Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka publikuar sot në faqen e vet të internetit emrat e 5 sportistëve shqiptarë të cilët do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike 2016.
E para në listë dhe flamurmbajtëse për Shqipërinë ëshë atletja Luiza Gega, e cila do të garojë në disiplinat e 800 dhe 1500 metrave në këtë eveniment.
Nga atletika, pjesëmarrës në Rio 2016 do të jetë edhe rekordmeni i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj.
Nga noti, në listë është përfshirë emri i Sidnei Hoxhës, i cili do të garojë në disiplinat e 50 dhe 100 metra stil i lirë.
Debutuese në Olimpiadë do të jetë notarja 18 vjeçare Nikol Merizaj, e cila do të garojë në disiplinën e 100 metrave stil i lirë.
Në fund, peshëngritja, sporti më i përfaqësuar në edicionin e kaluar, ka arritur të sigurojë vetëm një ftesë për këtë Olimpiadë. Përfaqësues i Shqipërisë do të jetë Briken Çalja, i cili do të garojë në peshën 69 kilogram.