Sipas Kadaresë, problemi thelbësor mbetet raporti i Shqipërisë me Europën “Nuk ka problem të Ballkanit, ballkanas – ballkanas ose problem të Shqipërisë, shqiptar-shqiptar. Nuk ka asnjë problem të asnjë populli të gadishullit pa qenë i lidhur me Europën”. Për Kadarenë, shqiptarët janë një ndër tre popujt më të rëndësishëm në Ballkan. Pra këta janë: shqiptarët, grekët dhe serbët. Por sipas tij, ka mbi një shekull që pat lindur një teori, sipas së cilës, vetëm dy nga këta popuj duhet të qëndrojnë në Europë, ndërsa një duhet zhdukur.
S’mund të ketë Shqipëri jashtë qytetërimit europian
“Populli i dëbuar që është populli shqiptar, duhej të dëbohej me forcë, me ndarje, me shpërngulje, me denatyrim, duke provuar të gjitha mënyrat. Madje për parantezë: gjuha shqipe në Europë është e vetmja e ndaluar me ligj për shekuj të tërë. Nuk ka një gjuhë tjetër indo-europiane që është e ndaluar si shqipja dhe kjo ende nuk është shpjeguar nga historiografia shqiptare”. Duke u nisur nga këto fakte, sipas Kadaresë, shqiptarët megjithatë kanë një lloj përkushtimi disi të habitshëm për Europën, për qytetërimin europian. “Ata e kanë kuptuar se s’mund të ketë Shqipëri jashtë komunitetit europian, jashtë qytetërimit europian”.
Në librin “Mosmarrëveshja”, Kadare heq një paralele mes shqiptarëve dhe Europës, duke theksuar se ngjajnë për nga ashpërsia. Këtë Kadare e konkretizon me faktin se ky kontinent (Europa) ka lindur dy përbindëshat më të rrezikshëm të shekullit të 20 e këtej: fashizmin dhe bolshevizmin. Por po vetë kjo Europë i ka mbytur ato. “Nuk e mbytën fashizmin dhe komunizmin as popujt e Afrikës, as Kina dhe as India apo ndonjë kontinent tjetër. Dhe këtu është forca e qytetërimit europian, që ai edhe kur pjell të keqen, di ta mbysë atë. Besoj se tashmë të gjithë e kujtojnë parullën tonë pas rënies së komunizmit: E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Pushtimi osman nuk i ka mbrojtur shqiptarët nga sllavët
Një tjetër temë me të cilën u përball shkrimtari Kadare në mbrëmjen letrare në Këln ishte edhe periudha e sundimit osman në Shqipëri, për të cilën pati një sërë pyetjesh nga të pranishmit. Dihet tashmë se në Kosovë, por edhe në Shqipëri, është vënë në diskutim raporti i Shqipërisë së atëhershme dhe pushtimit osman. Shumë debate kanë nisur edhe mbi ndryshimin e teksteve të historisë për periudhën osmane. Ka shumë teza që vënë në diskutim këtë periudhë historike. Kadare, me një gjuhë të ashpër u shpreh mjaft kritik ndaj kësaj teme. “Thelbi dhe baza e historisë nuk mund të ndryshohet, ajo mund të interpretohet sipas interesave të ditës, por kurrsesi nuk mund të ndryshojë. Këtë “teori” që ka dalë tashmë në skenën shqiptare, Kadare e quajti “filozofi e robërisë”. Sipas kësaj teorie, “pushtimi osman ka pasur diçka pozitive për kombin shqiptar, sepse e ka mbrojtur kombin shqiptar nga një rrezik më i madh, që ishte rreziku sllav”.
