Ndërsa pritej që të zhvillohej seanca gjyqësore ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me objekt padinë e kryer nga ish-kryeprokurorja e vendit, Ina Rama, KLD ka gjetur rastin të përjashtojë drejtuesen e seancës. Preteksti sipas mbrojtësit të Ramës është fakti, se gjykatësja është bashkëshorte e një prokurori, ndërkohë që Ina Rama priste shqyrtimin pasi ajo kërkon jo vetëm kthimin në vendin e punës si gjyqtare Apeli, por edhe kërkon pagat që nga dhjetori i vitit 2012 e deri më tani. Gjithashtu objekt padie janë edhe fyerjet që janë bërë nga disa anëtar të KLD-së në drejtim të saj, për të cilat znj. Rama kërkon dëmshëprblim.
Përjashtimi i gjyqtares
Seanca pritej të zhvillohej në Gjykatën Administrative, ku me kërkesë të KLDsë gjyqtarja që kishte çështjen, Enrjeta Shehaj, u përjashtua nga gjykimi me një vendim të një tjetër kolegeje të saj, që do të thotë se padia e depozituar në fillim të muajit prill do të hidhet edhe njëherë në short, për të vendosur një tjetër trupë gjyqësore. Të ndodhur në këtë pikë të çështjes mbrojtësi i Ina Ramës, Fatmir Braka e shikon si ndikim të KLD-së përjashtimin e gjyqtares Shehaj, pasi tre vjet me parë Këshilli i Prokurorisë e më pas ish-Prokurorja e Përgjithshme, vendosi emërimin si prokuror i bashkëshortit të gjyqtares, Erjon Shehaj. Braka ka kundërshtuar publikisht ditën e djeshme vendimin duke shpjeguar se me argumentin e konfliktit të interesave edhe pala paditëse do të kërkojë dorëheqjen e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Administrative.
"Këta gjyqtarë të Gjykatës Administrative janë emëruar të gjithë nga KLD-ja dhe po të ecim me arsyetimin që bën KLD-ja, që gjyqtarët duhet të kenë shkaqe njëanshmërie, kur burrat e tyre emërohen në një vend, siç është rasti i prokurores të përgjithshme, atëherë ç'thuhet për këta gjyqtarë, që direkt janë emëruar nga KLD-ja dhe nga Presidenti i Republikës, me vendimmarrjen e të dyve? Ky proces kështu futet në rreth vicioz", ka bërë me dije ditën e djeshme avokat Braka.
Padia
Që pas largimit nga posti i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama kishte kërkuar rikthimin si gjykatëse, detyrë që e ka mbajtur më herët. KLD i ka propozuar më herët Ina Ramës të ushtronte detyrën e anëtares së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Por kjo nuk është pranuar nga ajo me arsyetimin se, duke mbajtur postin e Prokurores së Përgjithshme ka firmosur nisjen e hetimeve dhe arrestimet e të gjithë të dyshuarve për krime të rënda të cilët vijojnë të gjykohen pranë kësaj gjykate. Ajo e arsyetoi mos pranimin e saj pikërisht me faktin se: “Nuk gjej asnjë argument ligjor që të justifikojë mbajtjen pezull, në sirtar, të kërkesës sime për t’u shqyrtuar nga KLD. Ligji shprehet se Prokurori i Përgjithshëm në mbarimin e mandatit të tij kthehet në të njëjtën detyrën e mëparshme ose në një të barasvlershme me të, ose qëndron si Prokuror në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo çështje është mbajtur pezull prej një viti. Unë i jam ridrejtuar Presidentit, Zv/kryetarit të KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë përpara dy muajsh me një kërkesë tjetër, për t’i rikujtuar kërkesën time, për ta futur këtë çështje në rendin e ditës. Ndaj kësaj kërkese ka reaguar vetëm Ministri i Drejtësisë, i cili ka kërkuar që çështja ime të futet në rendin e ditës të mbledhjes së KLDsë. Përsëri nuk pati asnjë lloj reagimi as nga Presidenti dhe as nga Nënkryetari i KLD-së në përgjigje”.