Komuniteti Mysliman i Shqipërisë distancohet dhe deklaron se shtatë të arrestuarit e sotëm për terrorizëm, mes të cilëve dy imamë, nuk janë punonjës të komunitetit.
“Nisur nga lajmet e sotme për arrestimin e disa personave të akuzuar për terrorizëm dhe përfshirjen në konfliktin e Sirisë, Komuniteti Mysliman bën me dije se personat në fjalë nuk janë punonjës të Komunitetit Mysliman. Komuniteti Mysliman e ka bërë të ditur edhe më parë qëndrimin e tij për mos përfshirjen e besimtarëve shqiptarë në konfliktin sirian”,- thuhet në njoftim zyrtar të KMSH-së.
Më tej në deklaratë theksohet se pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame dhe Komuniteti Mysliman inkurajon një proces të drejtë ligjor. “Pjesëmarrja në konflikte dhe nxitje dhune nuk përputhet me shpirtin e fesë islame. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është promotor i vlerave më të bukura islame dhe predikimit të bukurive të besimit, të harmonisë dhe tolerancës në vendin tonë”,- thuhet në njoftimin e KMSH-së.