Duke botuar një dossier të tillë për krimet në Ballkan, a mund të na thoni diçka më tepër për lexuesit tanë? Ka ndonjë arsye zgjedhja e kohës së publikimit? Së fundi, a është e plotë dosja?
Ka vite që ka qenë e nevojshme një dosje si kjo. Madje, është disi vonë. Në Shqipëri është krijuar një zakon i keq: sapo shtrohet një çështje që duket sikur s’ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesat politike të ditës, nisin shkrofëtimet: ohu, ne kemi të tjera probleme, ky na ngre të tjera! Problemi i krimit vazhdon të jetë në thelbin e historisë së Ballkanit, në dy dhjetëvjeçarët e fundit. Ndaj mendimin e mësipërm, për kohën ose pakohën e dosjes, do ta quaja një dëshmim të ri të mendjelehtësisë shqiptare për të mos përdorur një fjalë më të ashpër.
Lidhur me qëllimin e botimit, përgjigjja është e prerë: pajtimi në Ballkan. E ky pajtim, nuk mund të bëhet pa pajtimin shqiptaro-serb. Ka njerëz që mendojnë se dosje të tilla të rënda, është më mirë që, në emër të paqes, të mbyllen. Unë e nderoj paqen si një gjë të shenjtë, por pikërisht, ngaqë kam këtë nderim, mendoj ndryshe. Eshtë e njohur thënia se popujt duhet të dijnë çka të kujtojnë, e të dinë çka të harrojnë. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur çështjet sqarohen. Për fat të keq, siç u tha, po ndodh e kundërta. Ndër problemet që paraprijnë paqen, është ai i krimit. Bota, ashtu siç njeh krime të mëdha, ashtu njeh edhe pajtime të mëdha. Por këto të fundit, kërkojnë shpesh burrëri më të madhe, se lufta. Unë besoj në mundësinë e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Kjo nuk është as deklarim diplomatik, e as një aspiratë humaniste. Jam shkrimtar dhe, përveç ndërgjegjes sime, s’kam as tagër e as detyrim tjetër. Jo vetëm besoj në pajtim, por e quaj atë të domosdoshëm. Eshtë mision i detyrueshëm i dy kombeve. Europa, SHBA dhe një pjesë e botës, i besuan gjer më sot të vërtetës së njohur dhe e ndëshkuan Serbinë. Kjo e fundit, mendon ndryshe. Eshtë punë e saj. Në qoftë se sot mendohet se, pala shqiptare, gjithashtu, ka bërë krime, le të hetohet.
Pra le të hetohen krimet e gjithkujt. Dhe të vihen në peshore. Të gjendet përpjesëtimi midis tyre, siç thuhet. Në fund të fundit, thelbin e drejtësisë në planetin tonë e përbën pikërisht përpjesëtimi. E shqiptarët s’kanë pse të kenë asnjë grimë droje në këtë rast. Lidhur me pyetjen se a është e plotë dosja që po botohet, do të thoshja, jo. E tillë do të jetë, ndoshta, në një botim të veçantë.
Vuk Drashkoviç gati çerekshekulli më parë, ju është drejtuar, si koleg. Vite më vonë, ai do të bëhej minister i jashtëm i Serbisë. A mund të na flisni për dialogun mes jush, në se ka patur vërtet dialog?
Më 1987, kur është shkruar kjo letër, nuk më kujtohet t’i jem përgjigjur. Ajo është botuar së pari në shtypin serb. Madje, nuk më kujtohet ta kem ditur. Ju mund të thoni se mjafton kjo arsye, por unë po vazhdoj: edhe po ta kisha marrë letrën, nuk besoj se do t’i përgjigjesha. Shqipëria ishte vend komunist dhe s’i njihte zakone të tilla si “letërkëmbim kolegësh”, etj. Veç kësaj, kontrolli i përgjigjeve, në raste të tilla, ta hiqte çdo dëshirë të merreshe me to. Pas vitit 1990, kur e lashë Shqipërinë, Drashkoviçi, me të drejtë, sipas mendjes së vet, ka kujtuar ndoshta se tani që isha i lirë, mund ta kryenim dialogun e munguar. Dhe e botoi letrën në shtypin francez, truallin asnjanës për dialogun apo më saktë dyluftimin tonë shkrimtaror (po të më lejohej një fjalë e tillë). Ç’është e vërteta, letra e tij nuk ishte në nivelin që e kërkonte pesha e problemit. Çështja e Kosovës meritonte një tjetër rang e një tjetër stil, shumë më serioz. Nuk do të desha ta fyej Vuk Drashkoviçin, tani që ai ndodhet në rënie e në hije, por nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht letrën e tij. Të vinte keq që, një shkrimtar i talentuar si ai, kishte rënë në psikozën nacionaliste, pikërisht, në atë për të cilën më qortonte mua “si kolegu kolegut”.
Kam kërkuar pra, një rang jo vetëm më të lartë, por edhe më dobiprurës për Kosovën e për gjithë Ballkanin, çka dokumentohet në letrat që po botoni ju, si dhe në shumë intervista dhe shkrime në gazetat më të mëdha të kohës.
Me sa di unë, letra e Drashkoviçit është botuar në “Le Monde diplomatique” të Parisit më 1999, në prag të bombardimit të Serbisë. Ka qenë e rastit një gjë e tillë apo e qëllimshme?
Drashkoviçi e ka botuar letrën disa herë. Ka gjasë që, i përndezur nga idea e dyluftimit, dhe natyrisht nga pozita si ministër i Jashtëm, që mori më pas në Beograd, (gjëja e fundit që mua mund të më impresiononte), ai ka kujtuar se ajo letër mund të hynte në punë në çastet kritike. Në të vërtetë, ndodhte krejt e kundërta. Sa herë që ai e botonte atë, Drashkoviçi humbtte. Dhe kjo ishte e kuptueshme: të gjitha ato krime të tmerrshme, që ai përshkruante në letrën e tij, po ndodhnin vërtet, por me një ndryshim: ato nuk kryheshin prej shqiptarëve “të mij”, por prej serbëve “të tij”. Ndryshimi, siç e shihni, s’ishte i vogël. Kurse Drashkoviçi naiv nuk kuptonte, ishte i bindur se Europa ishte me të. Letra e tij, siç e shihni, përfundon me fjalët: “A besoni, me të vërtetë, se Europa dhe bota kurrë nuk do ta marrin vesh të vërtetën?”. Sytë e Europës ishin hapur ndërkaq. Letra e Drashkoviçit punonte në të vërtetë kundër tij dhe, natyrisht, kundër Serbisë. Gjithmonë, pa dashur ta fyej, do të mundja t’i thoshja sot: kolegu Drashkoviç, para kaq e kaq vitesh na keni ndihmuar jo pak, me atë letrën tuaj…(Pa bërë aspak humor, e pranoj se edhe ai mund të më kthehej: kolegu Kadare, mos u ngutni, ashtu siç po vijnë punët, s’dihet si mund të përfundojnë!). Në të vërtetë Serbia po përpiqet sot pikërisht për këtë: ta ritregojë historinë.
Përpara këtij dialogu, që Drashkoviç propozon, a ju ka qëlluar të keni patur takime apo këmbim mendimesh, me shkrimtarë të Serbisë?
Shumë herë. Në forume ndërkombëtare, kryesisht, por edhe në mjedise pariziane: pritje, darka. Pavarësisht nga retorika e ashpër, që sundonte në shtypin serb, ata kanë qenë, përgjithësisht, të respektueshëm, dhe jepnin përshtypjen se nuk kishin të bënin me atë retorikë. Pas Danilo Kishit, më të madhit shkrimtar të gjallë të Jugosllavisë, që e kam njohur dhe takuar disa here, ndër shkrimtarët serbë, më i njohuri ka qenë Milorad Paviç, autori i “Fjalorit të Khazarëve”. Ishte ruajalist, me çka shpjegohej, sipas disave, heshtja e tij e pazakonshme në forumet ndërkombëtare. Më i çuditshmi dhe i ngjajshëm me një personazh të Dostojevskit, ka qenë Miodrag Bulatoviç, nacionalist i shpallur, ish kryetar i Lidhje së shkrimtarëve serbë. E kam njohur në të vetmen veprimtari ndërballkanike, ku Shqipëria ka marrë pjesë, gjatë komunizmit, në Bor të Jugosllavisë. Kam qenë i ftuar bashkë me D. Agollin, dhe në darkën e parë zyrtare, na është ulur në tryezë, duke thënë se ishte armik i shqiptarëve, ngaqë i adhuronte ata. Ka vazhduar kështu një rrëfim delirant, për vuajtjet që i shkaktonte dashuria e përzier me urrejtje ndaj shqiptarëve, dhe për fatalitetin që mund t’i përplaste këta dy kombe, gjersa njeri t’ia thyente kokën tjetrit. Me D. Agollin fliste rusisht, me mua frëngjisht. Stili i tij, kishte diçka të përbashkët me atë të letrës së Drashkoviçit, por shumë më i turbullt, dhe më befasues. Një çast, duke m’i ngulur sytë, më tha: tregohu i sinqertë, Kadare, dhe pranoje se ka së paku dhjetë vila të fshehta në bjeshkët shqiptare, ku përpunohen planet për shkatërrimin e Serbisë. I thashë se nuk besoja një gjë të tillë, kurse me vete mendova, s’do të ishte keq të kishte qoftë edhe një të vetme, ku të përpunohej strategjia shqiptare. (Për fat të keq, në se kishte vila të tilla, ato mund të ishin për mbrojtjen e Stalinit, a të marksizëm-leninizmit, a për marrëzi të ngjajshme). Ai ngulte këmbë për vilat misterioze, dhe kjo i shkaktonte një tmerr e vuajtje të pafund. Herë pas here shtonte: nuk do të arrini dot, sepse ne do të jemi më të shpejtë dhe sytë i shkrepëtinin. Kur e kapi prapë frika e vilave, më shkoi nëpër mend se s’do të ishte keq të vetvuante, ndaj për vilat, nuk e kundërshtova më. E kapi këtë ndryshim, m’i nguli sytë në mënyrë dramatike, dhe tha: eh, e pranove, më në fund. Pastaj psherëtiu, ku, ku, nëne, më duket se do të na sulmoni...Kurse ata, akademikët tanë në Beograd, i ka zënë gjumi. (Pak a shumë, diçka të ngjajshme, mendoja për gjumin e akademikëve tanë në Tiranë)
Sado surealiste të dukej, e folura e Bulatoviçit e jepte saktë skizofreninë e kohës: atë që serbët mendonin vetë, e projektonin tek të tjerët. Ditën e ikjes, kur na pa që po niseshim, vrapoi të na përcillte në mënyrë të bujshme, madje, të na mbante valixhet gjer te makina, ndërsa thërriste ta dëgjonin të gjithë: kështu është Bulatoviçi, i hapur, i sinqertë, armiku por dhe miku më i madh i shqiptarëve!
Në fund të letrës, Drashkoviç, ju kritikon për romanin “Krushqit janë të ngrirë”. Pse?
Pyetja juaj ka lidhje me thelbin e këtij dossier-i: plojën në Ballkan. Po të lexohet me kujdes letra e Drashkoviçit, në të flitet gjerësisht për krime në Kosovë. Eshtë viti 1987. Është mbyllur dosja e përgjakshme e Bosnjës dhe Serbia po përgatitet për masakrën e radhës. Letra e Drashkoviçit e tradhton pa dashur këtë projekt. Gjithçka që do të bëhet, ai e paraqet si një histori të kryer ndërkaq. Veç jo prej serbëve, por prej shqiptarëve. Mirëpo kujtimi i masakrës së pranverës së vitit 1981 është bezdisës për projektin e ri. Masakra e Prishtinës ka qenë prologu i tragjedisë së re në Ballkan. Si një proverb i ri qarkullonte shprehja: Në Kosovë nisi, në Kosovë do të mbarojë.
Libri “Krushqit janë të ngrirë ” flet pikërisht për ngjarjet e 1981. Ndaj ai ka qenë tepër i bezdisshëm për serbët. U shkrua fill pas ngjarjeve, në vitin 1982, dhe u botua një vit më pas. I përkthyer në anglisht e frëngjisht e, më pas në shumë gjuhë të tjera, ai libër ishte dëshmia e parë dhe e vetme, në një trajtë artistike, e një masakre të papërfytyrueshme mu në mes të Europës. Ishte hera e parë që bota, nëpërmjet një vepre të tërë, vihej në dijeni për krimin jugosllav, shtetit të përkëdhelur prej të gjithëve si model i liberalizmit. Në këtë kah unë e kuptoj sulmin e Drashkoviçit. Ajo që s’kam kuptuar kurrë është sulmi, që më është bërë nga disa bashkëkombas të mi, letrarë të Kosovës. Në krye të këtij sulmi të palodhshëm kanë qenë S. Hamiti dhe R.Qosja. Dhe nuk ka ndodhur rastësisht, në ndonjë stinë nervozizmi, por në mënyrë të vijueshme, gjatë 20 vitesh, e ndoshta më tepër. I kam përmendur tepër rrallë këto sulme, duke i cilësuar të pabesa e të pamoralshme, sepse nuk kam ditur ç’emër tjetër t’iu vë. Ti mbron Kosovën, me libra, me letra, artikuj, intervista, ti shkruan mbi 1000 faqe për të, që botohen në dhjetëra gjuhë, e këta akademikë vazhdojnë sulmin kundër teje, kjo është për të vënë duart në kokë, siç thuhet. Madje i pari, Hamiti, është përqëndruar pikërisht te “Krushqit janë të ngrirë”, duke e quajtur, njëlloj si Drashkoviçi, libër pa vlerë.
Eshtë i kuptueshëm qëndrimi i Drashkoviçit, si avokat i krimit serb. I pakuptueshëm është qëndrimi i akademikëve nga Kosova. Në rastin e mësipërm, në shënjestër të sulmeve të tyre, përpara se të jetë shkrimtari, është dëshmitari. Dhe dihet, se sulmi kundër dëshmitarit ose dëshmisë së krimit, të bën dashur padashur, pjesë të krimit. Interpretimi im i kësaj fushate, që nuk mund të nderonte askënd, është i qartë: mos besoni asgjë nga ato që thotë shkrimtari I.K. Ai është stalinist, ai është i pabesueshëm. Do të isha kurioz të dëgjoja shpjegimin e palës tjetër.
Gati gjysma e letrave tuaja dërguar presidentëve europianë dhe Papës, janë shkruar brenda një kohe të shkurtër, shtator 1991. Keni patur ndonjë informacion alarmant për Kosovën, pikërisht në atë kohë? Ishte e vështirë tërheqja e vëmendjes për Kosovën, në një qytet si Parisi?
Eshtë e vërtetë se Parisi qëllon të jetë shpërfillës për shumë gjëra, por për një kureshti të madhe, kjo nuk ka ndodhur me Kosovën. Ka qenë e kundërta, sidomos në qarqet letrare. Madje, pati periudha që Kosova u bë, si të thuash, e modës. Më kujtohet se, pikërisht kjo shprehje, është përdorur prej shkrimtarit Patrick Besson, i cili, për shkak të zanafillës gjysmësllave, nuk kishte simpati për Kosovën. Në një shkrim që bëri jo pak bujë, u acarua me kolegët e vet parisianë, ngaqë, sipas tij, ata ishin dalldisur aq fort pas Kosovës, saqë mund të thuhej se “Kosova ishte bërë moda e fundit e St. Germain des Pres”. Kohë më pas, gjithmonë brenda kësaj klime, njeri prej më të shquarve shkrimtarë dhe filozofë, Bernard Levi, shkaktoi edhe më shumë bujë, me shkrimin e titulluar “Lamtumirë, Regis”, drejtuar kundër filozofit Regis Debrais, i cili njëfarë kohe mbeti i mënjanuar (siç e tregon titulli i shkrimit), për shkak të proserbizmit të tij. Një rast tjetër, krejtësisht i habitshëm, ishte ai i më të madhit shkrimtar të gjallë të Francës, Julien Gracq, i cili pas tridhjetë e ca vite tërheqjeje nga jeta letrare, (mund të thuhej një lloj Lasgush Poradeci i Francës), të vetmin artikull që botoi, deri sa vdiq, ishte një shkrim pasionant për Kosovën.
Ky interesim lidhej, me sa dukej, veç të tjerash, me faktin që bota letrare kishte patur një familjarizim me emrin e Kosovës, e me mitin e saj, për të cilin, serbët kishin punuar shumë. Mund të thuhet se lufta e vjetër e Kosovës, e cila në vetvete kishte një tërheqje romantike, po kthehej kundër serbëve. Franca kishte zbuluar befas se miti romantik i “djepit serb”, kishte fshehur për një kohë të gjatë, një tjetër të vërtetë të trishtueshme: krimin.
Në përgjigjen ndaj letrës tuaj, presidenti francez Zhak Shirak, gjashtë muaj përpara se NATO të ndërhyjë në Kosovë, duket ju beson një sekret, kur ju shkruan se mund të përdoren armët, që të heshtin armët, çka dhe vërtet ndodhi.
Eshtë e vërtetë se në letren e tij të 9 shtatorit 1998, presidenti i Francës më ka besuar diçka që, ju, me të drejtë, e quani sekret. Gjashtë muaj përpara se NATO të ndërhynte me armë në Jugosllavi, në letrën e presidentit shpallet një gjë e tillë fare haptas, pa lëkundje dhe pa asnjë kujdes diplomatik. Ky mund të quhet sekret e, njëherësh, mirëbesim. E kam çmuar shumë këtë sinqeritet të tij. Nuk lidhej vetëm me faktin se presidenti, si lexues i pasionuar i letërsisë artistike, kishte njohje me shkrimtarin dhe veprën e tij. (Prej kohësh qarkullonte nëpër Paris, një pëshpërimë dashamirëse, se joshja e presidentit për poezinë kishte shkuar aq larg, sa ta shtynte atë vetë, për një përkthim të ri të “Eugjen Onjeginit”). Mendoj se, në këtë rast, qëndrimi i tij e kapërcente njohjen vetjake. Sinqeriteti i tij prej burri shteti, ishte i një profili më të lartë, dhe lidhej me bindjen që ai duhej të kishte për atë çka ndodhte në Ballkan. Qëndrimi i tij në krah të Kosovës, kundër Serbisë, ishte, veç të tjerash, tepër kurajoz ngaqë ai vinte në kundërshtim me një traditë të njohur miqësie franko-serbe. Duhet thënë se Franca nuk është një vend që mund ta ndjekë lehtësisht presidentin në aksionin e tij. Shpesh, ka ndodhur e kundërta. Në këtë rast ajo e besoi dhe e ndoqi pas, dhe ky ishte një befasim jo i paktë, që luajti një rol të ndjeshëm në krejt Europën.
Le të kthehemi në Rambujé. Në librin tuaj “Ra ky mort…” keni përfshirë një letër dërguar delegacionit kosovar. Përse e ndjetë të nevojshme këtë ndërhyrje dhe pas kaq vitesh, a kishit të drejtë t’i drejtoheshit kaq ashpër ekipit të Kosovës?
Keni të drejtë për një farë toni të prerë të letrës, madje, në kohën kur e shkrova, ime shoqe, tek po e shtypte, më bëri pikërisht këtë pyetje: a mos ishte pak e ashpër kjo letër?
