Kadare Nuk patem disidente si Solzhenicini

Kadare: Nuk patëm disidentë si Solzhenicini
Rusia përcolli dje me ceremoni madhështore Aleksandër Solzhenicinin drejt një varreze historike të Moskës. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare tregoi ndërkaq për Zërin e Amerikës, se si ishte njohur në Paris me nobelistin rus. Kadare thekson se në Shqipërinë staliniste “letërsia shqipe, jo në formë kaq radikale sa Solzhenicini, por në forma më të përmbajtura si Pasternaku ose si Bulgakovi, ka arritur të shkruajë vepra që kanë shprehur rezervën e tyre të thellë kundër regjimit komunist.”

Intervista

Zoti Kadare, Solzhenicini u bë simbol i luftës kundër diktaturës. Ai ishte njeriu që denoncoi botërisht sistemin më të ashpër totalitar dhe bëri publike kampet famëkeqe të internimit të të ashtuquajturit gulag sovjetik. Çfarë ndikimi patën veprat e tij në ato vite?

Natyrisht që është mendimi unanim botëror që Solzhenicini është një figurë kolosale e shekullit, është një shkrimtar emancipues në shkallë planetare. Ai luajti një rol të rëndësishëm jo vetëm në gjysmën e planetit që ishte bota komuniste ku vepra e tij rrezatoi gjerësisht. Ka qenë i pakrahasueshëm në demaskimin e krimeve të Stalinit, një proces që ende vazhdon sot në botë me dënimin e krimeve të komunizmit. Pra, është një proces ende i pambyllur.

Siç ndodh shpesh me figurat e mëdha, të gjithë duan të përfitojnë prej tyre, Rusia zyrtare që pamë edhe në ceremoni, e nderon atë për të tjera arsye, mendoj unë, që e nderon Rusia demokratike dhe liberale, opinioni botëror që e çmon mbi gjithçka për veprën e tij të madhe letrare dhe artistike dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ai e bëri në shkallë botërore si rrallë kush.

Në qoftë se vihet re në dukje ndonjë rezervë siç ndodh me shkrimtarët e mëdhenj, kjo ka të bëjë pikërisht me të drejtat njerëzore, kampion i të cilave ai qe. Është vënë në dukje kohët e fundit afrimi i tij me Putinin që ka luajtur një rol në mendimet e tij të cilat ndoshta kanë rënë disa herë ndesh me veprën e tij, siç ishte rasti i Kosovës, kur për fat të keq, e përsëris, për fat të keq, ai u pajtua me mendimin e Rusisë zyrtare kundër forcave të lirisë në Ballkan. Disidentët rusë kanë pasur një polemikë me të dhe Kosova u bë, si të thuash, një pikë ndarjeje midis tyre. Kjo ka ndodhur jo rrallë me shkrimtarët e shquar.

Pra, parimet që ata mbrojnë në veprat e tyre, bien disa herë ndesh me mendimet që ata mund të kenë në një periudhë të caktuar të jetës së tyre. Por në fund është vepra ajo që mbetet dhe që çmohet dhe janë këto mendime kalimtare të cilat harrohen. Solzhenicinin, padyshim, figurën e tij kolosale nuk do ta cënojë kjo gjë në thellësinë e tij. Këto mendime kalimtare do të harrohen dhe vepra e tij do të jetojë gjithmonë.

Pra ai mbetet një figurë komplekse në historinë e letërsisë botërore?

Nuk mund të thuhet komplekse. Figura e tij është në përgjithësi e qartë. Por kjo që thashë unë quhet një bemol, një incident.

Ju keni patur rastin ta takoni Aleksandër Solzhenicinin. Në ç’rrethana e keni njohur dhe cilat ishin mbresat tuaja nga takimi që keni patur?

Po, unë kam patur rastin ta njoh në Paris, para se të instalohej përfundimisht në Rusi. Ai bëri një udhëtim në Francë. Ne kemi të dy të njëjtin botues francez dhe në mjediset e shtëpisë botuese “Fayard” kur ai u prit, në një nga darkat, kam patur rastin të njihem dhe të bisedoj me të. Ishte njeri jashtëzakonisht i komunikueshëm, kishte dëshirë të fliste, dëshirë që ishte ndoshta e theksuar nga jeta e tij tepër e vetmuar, qoftë në burgjet e Stalinit dhe në internim, qoftë në njëfarë jete tepër të izoluar që ka bërë më vonë.