Por kjo sipas Kadaresë, është e gjitha krejtësisht e pavërtetë. Kjo është një fantazi makabër, shpifje, një doktrinë e sajuar. “Të gjithë popujt e Ballkanit pësuan një dramë të përbashkët dhe në këtë dramë nuk ka pse populli shqiptar të bëjë befas një përjashtim, sepse nuk ka pasur kurrfarë përjashtimi në fatin e tij. Populli shqiptar ka qenë më i ashpri kundër Perandorisë Osmane, për vetë faktin se shqiptarët u bënë pengesë kryesore për depërtimin e kësaj perandorie deri në Itali. Sllavët vetë ishin për faqe të zezë, gjendja e tyre ishte më e defavorizuar se e shqiptarëve. Atëherë: nga cilët sllavë na mbrojti Perandoria Osmane? Si na mbrojtën ne turqit nga sllavët? Kjo është e pabesueshme nga ana logjike, nga ana psikologjike. Për mua, e gjitha është groteske, e paimagjinueshme, nga fillimi deri në fund”, shtoi Kadare.
Për Kadarenë, hapja e dosjeve nuk mund të anashkalohet
Në fund të takimit u diskutua me shkrimtarin edhe pozicioni i Shqipërisë lidhur me hapjen e arkivave, me zbardhjen e së kaluarës duke iu referuar shembullit të Gjermanisë, e cila e kapërceu këtë akt në mënyrë të shkëlqyer. Për Kadarenë, ky problem nuk mund të anashkalohet se paska probleme të tjera në Shqipëri më të rëndësishme sesa ky. Ai i quajti të pajustifikueshme të gjitha zvarritjet që bëhen në këtë drejtim. Sipas tij, kjo detyrë morale për hapjen e arkivave të fshehtë, të ndërgjegjes së një populli, është numër një dhe përsa i përket profecisë se po u hapën arkivat e fshehta do të ndodhë katastrofë, kjo sipas tij nuk është e vërtetë. “Përkundrazi, asnjë katastrofë nuk i erdhi as Gjermanisë, madje një nga arsyet që eci përpara ishte edhe kjo: pastrimi i ndërgjegjes”, theksoi Ismail Kadare. Mimoza Cika-Kelmendi DW
Kolana e ISK
‘Ad Memorandum’ nxjerr nga errësira arkivat e diktaturës
‘Në këtë sallë, kur dikur promovoheshin poetë dhe shkrimtarë të realizmit socialist, ne po promovojmë rrëfimet e poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë, që vuajtën dënimin në burgjet dhe internimet e komunizmit”, – kështu u shpreh në promovimin e kolanës “Ad Memorandum”, e cila përmbledh autorë të spikatur të disidencës shqiptare si ministri i Kulturës, Visar Zhiti. Kolana prej 10 veprash botohet nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISK) në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS). Drejtori Ekzekutiv i ISK, Agron Tufa u shpreh se këto vepra kanë vlera historike dokumentare dhe njerëzore. Qëllimi i këtyre botimeve është i qartë: të pasqyrojnë, sipas tij, të vërtetën që u transformua prej 50 vitesh diktaturë, bazuar mbi dokumente arkivore. “Ka qenë i rëndësishëm për ne fakti i dëshmisë nëpër arkivat e shtetit. Një pjesë dëshmish që kanë qenë nëpër arkiva kurrë s’e kanë parë dritën, sepse nuk kanë qenë të preferuar nga historianët e versionit zyrtar. Ka patur një selektim të skajshëm, kryekëput ideologjik, edhe pas rënies së komunizmit.
Për herë të parë ne u sjellim qytetarëve shqiptarë dëshmitë rrënqethëse qoftë të kryengritjeve, ashtu dhe të sistemit të triskëtimit, një shantazh genocidal nëpërmjet urisë”,- tha Tufa. Kolana përmbledh vepra letrare, memuaristikë dhe punë studimore. Ndër to mund të përmendim: “Ad Memorandum” me autor Bahri Becin, “Kryengritja e parë kundër komunizmit” me autor Uran Butkën, “Zërat e Mbijetesës” me autor Nebil Çikën (I riu), ‘Genocidi mbi kulakët’ me autor Xhafer Sadikun, “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” me autore Fatbardha Saraçi (Mulleti), “Sistemi i triskëtimit në Shqipëri 1948-1957”; Fjalorin Enciklopedik i viktimave të terrorit komunist etj. “Librat e kësaj kolane janë një pasuri e madhe që na bën të reflektojmë dhe t’ua mësojmë të shkuarën brezave ashtu siç ka ngjarë”, u shpreh ministri Visar Zhiti.