Ergys Kaçe do të jetë i gatshëm për trajnerin De Biazi për ndeshjen e nesërme ndaj Francës.
Pas takimit me Zvicrën të shtunën e kaluar, Kaçe pati probleme dhe një ditë më parë ai u stërvit në mënyrë individuale. Federata Shqiptare e Futbollit njofton se gjendja e tij është përmirësuar dhe mesfushori është gati për Francën.
"Dje Kaçe është stërvitur në mënyrë individuale me përgatitësin atletik Alberto Belle. Por gjendja për fat të mirë, ka ardhur duke u përmirësuar dhe Ergys Kaçe, do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen kundër Francës. Konfirmohet gjithashtu zyrtarisht, se nuk ka asnjë futbollist që të ketë probleme fizke që mund ti pengojnë për të luajtur kundër Francës",-njofton FSHF.
Ndërkaq, trajneri i kuqezinjve pritet të zhvillojë një mbledhje me futbollistët e Kombëtares sot rreth orës 18.30 për t'i njohur me skemat e fundit që do të aplikohen ndaj Francës. Pas kësaj mbledhjeje skuadra dhe stafi do të bëhen gati për stërvitje në orën 20.30 në stadiumin "Vellodrome", ku edhe do të luhet nesër ndeshja Francë-Shqipëri.
"Trajneri De Biasi, do të japë konferencën e shtypit përpara ndeshjes në orën 19.45, kështu që është parashikuar që ai të niset më parë për në stadium. Stadiumi i njohur i Marsejës "Vellodrome", është vetëm 10 minuta larg hotelit "Pullman", ku është vendosur skuadra jonë kombëtare. Pas përfundimit të seancës stërvitore, ekipi do të kthehet në hotel, ku do të konsumojë në orën 22.00 vaktin e darkës. Lojtarët në orën 23.00, do të jenë në dhomat e tyre për të pushuar",-thuhet në njoftimin e FSHF-së.