Kryetarja e KQZ-së Lefterije Luzi, u ka bërë apel partive politike që të respektojnë kodin elektoral sa i takon nisjes së fushatës zgjedhore. Sipas saj, partitë e mëdha politike, kanë nisur me dy muaj para afatit fushatën për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
“Do të merren masa dhe do të ketë ndëshkime për ato parti që do të verifikohen se kanë shkelur kodin elektoral, – tha Luzi, – fushata duhet të fillojë në datën 22 maj dhe duhet të mbyllet zyrtarisht më 20 qershor”.
“Shkelja e parimeve në rastet kur kjo nuk përbën shkelje në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundravajtje dhe dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë. Neni 3 (i Kodit Zgjedhor) përcakton se subjektet janë të lira të shpalosin programet e tyre, në forma e mënyra të ligjshme, dhe kjo është data 22 maj. Nëse nuk ndërpresin fushatën zgjedhore të nisur sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor atëherë KQZ do të merren masat e parashikuara në Kodin Zgjedhor”, deklaroi Luzi.
Po ashtu, kryetarja e KQZ-së, u ka bërë thirrjeve mediave në vend të mos transmetojnë materiale nga fushata zgjedhore.
“Edhe mediet duhet të respektojnë kodin dhe të ndihmojnë garën, – tha Luzi. Nuk duhet të transmetojnë asnjë aktivitet të fushatës zgjedhore, të zbatojnë Kodin elektoral siç e përcakton edhe neni”.