Duke bërë një paralelizëm me ish -Bashkimin Sovjetik, nëse do të flitej për një disidencë apo për një Solzhenicin të Shqipërisë, në mend të vjen emri juaj. Megjithëse ju vetë jeni shprehur se nuk keni qenë disident. Sa e vështirë ishte disidenca në radhët e intelektualëve shqiptarë gjatë periudhës së komunizmit?

Njëherë duhet të them se nuk ka figurë në letërsinë shqipe ose në kulturën shqiptare, ose në mendimin shoqëror shqiptar të krahasueshëm me Solzhenicinin, në atë kompleksin e tij si njeri i madh i letërsisë dhe i lirisë. Nuk ka dhe nuk mund të kishte në Shqipëri, sepse edhe në Rusi Solzhenicini doli në atë që quhet periudhë staliniste. Ai kishte vite e vite që shkruante, por u deshën tetë vjet nga vdekja e Stalinit, që ai të botonte faqet e para, kaq e rëndë ishte hija e stalinizmit në Rusi kur qe përmbysur ndërkaq stalinizmi.

Mendoni si ka qenë kjo hije e stalinizmit tonë kur ne e kishim gjallë Stalinin tonë deri në rrëzimin e komunizmit. Ishte praktikisht dhe teorikisht e pamundur që në Shqipëri të kishte disidencë dhe në Shqipëri nuk ka pasur disidencë në kuptimin klasik të fjalës që disidenca konceptohet si një kundërshtim publik, si një dalje, si një sfidë kundë shtetit që sundon. Ne këtë e dimë të gjithë dhe shpesh thuhet që vërtet kaq e ashpër ka qenë kjo shtypje e kulturës, e jetës shoqërore, apo ndoshta shkrimtarët e teprojnë pak vetë për të justifikuar faktin që ata nuk arritën dot të bënin atë disidencë që u bë në Rusinë e Solzhenicinit.

Dhe atje në një kohë të gjatë nuk u bë asnjë disidencë. Unë them se shtypja ka qenë e rrallë dhe mjafton të kujtojmë jo vetëm vitet e para të terrorit kundër elitës intelektuale shqiptare, terror që ishte një praktikë e ditës, një sport i ditës në Shqipëri, por të marrim vitet e fundit, në mes të viteve shtatëdhjetë, është thënë disa herë, u pushkatuan dy poetë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, kur ndërkaq kishte njëfarë emancipimi në mbretërinë komuniste të botës.

Por unë do t’ju them një shembull tjetër edhe më të pabesueshëm. Pasnesër më 11 gusht mbushen 20 vjet nga varja e një poeti, unë po e përsëris, nga varja e një poeti shqiptar. Një poet shqiptar me emrin Havzi Nela u var në mes të Kukësit, u var më 1988. Është e pabesueshme. Një poet shqiptar varet para rënies së komunizmit dhe mbahet tre ditë i varur në sheshin e Kukësit për të tërrorizuar qytetin. Çfarë persekutimi, çfarë terrori ka pasur në Shqipëri. Megjithatë, mund të thuhet se letërsia shqipe, jo në formë kaq radikale sa Solzhenicini, por në forma më të përmbajtura si Pasternaku ose si Bulgakovi, ka arritur të shkruajë vepra që kanë shprehur rezervën e tyre të thellë kundër regjimit komunist.

Aleksandër Solzhenicini u bë i famshëm për shkak të disidencës së tij dhe pasqyrimit të komunizmit rus në tërë ashpërsinë e tij apo edhe për faktin e vlerave artistike që ai kishte si shkrimtar.

Solzhenicini është një shkrimtar i rrallë në fatin e tij ku vepra e tij letrare dhe dokumentare kanë pak a shumë një peshë të barabartë. Janë të dyja tepër të rëndësishme, janë të dyja tepër të fuqishme, sepse rrallë ka ndonjë shkrimtar që të ketë kryevepra letrare si “Pavioni i kancerozëve” që është thjesht roman artistik dhe të ketë një vepër dokumentare ose më mirë një dëshmi tronditëse si “Arkipelagu gulag”. Është shumë e vështirë për lexuesin të vendosë qoftë dhe nga ana e leximit artistik, sepse janë të dyja jashtëzakonisht të bukura, veç që janë tronditëse, lexohen me një frymë. Prandaj ai është një shkrimtar që e ka të ndarë veprën në dy korpuse pak a shumë të barabartë.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama