Kadare del romani i ri per vajzat e internuaranxitja nga jeta e te bijes se Liri Belishoves

Kadare, del romani i ri për vajzat e internuara,nxitja nga jeta e të bijës së Liri Belishovës
 Ajo quhet Linda B., dhe gjithçka, këtu, është një requiem për të. Një harmoni e pangushëllim lidh në një muzikë të vetme zbulimin e ngadaltë e solemn të pengimit me rrëfimin e pamundshëm të jetës së saj të penguar. Vetëm e tillë mund të quhet një jetë vajzërore “e mbërthyer”, si në një akt kryqëzimi, në rrjetën e pakëputshme të internimit. Teksa u kushton këtyre jetëve këtë roman, këtë “requiem për Linda B.”, Ismail Kadare përulet, për të gjithë ne, në një homazh të fundmë brendashkruar letërsisë: Vajzave shqiptare, që lindën, u rritën dhe u vajzëruan në internim.  

Jetët e vajzave të internuara janë sot thuajse të parrëfyeshme, por pengimi i tyre po. Harta e Shqipërisë komuniste ushqeu pareshtur hapësira internimesh, gjithnjë të pakthyeshme, ku jeta e një vajze pengohej të ishte, njerëzisht, jetë. Dhe i bashkëngjitej kështu ky “eksperiment tragjik” një prej arketipave më dramatikë të njerëzimit. Të jetoje, të njerëzoje “me një pengesë”, kjo ishte çështja! Prej kësaj zone të errët vjen edhe rrëfimi i pengimit të maturantes Linda B., e vetëquajtur kështu si zonjusha B. e Migjenit. Është një vajzë e penguar egërsisht, thellësisht, në trup, në mendje, në shpirt. Për t’i ikur këtij pengimi, qoftë për fare pak, asaj i duhet të gjejë ose të shpikë një formulë thuajse mitike, me shpirtin që ikën përtej trupit, përmes një trupi tjetër, zëvendësues, drejt trupit dhe shpirtit të një tjetri, drejt një njeriu të dashurueshëm. Në përpunimin e kësaj formule, si në një alkimi të lashtë, kufijtë mes jetës dhe ikjes prej saj ndryshojnë. Linda B., do të flirtojë atëherë me vdekjen, duke i uruar vetes të sëmuret me kancer. Por aspak për të vdekur. Mundësia e një vdekjeje të pakthyeshme do t’i jepte atë pak liri për të ikur, edhe ajo, për pak muaj, e sëmurë me kancer, drejt kryeqytetit të ndaluar, drejt dashurisë, jetës. [...]

I shkruar në fillim të Mijëvjeçarit tonë të tretë, ky roman zë fill pikërisht me një vetëvrasje. Është një vallëzimin i fundëm, një grishje fatale dhe e ndërlikuar, në emër të jetës, të dashurisë, të lirisë. Sepse në thelb, liria është miti më i madh i njerëzimit. ADN-ja e saj mitike gjallon, tragjikisht, brenda qenies. Linda B., nuk ka “qenë asnjë ditë në liri”. Ajo është e ndaluar, e penguar, e përgjuar, e hetuar, deri dhe në vetëvrasjen e saj. Sa më intime shpërfaqet, nga dosja në dosje, nga hetimi në hetim, aq më “politike” bëhet ajo, politike pikërisht prej thelbit “intim”, prej dashurisë, dëshirimit, takimeve, shëtitjeve, përkëdheljeve, fjalëve dhe gjesteve që s’u dëshmuan dot kurrë. Ndoshta sepse nuk ndodhën. Ndoshta sepse nuk mundën. Ndoshta sepse nuk ditëm t’i kërkojmë. Vetëm një antihetim, një zhvendosje e përkundërt fatesh dhe kohësh njerëzore do t’ia mundësojë kuptimin, ekzistencën. Dramaturgu dhe shkrimtari Rudian Stefa do të ndërmarrë hetimin e përkundërt, tashmë nga vdekja në jetë, për të zbuluar, si në një ekspeditë arkeologjike, brilantin e patjetërsueshëm të një dashurie, të një trupi të marrë peng, të një shpirti që le trupin para vdekjes, të një trupi që ndërmjetësohet, të një dashurie thellësisht reale brenda irealitetit të vet. Prej këtij antihetimi varet gjithçka, kuptimësimi i mitit, kthimi përfundimtar i vajzës, i të penguarës, pas vdekjes, në jetë.

