Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundershtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme.
E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.
Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira: Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët: qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit: qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.
Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.
Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti.
Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.
Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta(pafrutshme), duke me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken - shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.
Nga padia prishën në vend që të mdërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.
Bashkëme barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta e tani nuk ekziston më.
Një debojë(depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët.
Nga padia s´u japin asjnë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.