Kisha ndjesinë se jo, madje, sa më shumë kalonte koha, aq më tepër më dukej se kisha patur të drejtë. Në ditarin për Kosovën, kam përshkruar me hollësi atmosferën kur u shkrua letra. Sot, pas kaq vitesh, më duket e pabesueshme ajo klimë dhe gjithçka tjetër që ka ndodhur. Një valë e pafund thëniesh e pëshpërimash qarkullonin ditë e natë, rrotull kështjellës ku ndodhnin bisedimet. Në ditarin e botuar, janë përmendur disa prej tyre, por natyrisht, jo të gjitha. Çështja kryesore që vihej në diskutim ishte përbërja e dërgatës. Mendimet ishin nga më të skajshmet, që nga ato që gjithçka e shihnin me ngjyrë rozë, gjer tek ata që mendonin se dërgata ishte e gabuar. Tregoheshin të qena e të paqena, shpesh fantazira të pastra, por edhe të vërteta, që nuk ishin larg fantazisë. Çoroditja e delegatëve ishte një nga temat e parapëlqyera. Pastaj me radhë flitej për lëkundjet e papërligjura. Për romët që bënin pjesë në dërgatën serbe, e që, për mendimin e disave, kishin rol të linin pa gjumë shqiptarët, me gërnetat e tyre, e për të tjerët edhe më keq, për të dhënë sinjale, po me ato gërneta. Për mungesën, qoftë edhe të një delegati katolik, që binte në sy meqenëse mbledhja bëhej, si të thuash, në Europë. Për Madeleine Albright që “tanët e kishin lënë të priste gjysmë ore te dera!” (e fortë, për besë, kur e lanë ministren amerikane, kushedi ç’do t’iu punojnë të tjerëve!). Për grindjen, që kishte plasur ndërkaq, se kush do të bëhej kryeministër i Kosovës. Dhe përsëri për lëkundjen: të nënshkruanin, të mos nënshkruanin. Dhe mbi të gjitha, për trysninë amerikane: duke mos e nënshkruar, ju po mbroni me thonj e me dhëmbë Serbinë, jo Kosovën. Për lëkundjet e orës së fundit. E prapë për ultimatumin amerikan: në qoftë se nuk nënshkruanin, ne do t’ju kthejmë krahët! Kjo e fundit ishte vërtet surealiste, një ultimatum që të detyron të pranosh bombardimin e armikut tënd! Me fjalë të tjera, të pranosh lirinë në vend të robërisë! Natyrisht ngjante si fantazi, por e tmerrshmja ishte se pikërisht kjo e fundit po vërtetohej. Ishte verifikimi i saj, shkaku i shkrimit të letrës. Fakti i tmerrshëm është thënë fare haptas qysh në paragrafin e parë. Për të mos u zgjatur, mund të thuhet se diçka e keqe ka ndodhur atje në Rambujé. Që ndoshta, është mbuluar me kujdes. Që duhet të dalë. Për të mos u përsëritur. Për të mos dëmtuar më.
Çështja Dick Marty: si e vlerësoni reagimin e Kosovës dhe të Shqipërisë?
Kjo lidhet me pyetjen tuaj të parë, çështjen e krimit. Në Shqipëri, e sidomos në Kosovë, është dashur që të mos mbyllej goja e të qëndrohej duarkryq, në kohën që Serbia, fare haptas, e nisi kundërfushatën e saj për të përmbysur të vërtetën. Për këtë mbyllje goje, nuk mund të lajë duart nga faji klasa politike në Shqipëri e, sidomos, në Kosovë. E bashkë me ta, historianët, akademikët, publicistët, bashkë me institucionet ku punojnë. Asnjë vend nuk e lë veten të kapet në befasi, siç u kapëm ne, në këtë rast. Nuk është rasti, në caqet e kësaj interviste, të analizohen rrethanat dhe shkaqet e plota për këtë. Mund të thuhet vetëm se bjerrja morale e etja për pushtet, vazhdojnë të thithin energjinë kryesore shqiptare, kështu që s’mbetet as vëmendje, as energji për të tjerat. E këtu s’duhen harruar rimohuesit shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të mbrojnë çdo bashkësi tjetër nga dhunimi shqiptar (puna ka arritur gjer atje sa që edhe otomanët, sipas tyre, kanë qenë shpesh viktimat tona), por veç një popull s’duan ta mbrojnë kurrë, atë të vetin. Çështja Dick Marty nuk kishte pse të krijonte panik në të dy shtetet shqiptarë. Për fat të keq, ndodhi ashtu, sepse skandali u lidh me bezdinë që mund t’i krijonte njerit apo tjetrit krah politik. Do të duhej të pritej gjithçka me gjakftohtësi. Të hapej menjëherë rruga për hetime, madje të falenderonim ato organizma ndërkombëtare, që do të na zbulonin kriminelët e fshehur mes nesh. Krimi nuk ka atdhe. Kriminelët shqiptarë të çdo lloji, përpara se të jenë armiq arketipalë të njerëzimit, janë armiqtë numër një të kombit shqiptar. Ky do të ishte i vetmi arsyetim dhe e vetmja qasje e çështjes. Përrallat e tjera se shqiptari e bën këtë gjë, ose nuk e bën këtë gjë, janë veç sofizma të mjera. Shqiptari mund të bëjë çdo gjë të mirë në këtë botë, po aq sa ç’mund të bëjë çdo gjë të keqe në të njëjtën botë. A kishte ngjyra racizmi, në mënyrën e bujshme, jokorrekte, siç u shpall skandali? Natyrisht, që kishte. I ngjante rrëfenjave me vampirë e me vrasje rituale, tepër të përshtatshme për psikoza raciste, siç kishin bërë racistët gjermanë kundër hebrejve, në prag të Holokaustit. Në një shkrim të shkëlqyer, të botuar kohëve të fundit në gazetën “Le Monde”, publicisti shqiptar S. Kryemadhi, me banim në Belgjikë, ka trajtuar, ndër të tjera, pikërisht këtë ngjashmëri. Eshtë disi i habitshëm përkimi i akuzës së njëjtë për trafikim organesh, që në vitin 2009 iu bë Izraelit, shtetit patologjik, sipas antisemitëve. Por Izraeli, i cili ka përvojë të gjatë kundër shpifjeve të tilla, dijti të mbrohet. Një shembull që do të ishte mirë ta ndiqte Shqipëria, e cila gjithashtu, ka histori të gjatë si gjah i sulmuar, por tepër rrallë si një luan që kundërsulmon.
Ndërkohë që Beogradi ngre në mediume botërore sajime për krimet e UÇK, a e kanë bërë detyrën e tyre kolegët tuaj të Kosovës, si akademikë apo shkrimtarë për dënimin e krimeve monstruoze në Kosovë si përdhunimet e grave e vajzave kosovare, vrasjet e fëmijëve?
Ka kohë që racizmi antishqiptar ka zenë vend në Europë, jo veç në lajme çoroditëse, por në libra, filma e në rrëfenja urbane të pafundme. Sigurisht që një pjesë e fajit bije mbi vetë shqiptarët. E keqja jonë është shpërfillja jonë, ndaj akuzave krejtësisht të padrejta, por tepër dëmtuese. Rimohuesit, që i përmenda pak më parë, jo vetëm i duartrokasin këto akuza, por çdo përpjekje për mbrojtje e quajnë “kombtarizëm” të dëmshëm, madje “racizëm”! Vite më parë, një stuhi racizmi kundër shqiptarëve e shkaktoi filmi “L’amerika” i Xh.Amelios. Opinioni shqiptar u nda më dysh. Shumica u dëshpëruan prej filmit, por të tjerët u ngazëllyen prej tij, aq sa njeri prej rimohuesve nuk e mbajti dot klithmën në shtyp: “Faleminderit, Amelio”. Nuk do të rikthehem te racizmi i pështirë i këtij filmi. Dua të kujtoj vetëm se, në kohën kur doli dhe u paraqit në festivalin e Venedikut, kryetari i jurisë së festivalit, shkrimtari i madh Vargas Llosa (nobelisti i fundit), në formë ultimative, me kërcënimin se do të jepte dorëheqje, kërkoi përjashtimin e filmit nga konkurimi, për shkak të racizmit antishqiptar. Vargas Llosën e ndan nga vendi ynë oqeani Atlantik, s’ka patur asnjë lidhje me Shqipërinë e s’ka qenë kurrë në këtë vend, megjithatë ndërgjegja e tij nuk e pranonte dot atë shëmti. Pikërisht atë shëmti që rimohuesit tanë i bëri të shkriheshin nga kënaqësia. Që të kthehemi te Dick Marty. Edhe sikur të kishte diçka të vërtetë në akuzat e tij, madje edhe sikur të kishte ndodhur vërtet, që disa kriminelë psikopatë shqiptarë, ta kishin kryer atë tmerr, kishte arsye të dëshpëroheshim, por jo të binim në panik. Ne kishim dosjet tona ngjethëse, të cilat për turpin tonë, nuk i kemi bërë të ditura. Do të mjaftonte shifra prej 800 foshnjash shqiptare nën pesë vjeç të therur si berrat, një pjesë në sytë e prindërve, që bota të kuptonte se në cilën anë ishte e drejta. Këtë fakt nuk e ka dhënë ndonjë politikan, analist, a filozof shqiptar, por gazetari serb Miroslav Filipoviç. E ka shpallur në shtypin anglez dhe francez në vitin 2000 dhe ka bërë burg për këtë. Ndoshta gabohem, por emrin e këtij gazetari hero nuk e kam ndeshur në shtypin shqiptar. Në qoftë kështu, merret me mend shkaku: ky gazetar e ka vënë në skajim të vështirë ndërgjegjen tonë. Dhe s’është vetëm kjo. Eshtë dosja e të zhdukurve. Eshtë dosja tjetër e rreth 20.000 grave e vajzave të përdhunuara, shpesh herë në sytë e familjarëve, sipas humanistes shqiptare nga Kosova, Veprore Shehu, e cila disa javë përpara, ankohej gjithashtu për heshtjen e turpshme. Ne s’kishim përse të hutoheshim as nga Carla del Ponte, as nga Dick Marty. Mjaftonte që në peshoren e drejtësisë të viheshin foshnjat e vrara dhe gratë e përdhunuara, që anën tjetër të peshores të mos e trondiste dot asgjë. Por ne s’e kemi bërë këtë sepse, qofshin politikanë apo akademikë, e kemi mendjen, për turpin tonë të pafund, kundër njëri-tjetrit.
Për ta mbyllur këtë përgjigje jo të gëzueshme, do të thoshja se Shqipëria dhe Kosova sot, jo vetëm që pa asnjë lëkundje duhet të lejojnë hetimet, por duhet t’i nxitin ato, edhe sikur akuzuesit, dinakërisht e pa zhurmë, të tërhiqen prej tyre. E keqja është bërë ndërkaq dhe përgënjeshtrimi duhet të kryhet. Të dy shtetet shqiptare duhet të kërkojnë me ngulm të vërtetën. Madje, edhe po të jetë se krime të tilla makabre a të ngjashme me to, kanë ndodhur vërtet, kombi shqiptar s’ka pse të ligështohet. Duke dorëzuar kriminelët, ai do të ndihet më mirë. Eshtë emancipimi i brendshëm. Eshtë lehtësimi që jep nxjerrja e së keqes. Në fund të fundit, shprehja aq e vjetër dhe aq e njohur shqiptare për ikjen, për “marrjen e së keqes”, prej këndej duhet ta ketë zanafillën.
Në lidhje me librin tuaj “Mosmarrëveshja”. E di që ka patur shumë lexues, shumë reagime, por jo aq sa duhet në shtyp. Çfarë jehone prisnit, në fakt? A jeni befasuar në ndonjë rast, apo për ju, si autor, kjo pak rëndësi ka?
Ka gjasë të jetë ashtu, por kjo as më shqetëson e as më çudit. Kur ka arsye për ta dashur një libër, qëllon që ka arsye të kundërta për të mos e dashur. Kur një sprovë letrare si kjo, pak a shumë e vështirë, ka një përhapje të vrullshme, siç më tregon botuesi im, kjo tregon një nivel të lartë të lexuesit shqiptar. Ndërkaq, gjithmonë sipas botuesit tim, pa u mbushur gjashtë orë pas daljes së librit, është bërë një sulm kundër tij. Unë s’gjej ndonjë arsye të vras mendjen se ç’e shtyu gazetarin për këtë ngutje heroike, nëse mund të përdorej një shprehje e tillë. Libri është cilësuar prej sulmuesit, ndër të tjera, racist, që është edhe guri i fundit që mund të hidhet kundër një libri dhe kundër një autori në Europë. Nuk e njoh nivelin kulturor të këtij gazetari, por cilidoqoftë ai, s’mund ta besoj kurrsesi se nuk ka dijeni se ç’është racizmi dhe ç’është akuza për racizëm, kundër një shkrimtari të njohur. Pa dashur ta fyej, mendoj se kemi të bëjmë me një shërbim të tij, ndaj një klani. Pikërisht klanit, që është fshikulluar në librin “Mosmarrëveshja””. Gazetari në fjalë, (le ta quajmë “gjashtorëshi”), ka zgjedhur, me sa duket, si model të menduari pikërisht klanin e mësipërm. Për të mos u zgjatur, ky klan mbron mendimin se të këqijat e sotme të Shqipërisë, që nga varfëria gjer te përçudnimi i demokracisë e gjer te ndotja e pashembullt morale, këto tre turpet tona kombëtare, na ardhkan nga që shqiptarët paskan një dashuri të tepruar ndaj kombit (atdheut)! Besoj se është krejtësisht e kundërta. Ka shekuj që shqiptarët, për shkaqe që s’është vendi të trajtohen këtu, kanë probleme me kombin. Rrallëkund në Europë ka ndodhur diçka e tillë. Gati tre Shqipëri të braktisura janë fundosur në detin osman, ku nxijnë ende sot, si anije të mbytura, pa asnjë shpresë. Dhe pas kësaj, ta qortosh këtë popull se si shumë qenka i dhënë pas atdheut e kombit, kjo do të thotë të tallesh e të kënaqesh me gjymtimin e tij. Ky klan dinak, që e shet acarimin ndaj kombit si modernizëm dhe kushtëzues për hyrjen në Europë, në të vërtetë është klan antieuropian. Sepse debati për shenjat kombëtare është i pandarë nga rikthimi i Shqipërisë në kontinentin nga u shkëput. Atdhetarizmi, zanafilla e shenjave kombëtare ka lindur në Europë dhe është prodhim dhe tipar thellësisht europian. Perandoritë mesjetare me të cilat, për fatin e saj të keq, ka patur punë Shqipëria, si ajo bizantine, e sidomos ajo otomane, nuk e njihnin kombin. Perandoria e tretë, sovjetikja, nuk ishte larg. Dihet se Stalini, i dalldisur pas komunizmit rrafshues botëror, u kujtua për atdheun e për kombin vetëm kur Gjermania naziste, katër herë më e paktë si popullsi e katërmbëdhjetë herë më e vogël si truall, po e thyente, për turp të tij. Ai ringjalli me ngut fjalën “atdhe”, ringjalli kujtimet, heronjtë, madje shkoi më larg, liroi nga burgjet mijëra oficerët e dënuar, ndër të tjera, për “atdhetarizëm-kombëtarizëm” dhe, jo vetëm i çoi në front, por i vuri të komandonin një pjesë të ushtrisë që po thyhej. Ishin ata oficerë, një nga faktorët kryesorë të fitores mbi nazizmin, por që fill pas mbarimit të luftës, patën një nga epiloget më të trishtuar të historisë: ndërsa miliona njerëz në sheshet e panumërta të Rusisë festonin fitoren, ata i nisën prapë drejt burgjeve e kampeve, për të kryer dënimin e ndërprerë…
I tillë është tragjizmi kundërthënës i kombit, i cili mund të përdoret për mirë ose për keq. Dua të theksoj këtu, se nuk ka asgjë himnizuese në këtë gjykim. Përkundrazi, përveç spekulimeve, madje krimeve që janë bërë në emër të kombit (ashtu siç janë bërë në emër të lirisë), është nënvizuar gjithmonë përmasa e paqartë, misterioze, madje shpesh në kundërshtim me arsyen, e kësaj ndjenje.
Tek ne ka kohë, që ka një keqkuptim për çështjen e kombit. Kalohet nga një skajshmëri tek tjetra.
Jo vetëm tek ne. Ndodh kudo, veçse tek ne, si zakonisht, gjithçka dramatizohet më fort. Më lejoni që kundër zakonit tim, të sjell këtu një citim nga teksti monumental “Ç’është kombi ?” i Ernest Renan-it, një nga autorët më të besueshëm, për një nga çështjet më të ndërlikuara të kohës. “Kombet nuk janë diçka e përjetshme. Ato e kanë një fillim e do të kenë një mbarim. Konfederata europiane ka gjasë t’i zëvendësojë. Por kjo s’është në rendin e ditës. Sot, qenia e kombeve është një gjë e mirë, madje e domosdoshme. Ekzistenca e tyre është një garanci e lirisë, e cila do të humbte nëse bota do të kishte vetëm një ligj, e vetëm një patron”. Duke ndjekur mllefin e pafund, të shoqëruar nga një injorancë e pafundme e një klani rimohuesish shqiptarë kundër kombit, vetvetiu bëhet pyetja: nga vjen gjithë ky duf? Asnjë vend europian nuk e ka shtruar në këtë mënyrë një çështje të tillë. Mos vallë ne shqiptarët, pasi u bëmë gaz i botës me atë kinsemisionin grotesk të mbrojtjes së marksizëm-leninizmit të braktisur prej botës, tani na ka marrë malli për ndonjë mision edhe më tragjikomik: të ngutemi të parët që t’i mësojnë botës: o sa mirë është të mos kesh komb! Natyrisht, më shumë se për të qeshur, është për të qarë. Eshtë e tepërt të bëhet pyetja, se mos vallë është idea e kombit që na pengon të jemi më të pasur, më të ndershëm, më të pakorruptuar? Gjithkush e kupton se është e kundërta, sidomos për korrupsionin, mallkimin tonë të përditshëm. Ndjesia për kombin mund të quhet e paarsyeshme, siç u tha, donkishoteske, por ka diçka për të cilën nuk mund të fajësohet kurrë: thelbi i saj është i painteres. Kurse thelbi i korrupsionit është i kundërt: me interes. Kjo kushtëzon mospajtimin e tyre jetë e mot.
Flitet gjithmonë e më shpesh për harmoninë fetare dhe për Nënë Terezën, që ju e përmendni në sprovën tuaj. A mund të na thoni diçka më tepër?
Kjo është diçka që e kapërcen personazhin e shquar. Dihet se harmonia e feve s’është as mburrje e kotë e as luks. Eshtë shumë më tepër. Sipas një ideje të vjetër, të mbrapshtë: sa më shumë të dobësohet një popull, aq më shumë përfitojnë të tjerët, që kanë probleme me të. Eshtë krejt e kundërta: popujt e shëndetshëm rrezatojnë shëndet, të sëmurët, sëmundje. Që të mos them gjëra të përsëritura, po e shtroj çështjen fare thjesht: Nuk e di a e keni dëgjuar, për shembull, se ka raste kur autori i këtyre radhëve akuzohet si një nga prishësit e harmonisë fetare? Natyrisht, s’kam ndër mend të nis të bërtas,për t’ju mbushur mendjen se s’është ashtu. Po ju them thjesht se nuk jam prishës harmonije fetare. Kam shprehur gjithmonë mendimin se Shqipëria do të hyjë në Europë me dinjitet, me të tre besimet e saj: katolik, mysliman, ortodoks. Kam përsëritur mendimin se shqiptarët me besim mysliman, janë po aq europianë sa edhe të krishterët. Se ata janë ndër shembujt e myslimanizmit më të përparuar e më njerëzor në shkallë botërore dhe për këtë, duhet të jenë krenarë, ata vetë dhe gjithë shqiptarët bashkë me ta. Për të mos e zgjatur, po ju kujtoj se ju po botoni letrat e mia dërguar katër presidentëve europianë e amerikanë, të katër të krishterë, dhe s’keni askund në to, më të voglin aluzion për respekt të munguar ndaj asnjë feje. Fondamentalistët nuk e pëlqejnë këtë gjë, sepse ata nuk e duan harmoninë. Ata gjenden në të tre besimet dhe në stil e në gjithçka të ngjajshëm. Që të mos iu shkojë mendja se po i përmend tre fondamentalizmat, për të mbajtur një qëndrim drejtpeshues, siç e kërkon etika, po shtoj se, ndër ata që sulmojnë sot autorin e këtyre radhëve, më i egri, më i palodhuri është një katolik qesharak dhe i dyshimtë, me një emër gjasme gjerman e gjasme italian (le të themi, njëfarë italo palo gjermanini). Nuk do ta përmendja këtë kotni, sikur të mos lidhej me një dukuri të sotme. Ky njeri hiqet si katolik i zjarrtë dhe flamurmbajtës, kundër fondamentalizmit islamik. Ndërkaq, urrejtja e tij numër një, mllefi që nuk shterron kurrë, është, për çudi, kundër shkrimtarit I.K. E quan fatkeqësi të kombit, armik të katolicizmit, të Shkodrës, të veriut, të verilindjes etj.,etj., pikërisht kur fondamentalistët e krahut tjetër e shpallin ithtar të katolicizmit, armik të myslimanizmit të Shqipërisë mesme, të Azerbaxhanit etj., etj. Me të drejtë ju mund të thoni: ç’merresh me një të lajthitur. E keqja është se këta të lajthitur po shtohen shumë në Shqipëri. E keqja është se marrëzia përparon çdo ditë dhe mëton të zejë vendin e normalitetit. Shqipëria sot është kthyer në vendin më të çoroditur të Europës. Eshtë si një zonë psiko-sizmike që nuk gjen qetësi. Trysni e përhershme, provokacione zinxhir, stres që nuk sos. Përherë e më shpesh bëhet pyetja: është një rastësi kjo që po ndodh apo një projekt i qëllimshëm? Ka njerëz që besojnë këtë të dytën. Në një klimë të tillë Shqipëria, rrezikon të humbasë orientimin europian, të humbasë aleatët, gjithçka.