Por thelbi strukturor, njëkohësisht etik, i këtij romani dhe i kësaj zhvendosjeje jetësh, i është besuar, dëshpërimisht, një tjetër miti. Ndoshta më të errëtit e më afërtit të njerëzimit, mitit që ngjan të jetë ngjizur në një çast pezullimi midis jetës e vdekjes, ikjes dhe rikthimit, dashurisë dhe pamundësisë. Është miti i Orfeut, i paktit të pakthyeshëm me vdekjen, për të risjellë sërish në jetë Euridikën e bukur. Përballë enigmës së tij poetët dhe artistët rreken të nxjerrin herë pas here pak kumt hyjnor për njerëzoren. Rreken të shkëmbejnë pak kumt Virgjili e Ovidi, Pindari dhe Apolineri, Platoni dhe Pitagora, Valerija e Hygoi, Nervali e Rilke, Berliozi, Listi, Monteverdi, Barti, Ronsari, Shagali, Hajdeni, Stravinski e Blanshoja. Te secili prej tyre Orfeu rikthehet në Had për t’i rikthyer edhe një herë sytë e dashuruar drejt thellësisë së vdekjes.    
Në rikthimin e tij më të fundit, te ky roman thellësisht orfik, Kadare kthen drejt së tashmes një Orfe të shumëfishtë. Duke kërkuar zonjushën Linda B., personazhi Rudian Stefa, dhe ne të gjithë, lexues të privilegjuar tashmë në lirinë tonë të pjesshme, shndërrohemi në Orfe të papaqtuar, për të parë qoftë edhe një çast të vetëm gjurmën e jetëve vajzërore që mbetën peng i “pengimeve” të parrokshme e i urrejtjeve barbare që ushqejnë mizorisht urinë e çdo diktature.

Ky errëtim njerëzor është ferri nëpër të cilin ecën Orfeu, ecën dramaturgu Rudian Stefa, ecën, për ne të gjithë në këtë roman, Ismail Kadare. Me qindra Linda B., pulsojnë dritëzat e tyre, xixëllonja të netëve, të vdekjeve vetmitare, vizllim i artë i fosforit që trupi ua mblodhi pikë më pikë, me nektarin e dashurive të heshtura, me pengun e jetëve të pa jetuara, me vrajat e pengimit, me pikat e helmit në cepin e buzëve, Euridike të fosforta, në baltën e errët të internimit. Zonjusha Linda B. është Euridika e pamundshme e Rudian Stefës.

Asnjë mit, sado i përsosur e universal qoftë krijuar në zanafillat e kohës, nuk mund t’i bëjë ballë i pa shqetësuar pikëtakimeve me Historinë njerëzore. Përballë zonjushës Linda B., ishte radha e mitit orfik të modifikohej, të merrte tharme nga jeta e saj, për t’i bërë ballë, ai, një mit i vetëm, absurdit të një bote me jetë thellësisht të penguara. Pikërisht, në këtë hartë të re gjeopolitike ku iu desh të hynte mitit orfik, krejt ndryshe nga sa vetë miti antik mund ta kishte parashikuar, Orfeu e njeh dhe dashuron Euridikën e tij veç pas vdekjes. Një jetë post mortem frymon atëherë gjithnjë e më fort, fill pas vetëvrasjes së saj, për të sjellë dhe për të mbajtur në jetë atë çka ajo vetë ia kish dhuruar tashmë: shpirtin dhe trupin e dashuruar të një vajze të internuar. Aty pulson dashuria për gjithçka që iu pengua: shëtitjet në Tiranën e përfytyruar, flirtet e vogla rinore, premierat në Teatrin Kombëtar, njohja dhe dashuria e mundshme me Rudianin, ajo pakëz liri e brishtë që të lejon të njerëzohesh në jetë. Për të gjitha këto, zonjusha Linda B., do të vendosë të vallëzojë e vetëdijshme me vdekjen.

Sepse në thelb ajo ka lindur në mesin e një danse makabre, që i ritmon jetën, frymën, trupin, mendjen. Dy hapa para, dy hapa pas... si në një baladë qytetëse. Euridikë dyfish, dyfish e vdekur, në një pikëpjekje të pashmangshme me vdekjen, si shansi i fundit i jetës, si shpëtimi simbolik i saj. Në gjurmët e një mamografie po negociohej kështu një jetë përmes vdekjes. Të tillë e kishte zgjedhur çmimin e jetës, në një fragment të çmuar lirie, vajza e heshtur e internimit. Dhe kur vdekja, ajo njerëzorja, e natyrshmja, nuk ia ofron këtë gjë, Euridikës nuk i mbetet veç të presë Orfeun e saj, qoftë edhe për një çast të vetëm, në një prekje të vetme, në një shikim të vetëm. Falë një pezullie të tillë të ikshme, do të jetonte përfundimisht krejt jetën e saj, për fare pak.

Pikërisht një gjendje të tillë pezullie ngjan se paraqet edhe basorelievi antik i Luvrit, kopje romake e epokës së Augustit nga origjinali grek i shekullit V para Krishtit: Orfeu dhe Euridika të përfshirë, përjetësisht, në shikimin e tyre të fundit. Pranë u qëndron Hermesi, duke kumtuar paktin e pakthyeshëm me vdekjen, kaq pranë dashurisë, i përfshirë brenda dhe jashtë saj, falë thelbit të tij hyjnor. Te kjo skenë e rrallë mitike, ngrirja e mermertë është e brishtë sa një çast i vetëm. Hyu paradoksal i mban të dashuruarit në pezullinë e prekjes së fundit.

Hermesi i të penguarës Linda B., dhe shkrimtarit Rudian Stefa, është mikja e tyre Migena. Ashtu si paraardhësi antik, prijësit hyjnor të shpirtrave njerëzorë, ajo është entiteti material që mundëson atë pezullim ligjësish mes dy të panjohurve. Kumti i saj i vërtetë nuk është më fjala, por trupi. Aty rezonojnë së bashku trupat dhe shpirtrat e tyre, në një “transprekje” e transpërkim tragjik. Jo më trupi, në një prag vdekjeje, por shpirti e dërgonte tashmë trupin larg vetes për të kryer një herë të vetme e të fundit ritualin e ëndërruar të dashurisë. Ishte përfundimisht i vetmi dhe i fundit prag-jete, ndoshta për të gjithë.

Trupi mesazher si prej korrieri të vdekjes bëhej prani, u bë Logos, të pohonte kuptimin e patjetërsueshëm të jetës. Qoftë dhe për një çast të vetëm, të ndërmjetëm, mes botëve që nuk mund të ndërkëmbenin kurrë, asgjë. Mes kryeqytetit të paarritshëm dhe provincës së zbehtë të internimit, Ofreu kërkon në një çast të fundëm sytë e Euridikës. Është ajo, zonjusha Linda B., që e pat thirrur, ashtu si në mitin antik, nga hapësirat e vdekjes, me zërin e pangatërrueshëm të vajzës së dashuruar. Pranë tyre, mesazheri i shpirtrave i transprek me trupin  e vet të çmuar. Brenda tij jehojnë tashmë tri botë. Orfeu e di që nuk duhet ta kthejë kokën pas, por i duhet doemos ta kthejë, që ta njohë, ta dashurojë më së fundmi Euridikën e vet, Linda B., ai, shkrimtari Rudian Stefa, ashtu siç dashurohet qenia që nuk është më. Ta dashurojë, përfundimisht, për herë të parë, zonjushën Linda B., me dashuri të përjetshme.

Te kjo vetëdije tragjike zë fill në shekullin XX Orfeu modern: ai që e di qysh para se të niset se pakte të tilla nuk janë më të mundshme. Zbret drejt zemrës së ferrit për të vjedhur shikimin e fundit, mundësinë e vetme që të dëshmojë thelbin real të asaj çka Historia nuk e dëshmon dot. Letërsia është Orfeu i fundit që shkon përtej dyerve të vdekjes. Me mijëra të humbur e thërrasin pas në errësirën e heshtjes, për të vdekur më në fund, njerëzisht, dashurisht, nën shikimin e saj. Ky roman, i shkruar në Mijëvjeçarin e Tretë, është një paqtim post mortem. Paqtohen Euridikat e heshtura të Ferrit shqiptar, paqtohen zonjushat Linda B., tek ua njohim më së fundmi emrat, fytyrat, ëndrrat, dashuritë. Paqtohen në këtë pezullim të ri ligjësish, teksa e ndjejnë se me mermerin e bardhë të letërsisë po rivijnë, të dashuruara, të brishta, të mahnitshme, si në një basoreliev antik. Kadare i sheh për herë të fundit, dashurueshëm, mundimshëm, si në një mision orfik. Dhe pezullon më në fund moskuptimin tonë të vonuar, duke u dhënë jetën dhe vdekjen që meritojnë, përmes këtij rrugëtimi, këtij romani, që na tregon si t’i kthejmë, së bashku, të përlotur, sytë pas. Letërsia është Orfeu ynë i fundit. Ajo sfidon Historinë pikërisht aty ku ngjan se fillon mizorisht harresa.

Për shkak të rrengjeve që kujtesa u bën kaherë popujve, kuptimi i fjalës tragjike internim, rrezikon të mbetet trishtueshëm i përgjysmuar, i përkufizuar, teknikisht, në zëra enciklopedish historike apo stenda muzesh. E bashkë me të, rrezikojnë të mos i ikin vdekjes historike me mijëra jetë vajzërore që u mbytën ende pa jetuar. Ata që do të vijnë pas nesh, rrezikojnë të mos dinë ta kthejnë kokën pas, e në e kthefshin, të mos dinë të shohin ato që panë sytë e Linda-ve B., sytë e Rudian Stefës dhe të gjithëve ne, që përveç pendesës, mbajmë ende në sy, pengun e verbimit.

Jetët e penguara ishin jetë në kërkim të dashurisë, që u shuan ende pa dritësuar. Dritësimin e tyre e mbledh në një jetë të vetme Ismail Kadare, pikërisht me një roman të vetëm, si një metaforë e vetmimit të Orfeut, titulluar thjeshtë e dhimbshëm “E penguara”. Euridika e tij e penguar quhet Linda B., si zonjusha B. e Migjenit. Ky paqtim post mortem është njëheri i tiji, i saji dhe i yni.

Në labirintin e vdekjes, në hartografinë e botëve të ndaluara të Shqipërisë, të ndara prej qindra kilometrash e të mbivendosura pazgjidhshmërisht, Orfeu shtyhet “drejt kërkimit të një muzike të paarritshme”. Nuk ka paqtim ndër këto botë, e nuk do të ketë kurrë. Përgjumja e së ligës nuk mund të jetë e harmonishme. Askush nuk mund ta përshkruajë dot melodinë që Orfeu krijoi për Cerberin mitik. Askush nuk e përfton dot melodinë fatale të zërit të së vdekurës Euridikë. Dhe as nuk do ta mësojë dot shumën e akordeve dhe harmonive që shkanë, prej qindra lirave të penguara në terrin e internimit. Dy hapa para, dy hapa pas... si në një baladë qytetëse. Muzika e paarritshme e dëshmimit unik, dëshmimit që i sjell në jetë, qoftë për një çast të vetëm, trupat dhe shpirtrat e penguar, është shikimi i dashuruar i Orfeut. Edhe një herë, mbi ty Euridikë, sytë e dashurisë sime, e dëshpërimit tim. Edhe një herë, për ty, përjetësisht, ky roman, kjo muzikë, Euridikë. Nga Ismail Kadare, e përmes tij, nga ne të gjithë, vajza shqiptare, që lindët, u rritët dhe u vajzëruat në internim, ky rekuiem orfik, përulësisht, Ju kushtohet.

(Parathënie e pjesshme e romanit)


“E penguara”, nxitje nga Drita Çomo

Alma Mile

Ajo nuk e kishte menduar se do t’i ngjante aq shumë personazheve të Migjenit. Nuk mund ta dinte se jeta për të do të ishte dorëcunge, se nuk do të mund të ishte e lirë, se nuk do të mund të gëzonte të ritë, dashurinë, se nuk do të mundte... as të vizitonte kryeqytetin shqiptar. Ai për të do të ishte një “mollë e ndalueme”, një vitrinë, që nuk mund ta prekte. “E penguara-Rekuiem për Linda B” është romani më i ri i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili pritet të dalë sot në tregun e librit shqiptar. Nën siglën e shtëpisë botuese “Onufri”, Kadare ofron një vepër tronditëse, e cila na kthen pas në kohë, në vitet e diktaturës komuniste, kur shqiptarëve u mohoheshin të drejtat dhe liritë më minimale. Ismail Kadare merr përsipër të shlyejë një borxh. Një borxh ndaj të gjitha atyre vajzave dhe grave të internuara, të cilat lindën, mbijetuan apo edhe vdiqën në humbëtira, në fshatra të largëta, sepse pushteti popullor i kishte vulosur me damkën e “armikut të popullit”. Jetën e këtyre mijëra vajzave dhe nënave Kadare e jep përmes historisë së një vajze të re, një 18-vjeçareje, e cila është e dënuar të vuajë “kusuret” e prindërve. Një histori tronditëse ëndrrash dhe zhgjëndrrash.

Ka shumë dhimbje dhe shumë dashuri. Është lufta e përjetshme mes jetës dhe vdekjes. Ndërsa lexon historinë rrëqethëse të Linda B., vajzës së brishtë që dëshiron aq shumë të shohë kryeqytetin, aq sa i uron vetes të sëmuret nga kanceri e si rrjedhim të mund të shkojë në spitalin “Onkologjik” që ndodhet në Tiranë, të vjen ndër mendje e të ravijëzohet fytyra melankolike e Drita Çomos, vajzës së Liri Belishovës, dënuar me internim nga pushteti komunist. Vajzës që u shua nga jeta nga kanceri në moshën 23-vjeçare. Që dashuroi e heshtur e që vdiq vetëm. Historia e vajzës, që jetën e saj e la në ditarë e në poezi, mund të ketë qenë një nxitje për shkrimtarin Ismail Kadare, i cili ka shkruar edhe parathënien e librit të saj, “Dritë që vjen nga humnera”, botuar edhe në gjuhën frënge nën titullin “Cette lueur qui monte de l’abime”. Qysh në kohën kur ky ditar u botua, parathënia e Kadaresë, jepte premisa për të krijuar mbi të një vepër të madhe. Dhe ja sot, për lexuesin vjen romani i ri “E penguara-Rekuiem për Linda B”. Për të orientuar lexuesin, botuesit thonë në kopertinën e pasme të romanit se nuk është një libër nostalgjik për Tiranën, edhe pse duket si i tillë. “Kjo nostalgji epokash të përziera për kryeqytetin e vendit, merr një ngjyrim të skajshëm dramatik kur jepet nëpërmjet vizionit të një vajze që e ka të ndaluar të shkelë në kryeqytet”. Mjafton kaq për t’u grishur e duke të përfshirë në tunelet e errëta të viteve të diktaturës dhe dritën e pastër të shpirtit të një të reje, që ëndërronte shumë dhe mori shumë pak nga jeta.

Nga parathënia e Kadaresë në librin-ditar të Drita Çomos

Një natë shkurti të ftohtë të vitit 1981, në një nga dhomat e spitalit Onkologjik të Tiranës, ndodhte një skenë dhimbjeje, tepër e njohur në këto mjedise: përbri shtratit të një vajze të re njëzetetre vjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, nëna e saj, e kërrusur nga brenga, bënte të vetmen gjë që shumica e të afërmve bëjnë në kësi rastesh, i lagte buzët...

...Drita Çomo vdiq dy ditë më pas nga vizita e nënës, në moshën 23-vjeçare, krejt e vetmuar, në një shtrat të spitalit Onkologjik. Qysh foshnjë kishte qenë në internim. Në moshën 18- vjeçare ishte prekur nga sëmundja e pashërueshme. Nga vjershat dhe ditarët e saj del fare e qartë se e ka ditur gjithmonë se do të vdiste shpejt. Gjithë rinia e saj kishte kaluar nën kërcënimin e vdekjes. Duke e patur këtë minierë të zezë, këtë antithesar mizor, ajo në vjershat e saj as e shpërfill sipas recetave rozë “të ngadhnjimit shpirtëror mbi vdekjen” etj., etj., e as e kthen në vello, në dantellë të errët të recetave të kundërta: “Vdekje, jam jotja” etj., etj. Natyrshëm shkruan se dëshiron shumë të jetojë, e po aq natyrshëm shkruan se e di që ditët i ka të numëruara. Jeta e saj e shkurtër zhvillohet në një hapësirë të ngushtë: Cërrik, Elbasan, Tiranë, hekurudha që përshkon këtë zonë, stacionet e mërzitshme të Rrogozhinës e të Durrësit, ardhja në Tiranë për analiza ose shtrim në spital, kthimi prapë, ardhja përsëri.



Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama