kushtëzuar  korporatën të ndërpresë importin dhe të fillojë eksportin e energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) njoftoi dje anulimin e blerjes së energjisë elektrike për periudhën 21 maj-31 maj 2014, për shkak të përmirësimit të situatës hidrike në vend. Në njoftimin zyrtar të KESH-it bëhet e ditur se “bazuar në kushtet aktuale hidrometeorologjike, nuk do të vazhdojë me blerjen e energjisë elektrike për periudhën 21-31 maj 2014″.

Tenderi

Totali i energjisë elektrike e ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga KESH sh.a. për periudhën 01-31.05.2014 ishte 94,860 MWh dhe e konvertuar në vlerë monetare shkonte 5,095,172.88 euro pa TVSH. Në vijim të kontratave të lidhura, shoqëritë GEN-I Tirana sh.p.k; EFT AG dhe GSA sh.p.k vazhdojnë lëvrimin e energjisë elektrike në KESH. Komisioni i blerjes së energjisë elektrike administroi dhe vlerësoi ofertat e paraqitura prej tyre. Në përfundim të procedurës së negocimeve u përcaktuan fituesit, të cilët janë: GEN-I TIRANA LTD, EFT AG dhe GSA sh.p.k.

Kontrata

KESH i kishte marrë masat juridike që më parë që kjo ndërprerje të mos shkaktonte penalitete. “Konfirmimi përfundimtar për furnizimin me energji elektrike për periudhën 21-31 maj 2014 do të bëhet më 16 maj 2014, në varësi të situatës hidrike”, theksohej kushti në kontratat me kompanitë përkatëse. Bazuar në këtë situatë, më 16 maj 2014, KESH u komunikoi dje partnerëve importues anulimin për furnizimin me energji elektrike në periudhën 21-31 maj 2014. Sasia e energjisë elektrike të mbetur për t’u kontraktuar nga KESH sh.a. për muajin maj 2014 sipas llogaritjeve tashmë është rreth 3.3 milionë euro, duke kursyer në bilanc mbi dy milionë euro.

CEZ-i vazhdon importin

Krahas KESH-it që blen energji nga importi me 48.26 euro për një megavatorë, për muajin maj, është edhe kompania CEZ Shpërndarje, por që e blen një njësi energjie elektrike me 49.03 euro/ MWh. Pra me një diferencë të vogël në çmim. CEZ-i ka kontraktuar një sasi energjie prej 163.180 MWh me një vlerë totale prej 8.024.635 eurosh. Burime nga CEZ thonë se, do të vazhdojë importi i energjisë aq sa i duhet për të mbuluar humbjet në rrjet.

Energjia importohet nga Serbia

Pika e lëvrimit për shumicën e energjisë që importojmë përcaktohet si “Linja Serbi/Mali i Zi/Greqi – Shqipëri”. Mungesa e kapaciteteve dhe linjave të interkonjeksionit me vendet e tjera e ka bërë Shqipërinë të varur nga një drejtim i importit, duke mos pasur mundësi të bëjë presion për uljen e çmimeve. Aktualisht, Shqipëria është duke ndërtuar linjën me Kosovën dhe planifikon të ndërtojë gjithashtu një linjë të tillë me Maqedoninë. Këto do ta integronin sistemin tonë me atë rajonal. Një eksportuesit që ka çmime të favorshme, është Rumania, e cila ka superprodhim të energjisë elektrike. Autoritetet rumune i kanë ofruar delegacionit shqiptar, para dy muajsh, investime në infrastrukturën energjetike dhe mundësi për eksport energjie deri në 1 miliard euro në vit. Importi është i nevojshëm për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes dhe plotësimin e nevojave të klientëve tariforë, si dhe për shtimin e rezervës energjetike dhe rritjen e nivelit në HEC-in Fierzë, për t’u paraprirë muajve të verës.

 

Hidrocentralet

Fierza arrin pikën maksimale, energjia eksportohet në Kosovë

KESH eksporton në Kosovë, ndërkohë që reshjet kanë  rritur nivelin e ujit në liqenet e hidrocentraleve më të mëdha. Sipas të dhënave nga KESH-i,  niveli në liqenin e Fierzës në fund të javës ishte  289.2 metra, ndërsa prurjet në 177 metër kub ujë në sekondë. Nivelet në liqenet e Komanit dhe Vaut të Dejës janë përkatësisht 171.2 dhe 74.3 metra, ndërsa prurjet anësore në vlerat e 140 dhe 261 metër kub ujë në sekondë. 15 milionë kilovatë/orë në ditë po prodhohen nga hidrocentralet e vendit dhe po në të njëjtat nivele është konsumi energjetik. Në këto kushte, specialistët e KESH-it thonë se nevoja për import gjatë muajve të nxehtë të verës do të jetë e ulët dhe parashikohet që vetëm CEZ të kryejë operacione të tilla për të mbuluar humbjet në rrjet. Korporata është duke eksportuar 3 milionë kilovatorë në ditë drejt Kosovës, por mungesa e linjës së interkonjeksionit vazhdon të penalizojë shkëmbimet energjetike mes dy vendeve dhe të sjellë kosto më të larta për blerjen e energjisë.

 

FMN, kujdes situatën energjetike, rëndon buxhetin

Në bisedimet e fundit të delegacionit të FMN-së në Tiranë, për rishikimin e programit financiar, të vendosur në kuadrin e huas, energjia ishte çështja që mori më shumë negociata. Në deklaratën e shefit të FMN-së me këtë rast u tërhoq vëmendja e autoriteteve shqiptare që të mbajnë nën vëzhgim situatën energjetike, të ulen humbjen në rrjet dhe të rriten arkëtimet. Madje, FMN këshillon që të krijohet një fond rezervë për të përballuar situatat që mund të vijnë si pasojë e krizës së sistemit energjetik. Gjendja e vështirë hidrike në tre muajt e parë të vitit, e vuri në alarm qeverinë. Sipas Ministrisë së Financave, kriza mund të vinte në rrezik buxhetin, të cilit sipas vlerësimeve paraprake do t’i duhej të shpenzonte 100 milionë euro për të blerë energji nga importi për këtë vit. Kjo do të rriste sërish borxhin e vendit. Por përmirësimi i rezervës gjatë muajit prill, i ka ulur nevojat për import me të paktën 25 për qind, pra duke shpëtuar 25 milionë euro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama