Edhe pse Drejtoria e Ujësjellës- Kanalizimeve, mori masa për vendosjen e matësve, për habinë e të gjithëve, këto shkolla të “damkosura” më herët për shpenzimet e ujit mbi normalen e parashikuar, vazhdojnë të “konsumojnë” të njëjtën sasi hidrike. Shkolla kampione është ajo 9-vjeçare “1 maji” në hyrje të rrugës “Ali Demi”. Me siguri për nga sasia e ujit që harxhon, kjo shkollë duhet të meritojë medalje ari jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Kjo arritje vjen falë faturave të ujit që Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë, i dërgon çdo muaj, këtë radhë jo më aforfe por me matës të vendosur një muaj më parë.
Sipas asaj çka shkruhet në faturën e dhjetorit dhe që disponohet edhe nga gazeta “Shekulli”, shkolla 9-vjeçare “1 maji”, në Njësinë Bashkiake Nr. 1, ka shpenzuar për gjatë muajit të kaluar 920m/3 ujë. Nëse do ta krahasonim sasinë e ujit që ka shpenzuar shkolla me sasinë e ujit që shpenzon mesatarisht në një muaj një familje, gjithkujt, një shpenzim i tillë do t’i dukej jashtë çdo logjike. Gjëja e parë që do të pyeste, është si ia arrin të shpenzojë kjo shkollë një sasi të tillë uji, kur uji i vjen me orar dhe përveç rubineteve, nuk ka asnjë shërbim tjetër që të justifikojë sadopak sasinë e madhe të konsumit të ujit. Në fakt Drejtoria e Ujësjellës- Kanalizimeve nuk ka ngatërruar adresë.
Ka mbi 6 muaj që dërgon fatura të tilla në shkollën “1 maji”. Në bazë të një husa lumtimi, rezulton se një familje me 4-7 pjesëtarë, shpenzon në muaj 12- 20m/3 ujë. Këtu përfshihet konsumi i ujit të pijshëm si edhe ai i largimit të ujërave të përdorur, ku futen dushi, larja e teshave, e me radhë. Specialistë të fushës, thonë se edhe sikur fëmijët e shkollës “1 maji” të bënin dush tre herë në ditë në shkollë, gjë që nuk ndodh, nuk do të ishte harxhuar kurrë një sasi e tillë hidrike, saç u është faturuar nga Drejtoria e Ujësjellës- Kanalizimeve. Nëse do ta marrim të mirëqenë sasinë e shpenzuar të ujit në shkollën “1 maji”, kaq ujë husa harxhon kjo shkollë, do të ishte e mjaftueshme për të furnizuar më ujë afërsisht 50 familje, që për nga numri, pa e ekzagjeruar, mund të popullojnë një lagje të Tiranës. Nga hulumtimi i gazetës “Shekulli” rezulton se fatura e konsumit të ujit që duhet të shlyejë shkolla “1 maji” në një muaj, është e barabartë me faturën e energjisë elektrike që shpenzohet në shkolla në po kaq kohë. Madje e tejkalon këtë faturë. Shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” shpenzoi në muajin dhjetor afërsisht 120 mijë lekë energji elektrike, ndërkohë që shkolla “1 maji”, rezulton që kaq para t’i ketë shpenzuar ujë. Për njohësit e fushave përkatëse, një gjë e tillë nuk ka se si të ndodhë, duke ditur që konsumi i energjisë elektrike kushton shumë herë më shtrenjtë se ai i ujit. Por jo vetëm shkolla “1 maji”. Në Njësinë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë ka edhe shkolla të tjera që shpenzojnë ujë, aq sa për të larë rrugët e Tiranës në një muaj. Shkolla 9-vjeçare “Androkli Kostallari” në lagjen Shkozë, në të vërtetë mund të mos jetë një shkollë me profil të lartë ndër simotrat e saj, por ama harxhon ujë sa për 10 të tilla. Nëse shkolla 9-vjeçare “Ali Demi” që ndan të njëjtin numër katesh dhe frymë nxënësish, harxhon 8 400 lekë ujë në muaj, shkolla “Androkli Kostallari” në periferi që ndan të njëjtën njësi bashkiake me simotrën e saj, harxhon 86 mijë 500 lekë ujë në muaj. Edhe kjo shkollë, në bazë të informacioneve që kemi, nuk ka as dushe, as lavanderi, por vetëm 5 tualete, ku uji vjen me orar, ashtu si në pjesën më të madhe të kryeqytetit shqiptar.
Bashkia le t'i paguajë vetë faturat”
Fatura të tilla të kripura, nuk erdhën befas me festat e fundvitit. Gazeta “Shekulli” e ngriti për herë të parë këtë shqetësim në fundin e muajit dhjetor. Më herët ishte Njësia Bashkiake Nr. 1 në Tiranë ajo që për më se një vit ngriti zërin për zgjidhjen e problemit, por që edhe sot mbetet i tillë. Lindita Nikolla, kryetare e Njësisë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë tha për gazetën “Shekulli”, se me gjithë ndërhyrjen e grupit të punës të ngritur jo më larg se një muaj më parë, ku në përbërje ishin edhe specialistë të Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve, problematika nuk gjen zgjidhje. “Ashtu sikurse ju kemi bërë të ditur edhe më parë, problemi i faturave të ujit në shkollat që i përkasin zonës së mbulimit të Njësisë Bashkiake Nr. 1, është një problem i cili vazhdon prej afro 6 muajsh, në mos më shumë. Në muajin dhjetor pas ankesave të shumta, ne mundëm të ngrinim një grup pune me qëllim evidentimin e problematikës në terren.
U vendosën matës në shkolla dhe kopshte. Por ç’ndodh? Faturat e muajit dhjetor kanë ardhur njëlloj si ato të muajve më parë”. Kryetarja e Minibashkisë Nr. 1 duke parë që situata vazhdon të mbetet pa zgjidhje, ka kërkuar që Bashkia e Tiranës t’i paguajë vetë faturat e fryra të ujit. “Ne jemi të lodhur nga kjo situatë. Duke qenë se Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, është një institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës, atëherë le t’i paguajë bashkia këto fatura. Ne nuk mundemi të paguajmë fatura që nuk përkojnë me realitetin. Jo se nuk duam, por nuk kemi mundësi financiare. Është jashtë mundësisë që na lejon buxheti. Deri sa Bashkia na bën presion që ose të paguajmë faturat, ose do ju presim rrogat, atëherë le ta marrë përsipër vetë zgjidhjen. Në këtë mënyrë do të zgjidhej edhe ky problem”, tha znj. Nikolla për gazetën “Shekulli”