Ka mendime aty këtu, se glorifikimi i Nënë Terezës në Shqipëri, në mënyrë të tërthortë, mund të prekë parimin e laicitetit.
Kurrsesi. Nervozizmi ndaj saj është krejtësisht i papërligjur. Një njollë për të gjithë. Përpara se një imam t’ia caktonte vendin e saj në ferr, përpara se një ministër kulture, vetëm disa minuta pas emërimit, (le ta quajmë “gjashtë minutshi”) të hiqte në mënyrë të bujshme portretin e saj, rimohuesit shqiptarë s’lanë gjë pa thënë, për humanisten e madhe. Vallë rimohuesit, e pas tyre imami dhe ministri, nuk e kuptojnë kaq gjë, se sot, në kulmin e racizmit antishqiptar, kur ky komb paraqitet përpara botës si një tribu që pjell veç gangsterë, vrasës, trafikantë prostitutash e organesh, befas vjen një sinjal në shkallë planetare, për t’i kujtuar njerëzimit se ky popull, nderon dhe zgjedh për model, jo vrasësit e trafikantët, por të kundërtën e këtij universi? Nëse është fjala për shkelje të parimit të laicitetit, me fjalë të tjera, që nëpërmjet humanistes i bëhet një theksim favorizues katolicizmit shqiptar, mendoj se kjo nuk është e vërtetë. E para, sepse në aureolën planetare të Nënë Terezës, zotëron dukshëm humanizmi. E dyta, sepse po të ishte për theksim fetar, anëtarësimi në Lidhjen Islamike do të ishte më bindës si shembull.
Eshtë vendi të thuhet këtu se katolikët shqiptarë, të shquar për modesti, sidomos në Kosovë, si pakicë fetare që janë, kanë nevojë për kujdesin tonë. Do të doja të isha i gabuar, por mendoj se bashkësia europiane, e cila me të drejtë e sheh Kosovën si model të respektit ndaj pakicave, mund të kishte treguar më shumë vëmendje, kur vëmendja ka qenë e nevojshme ndaj katolikëve, si në rastin e krijimit të qeverisë së fundit, në përbërjen e së cilës nuk ishte asnjë shqiptar i këtij besimi. Jam kundër çdo trajtimi të bujshëm të çështjeve të tilla, por pikërisht për këtë do të doja që qetësisht të vija në dukje problemin, në mënyrë që qetësisht të shkonte drejt zgjidhjes. Në fund të fundit, është detyrë morale për ne që s’jemi të të njëjtit besim me katolikët, që, sipas traditës së fisme shqiptare, të tregojmë kujdes për ta. Në të vërtetë, incidenti për të cilin u fol, nuk duhet të kishte ndodhur. Ai problem duhej të quhej i kapërcyer prej kohësh, qysh prej Rilindjes sonë, qysh prej formulës së Pashko Vasës. Kombformimi shqiptar nuk ka qenë kushtëzuar prej besimit fetar. Eshtë thënë kaq herë e dihet tashmë gjithkund, se shqiptarët njihen dhe ndihen shqiptarë, përpara se t’i përkasin njerit prej besimeve fetare, ashtu si gjermanët që nuk deklarohen si gjermanë katolikë ose protestanë, por thjesht si gjermanë. E po ashtu, francezët ose anglezët.
Në shkrimet që i kanë bërë jehonë “Mosmarrëveshjes”, është përmendur çështja e një doktrine shqiptare. A kemi ne një të tillë, dhe ç’mendoni për të?
Çdo komb priret të krijojë një doktrinë të vetën. Zakonisht zanafilla e natyrshme e saj është mbijetesa. Por shumë shpejt qëllon që përçudnohet. Në rastin shqiptar, lidhja e lirisë me kombin, në atë kah që shpjegon Renan, është tepër e rrokshme. Shqipëria i përjetoi tragjikisht në të njejtën kohë: humbjen e lirisë dhe muzgun që ra mbi kombin. Në fillim të shekullit XX iu kthyen të dyja, liria, e plotë, kombi i dëmtuar rëndë. Në kushte të tilla e, sidomos, në kushtet e ekzistencës në Ballkan të dy kombëtarizmave të skajshme: atij grek e atij serb, t’i propozosh shqiptarëve një acarim, një velje ndaj kombit të vet, do të ishte, siç u tha, më tepër se cinike. Për të gjykuar më saktë një doktrinë është e nevojshme antidoktrina (nëse ekziston) e saj. Me plot gojën, mund të thuhet: nuk ka një doktrinë shqiptare kundër dy popujve të Ballkanit: serbeve dhe grekëve. Nëse do të kishte një të tillë, do të ishte në turpin tonë, po të mos e dënonim atë. Ta shkulnim prerazi, pa dredhi, pa kthim. Do të duhej ta bënim këtë jo për t’u dukur, për reklamë a për të qenë të pëlqyeshëm ndaj Europës, por sepse një doktrinë antiserbe ose antigreke, do të ishte në thelbin e saj antishqiptare. Për moralin tonë historik, natyrisht, për ndërgjegjen tonë, por, në radhë të parë, për interesat tona. A ka një doktrinë antishqiptare te fqinjët e përmendur më lart? Për fat të keq po, sidomos te serbët. Ajo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, e botuar, dhe kryesorja, e padënuar. Eshtë doktrina Çubriloviç, versioni i fundit i një serë programesh të ngjashme, e titulluar nga vetë autori “Dëbimi i shqiptarëve”. E ngjizur gati në të njëjtën kohë me projektin nazist për hebrenjtë dhe, për nga thelbi, jo larg atij. Ky draft famëkeq, i rënë tani në koma, pret orën e saj. Bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë më 1999, por jo doktrinën. Historia e tregoi se doktrina Çubriloviç, e shpallur shtatëdhjetë vjet më parë, nga një akademik gjysmë zyrtar, duke qenë antishqiptare, ka qenë në thelbin e saj antiserbe. Thelbi i saj, siç e tregon titulli i draftit: “Dëbimi i arnautëve”, trajton problemin fatal, sipas tij, të Serbisë: Serbia s’mund të ketë jetë normale, pa dëbimin e shqiptarëve, me të gjitha mënyrat dhe me çdo mjet: me ushtri, me kërcënim, me reformë agrare, me terror, me polici, me qen. Të gjitha këto, përmenden një për një në këtë draft. Për të kuptuar diçka më shumë nga tragjedia e Ballkanit, Këshilli i Europës do të ishte mirë ta përkthente këtë draft të zi, në 27 gjuhët e BE-së.
Pas leximit të kësaj doktrine, s’besoj se do të gjenden ende trushkulur, nga ata që iu pëlqen të besojnë se duhet marrë me të mirë Serbia, që të heqë dorë prej Kosovës. Me fjalë të tjera, t’i thuhet Serbisë “na fal që ta shkëputëm nga kthetrat këtë popull që po ia merrje frymën me kaq zell e në mënyrë kaq të studjuar”.
Doktrinës së padënuar i është bërë një rishikim. Nuk shtrohet më çështja si më parë, dëbim, shpërngulje, spastrim etnik, por të gjitha këto zëvendësohen nga një fjalë, që tingëllon tepër joshëse për shovinistët ballkanas: deshqiptarizim.
Eshtë përdorur shprehja “trekëndëshi i Bermudës”, midis të cilit mund të humbë orientimin e të mbytet anija shqiptare.
Eshtë folur për deshqiptarizimin, kryesisht nëpërmjet turqizimit apo greqizimit. Eshtë fjala për tre vendet: Serbinë, Turqinë, Greqinë. Eshtë shpallur, por duhet të jetë e stërshpallur për jetë e mot, se me këto vende interesat e kërkojnë që Shqipëria të jetë në paqe dhe vetëm në paqe. Me të vetmin kusht: që ato gjithashtu të jenë në paqe me të. Mendimi historik, doktrina shqiptare, nëse do ta quanim kështu, nuk njeh asnjë synim, asnjë program për dëmtimin e asnjerit prej këtyre vendeve. Për fat të keq, nga ana e tyre ka ndodhur dhe ndodh e kundërta. Herë veçmas, e herë në bashkëpunim të tërthortë, këto tre vende kanë marrë pjesë në një program të vijueshëm antishqiptar: pushtim, shpërngulje, terror, shuarje të identitetit kombëtar, ndalim i gjuhës, për të ardhur gjer te versioni i fundit, ai që i përmbledh të gjitha: deshqiptarizimi i zonës shqiptare në Ballkan. Komisionet e shumta europiane, ato që me shumë të drejtë, po mbikëqyrin mbrojtjen e pakicave në rrezik, qoftë etnike, fetare a kulturore, me një shpërfillje të habitshme, ndjekin këtë deshqiptarizim. Ai jo vetëm nuk i shqetëson, por ka gjasë t’iu duket një proces pozitiv në fundajën e shkuljes së nacionalizimit të keq në Ballkan. Kjo mbrapshti, nuk mund të ndodhte pa ndihmën e rimohuesve shqiptarë. Herë nën maskën e çmitizimit, herë në atë të luftës kundër shqiptarocentrizmit, këta rimohues, më të egrit e Europës, po bëjnë çmos të dobësojnë sistemin imunitar, atë pa të cilin asnjë komb s’mund të qëndrojë gjatë në këmbë. Në këtë klimë çoroditëse, në shtypin e Tiranës e të Prishtinës shfaqen aty-këtu projekte të errëta, si ato që nisin zakonisht me hamendjen “në rast se Europa ose SHBA na braktisin, ku do të shkojë Shqipëria”? Fill pas hamendjes se errët, është e gatshme dhe krejt befasuese zgjedhja. Duam s’duam, nga e keqja (vërtet nga e keqja apo ashtu i pëlqen dikujt?), s’na mbetet veç orientimi neootoman! Shkurt, në rast se Europa dhe SHBA na braktisin, e paskemi një zgjidhje! Sado që mund të tingëllojë grotesk, ky propozim është përsëritur pak kohë më parë, në një gazetë të Tiranës. Madje janë përmendur edhe shtetet e “unionit të ardhshëm turk”, si Azerbajxhani, Turkmenistani, e të tjerë, midis të cilëve Shqipëria bashkë me Kosovën, pasi t’i thonë lamtumirë Europës do të strehohen e do të gjejnë, më në fund, rehat… Siç shihet, projekti i vjetër i ndarjes nga Europa nuk po i shqitet Shqipërisë. Dikush punon për të, madje me shumë zell. Të dy shtetet shqiptarë, me sa duket, janë të verbër ndaj shenjave të tilla. Ndërkaq projektuesit nuk rrijnë duarkryq: çdo ditë shkojnë më larg, çdo ditë presin kohën antieuropiane. Ora antieuropiane do të ishte fundi i Shqipërisë. Qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk mund të bëjnë sikur nuk e shohin ç’ndodh. Ata nuk mund të mos shqetësohen, kur shohin shenjat e para, ndonëse të drojtura, të antiamerikanizmit.
Shqipëria me dy shtetet e saj, në vend që sot të ndihej më e fortë se kurrë, ndihet e dobët. Morali i saj historik ka pësuar rënie, busulla e saj është dëmtuar.
Eshtë folur, madje botuesi juaj e ka konfirmuar, se do të ketë një botim të ri të “Mosmarrëveshjes”, me disa plotësime dhe rishikime. E parashikoni një gjë të tillë ?
Besoj se po. Ka libra që, për vetë natyrën e tyre, krijojnë përshtypjen se mbeten të pambyllur. Kjo, pa qenë ndonjë meritë kushedi çfarë, aq më pak mund të merret si mungesë. Në epilogun e librit do të doja të gjeja më shumë arsye për të shpresuar. Jo për një shpresë të rreme, e cila përveç çasteve të krizës, nuk i shërben askujt, por për atë lloj shprese, të cilën jemi të detyruar ta gjejmë e ta nxjerrim prej andej ku, ndoshta, është mbuluar, si nën gërmadhat e një lëkundjeje sizmike, siç u tha, dhe pret ndërhyrjen tonë shpëtuese. Do të doja të besoja më shumë në të ardhmen europiane të ballkanasve, e cila, duan apo s’duan ata vetë, do të jetë pak a shumë e njëkohshme. Kjo është një sagë e re, në thelb heroike, por me kostum civil, i cili ende iu shkon keq banorëve të gadishullit. Kjo nuk është një kureshti antropologjike. Të prodhosh doktrina hakmarrëse në Ballkan është shumë lehtë. Vështirë është të heqësh dorë nga kjo heroikë e rreme. Ky është ndryshimi midis dy palëve. Këtu është përparësia e palës që spraps sagën e rreme, dhe kompleksimi i tjetrës, që e përkëdhel atë. Rrjedhimisht, këtu është çelësi i gjithçkaje, duke përfshirë edhe pajtimin e famshëm shqiptaro-serb. Me largimin e dy vendeve që përbëjnë pjesën krysore të vijës dalmatine, parashikimi se fryma e europiane do të pakësohet, ngjan i logikshëm. Në kushte të tilla, fryma zbutëse shqiptare, si e ka parandjerë qysh në vitet ’30, E. Çabej, ka gjasë të jetë një faktor edhe më i ndjeshëm në gadishull. Leximi i gabuar i gjendjes së sotme psikopolitike në gadishull, vënia e shenjës së barazimit, atje ku barazi as ka e as mund të ketë kurrë, marrja e barbarisë për forcë dhe e emancipimit për dobësi, mund të ketë rrjedhoja fatale, sidomos në një gjendje postkrimi, në një mjedis që të kujton një ballo me maska, siç është sot Ballkani Perëndimor.
Paris - Tiranë, 2011
Intervista e plotë me shkrimtarin Ismail Kadare, shkëputur nga libri i ri “Mbi krimin në Ballkan; letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri”