Për këtë arsye, Ministria ka vendosur të heqë nga lista e programit orientues vepra të autorëve të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Këto janë: romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Historia e Skënderbeut” e Naim Frashërit, “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Lulet e së keqes” e Bodlerit, “Mbretëresha e luleve” e Gjergj Fishtës, “Fije bari” e Walt Whitman etj.. Në listën e veprave nga do të përzgjidhen fragmentet letrare në provim nuk mungojnë autorët e lartpërmendur. Por, për të mos krijuar mbingarkesë tek maturantët është parë e udhës që të hiqen disa nga veprat e tyre, ndonëse shumë të njohura për kontributin e tyre në zhvillimin e letërsisë kombëtare dhe botërore.
Nisur nga shqetësimi i gjimnazistëve për përmbajtjen e programit të letërsisë, ne iu drejtuam specialistëve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Sipas tyre këtë vit në programin orientues janë shmangur vetëm disa vepra të autorëve të njohur dhe duke lënë të tjera, po aq relevante në formimin letrar të maturantëve. “Kurrikula e re synon që ta aftësojë nxënësin që pavarësisht nga leximet, të analizojë tekstin dhe të arrijë një sërë aftësish analitike që zhvillojnë të krijuarit”, sqaroi Erida Koleci, koordinatore pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Sipas saj, heqja e këtyre veprave shumë të njohura në Letërsi është bërë me qëllim që të shmangë mbingarkesën e mat- urantëve kandidatë për në universitete. Testi i letërsisë që do të zhvillohet në muajin qershor ndahet në dy pjesë: teksti letrar që përmban 45% të pyetjeve dhe ai jo letrar do të përfaqësohet me 55% të pyetjeve.
Testi do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira tre nivelet e vështirësisë. Niveli bazë në të cilin do të ketë jo më shumë se 40% të pyetjeve, nivelin mesatar me 40% të pyetjeve dhe nivelin e lartë me 20% të pyetjeve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në udhëzimin e saj thekson që në rast kur njëri prej teksteve nuk trajton një objektiv të caktuar të programit, atëherë mësuesi i lëndës ka për detyrë të plotësojë informacionin e domosdoshëm për realizimin e objektivave të parealizuara. Në udhëzim thuhet shprehimisht se nuk është detyrë e nxënësit të sigurojë tekste plus për të realizuar objektivat e munguara.
Ndryshimet në Programin Orientues
Janë 39 lëndë të grupuara sipas lëndëve bërthamë, të thelluara dhe gjuhët e huaja. Në mars plotësohet formulari A1
Publikohen programet orientuese për lëndët e detyrueshme dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2013. Për shkak të kurrikulave të reja me të cilat punojnë gjimnazet, programet orientuese janë të grupuara sipas lëndëve bërthamë dhe të thelluara. Të ndara veç janë programet e gjuhëve të huaja. Rregullorja e Maturës parashikon që teza e provimit nuk duhet të përfshijë në vlerësim çështje mësimore që nuk janë në programin orientues. “Asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë tyre, maturantët do të kenë kohë të studiojnë temat deri në momentin që do t’i nënshtrohen testimit për provimet e detyrueshme dhe ato me zgjedhje”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. MASH bën të ditur se programet orientuese të lëndëve me detyrim janë në përputhje me lëndët ekzistuese në shkollat e mesme të vendit. Edhe këtë vit do të ketë dy lëndë me detyrim, përkatësisht Letërsi dhe Matematikë.
Ndryshe nga çfarë ishte parashikuar nga Ministria, edhe këtë vit, gjuha angleze nuk do të jepet provim me detyrim, por do të jetë në listën e lëndëve me zgjedhje. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje është i njëjtë për të gjithë ata që plotësojnë Formularin A1 dhe A1Z. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit, maturantët duhet të japin vetëm dy lëndë me zgjedhje, pasi sistemi i vjetshëm me tre lëndë rezultoi joefektiv sipas specialistëve të Ministrisë. Një tjetër risi e Maturës Shtetërore për këtë vit do të jetë plotësimi online i formularit A1.
Në këtë mënyrë, sipas drejtuesve të MASH-it, do të përfundojë dixhitalizimi i plotë i Maturës, që nisi vjet me formularët A2 dhe A3. Në listën e lëndëve me zgjedhje janë përfshirë shtatë gjuhë të huaja që mund të zgjedhin maturantët: anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, greqisht dhe spanjisht. Burime nga Ministria bëjnë të ditur se mund të jepen vetëm dy lëndë me zgjedhje, me kushtin që ato të mos jenë të një niveli. Diferenca mes tyre ka të bëjë me kreditet që i caktojnë secilës. Vendimi për zgjedhjen e lëndëve për provimet me zgjedhje është e drejtë e nxënësit për ta bërë, pasi të jetë konsultuar mirë me koeficientet që kanë caktuar fakultetet. Ndërkohë po punohen tabelat e koeficienteve për secilin fakultet dhe së shpejti do të publikohen. Ata që duan të ndjekin shkollën e lartë duhet të presin edhe pak kohë, për të vendosur për degën ku do të konkurrojnë. Kjo pasi konkursi nuk është vetëm një dëshirë për fakultetin ku kërkon të studiosh, por edhe një llogari koeficientesh. Ata bëjnë diferencën mes humbësve dhe fituesve.
Formularët
Në muajin shkurt fillon plotësimi i formularëve për pranimin në universitete. Koha për plotësimin e Formularit A1 është një limit i mjaftueshëm ditësh që shkon deri në dhjetëditëshin e parë të muajit mars. Pas daljes së rezultateve të provime të qershorit, një datë në fund të korrikut, është limiti i vetëm për plotësimin e Formularit A2. Aplikimi do të bëhet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve dhe në adresën e-mail secilit kandidat do t’i dërgohet kodi personal i aplikimit. Në rregullore janë përcaktuar të gjitha kushtet që duhet të plotësojnë nxënësit për 4 provimet. Datat e para të tetorit shënojnë edhe fillimin e plotësimit të formularit A3, i cili bëhet pasi të kenë dalë përgjigjet përkatëse të fituesve në universitete.