Kadare feston ditelindjen 60 vjet krijimtari e perkthyer ne 45 gjuhe te botes

Kadare feston ditelindjen, 60 vjet krijimtari e perkthyer ne 45 gjuhe te botes

Biblioteka Kombëtare ka kremtuar 79-vjetorin e shkrimtarit të madh përmes një mbrëmjeje mes studiuesve dhe lexuesve të veprës së tij. Në këtë ceremoni u prezantua ekspozita me botimet e para të Kadaresë dhe bibliografia e veprës së tij, ku në 60 vjet krijimtari autori është përkthyer në 45 gjuhë të botës

 

Një ekspozitë e vogël e botimeve të para të shkrimtarit Ismail Kadare, si “Frymëzime djaloshare”, “Lirika”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një përkthim në gjuhën arabe nga studiuesi Abdul Latif Arnaut, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare ka çelur siparin e mbrëmjes së 28 janarit, kushtuar ditëlindjes së shkrimtarit të madh, kandidat për çmimin “Nobel”.

Ditëlindja e 79-të e shkrimtarit ishte shkas për prezantimin e  Bibliografisë më të fundit kushtuar veprës së autorit nga studiuesja e re, Jorina Kryeziu, bibliografi e botuar nga “Botimet Pegi” dhe e mbështetur në pasurimin e saj nga sektorë të ndryshëm të BKSH-së.

“Kjo është një ditë e veçantë për të pasionuarit dhe studiuesit e letërsisë shqipe, siç është ditëlindja e shkrimtarit tonë, Ismail Kadare. Menduam të bashkonim një moment të gëzueshëm si ditëlindja me një tjetër po aq të gëzueshëm, si botimi i një libri që i kushtohet në mënyrë të veçantë veprës së autorit”, – u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Në Bibliografinë e realizuar nga puna disavjeçarë e studiueses Jorina Kryeziu vijnë të dokumentuara rreth 1 mijë tituj në 45 gjuhë të botës të krijimtarisë kadareane.

“Vepra përbën këtë korpus të madh dhe voluminoz për letërsinë shqip, me mbi 1000 tituj deri në vitin 2010. Kadare ka dhënë kontributin më të madh në letërsinë shqip e në atë botërore. Kjo bibliografi është puna më e vogël për këtë vepër të madhe. Kështu e mendoj unë”, – u shpreh autorja Kryeziu, duke shtuar se vepra e Kadaresë është botuar në gjuhë të veçanta si esperanto, arumune, indiane, baske, tunizisht, lituanisht, polonisht, gjermanisht, gjuhë flamande, në gjuhët afrikane etj. Përvojat profesionale por edhe ato personale të studiuesve të afirmuar të shkrimtarit por edhe studiuesve të rinj u prezantuan përmes një bashkëbisedimi të hapur. Studiuesja Lili Sula trajtoi sfidën bibliografike të këtij botimi, duke vlerësuar punën individuale të studiueses së re, një punë e cila duhej bërë në epike të specializuara të shpërndarë në të gjithë botën, duke marrë parasysh përmasat dhe shpërndarjen hapësinorë të krijimtarisë së Ismail Kadaresë. “Nuk ka pasur një traditë bibliografike mbi këtë autor, megjithëse krijimtaria e tij shënon 60 vjet dhe është e shtrirë në 45 gjuhë. I vetmi libër ka qenë ai i profesor Kuçukut, “Kadare në gjuhët e botës”. Janë dashur orë të gjata pune. Ka qenë sfidë kohore dhe hapësinore. Një detaj interesant është sa i përket shkrimit të parë të Kadaresë, për të cilin autori ka deklaruar se ka qenë në vitin 1947. Nga kërkimet e Jorinës ka qenë te “Letrari i ri” në vitin 1948. Bibliografia është gjithëpërfshirëse, por lë hapësirë për pasurim, përsosje, regjistrime të reja, informacione nga bashkëpunëtorë dhe kolegë të tjerë”, – u shpreh Sula, duke shtuar se kjo bibliografi për nga volumi është konceptuar me dy vëllime, ku vëllimi i dytë do të sjellë një pasqyrim të kritikës mbi veprën e Kadaresë. “ Kjo punë pa bashkëpunëtore që të tregojnë kanale dhe burime kërkimore është e parealizueshme. Shpresojmë që vëllimi i dytë të botohet për 80-vjetorin e shkrimtarit”, – përfundoi Sula, duke uruar që kjo vepër t’u vijë në ndihmë me mënyrën sesi është konceptuar studiuesve të Kadaresë, qarqeve akademike, apo studentëve të Masterit dhe Doktoraturës. Janë rreth 2500 zëra bibliografikë të krijimtarisë së Kadaresë që bëhen të shfrytëzueshme për lexuesin. Bibliografia vjen e strukturuar në tri pjesë të mëdha, me një sërë indeksesh tematikë dhe lëndorë, me fjalë çelësa si; treguesi i veprës në gjuhën shqipe, prozë e shkurtër, poezi, treguesi i veprës në gjuhë të huaj, në gjuhët e përkthyera etj. Bashkim Kuçuku, autor i studimit “Kadare në gjuhët e botës”, trajtoi aspekte të punës bibliografike në lidhje me botimet në gjuhë të huaj të Kadaresë, marrëdhënien e ngushtë që krijohet mes studiuesit, kritikut, historianit të letërsisë dhe botimeve të autorit e studimeve ndaj tij, kryesisht në gjuhë të huaj. Ai ka ndjekur rrugëtimin e Kadaresë në gjuhët e botës, ndërsa vepra e tij u bë universale dhe shumë e rëndësishme për lexuesin e huaj.

“Më ka lindur dëshira për shkrimin e një bibliografie për Kadarenë në fillim të viteve ’90. Rrethanat  dhe kushtet ishin të kufizuara. Dihej që vepra e Kadaresë botohej në gjuhë të huaj,  por deri në atë kohë nuk e dinim sesa ishte  botuar, informacioni jepej për disa botime, episodike, fragmentare dhe të përzgjedhura. Nuk dinim asgjë të saktë. Ideja ishte të gjetja të vërtetën deri ku kishte shkuar”, – u shpreh Kuçuku, ndërsa zbuloi se ka shfrytëzuar edhe bibliotekën e Kadaresë për të realizuar punimin e tij. Botuam dy numra në ‘96, për 60-vjetorin e lindjes së Kadaresë. Pastaj vajta në Francë dhe aty kërkova materiale nëpër biblioteka dhe me një letër rekomandim shkova te botuesi francez për materialet që ishin botuar në shtypin francez”.

Kuçuku u shpreh se deri në vitin 2005, Kadare ka qenë i përkthyer në 35 gjuhë të botës

“Ka një pasuri të botimeve, por pasuri e panjohur është ajo e kritikës që e ka shoqëruar veprën e Kadaresë. Janë artikuj me qindra, është një punë shumë e vështirë dhe uroj që Jorina ta përballojë”. Kuçuku u ndal te dobia e një vepre bibliografike, sidomos e një shkrimtari me përmasat e Ismail Kadaresë. “Veprën e Kadaresë e shohim në marrëdhënie me lexuesin shqiptar, por ka një vështrim tjetër më të rëndësishëm; lexuesi i huaj. Vepra e Kadaresë është një vepër e jashtëzakonshme. Vepra e Kadaresë ka më shumë se gjysmë shekulli që funksionon dhe qarkullon tej botës gjuhësore shqiptare. Vepra e Kadaresë me botimet në gjuhë të huaj i ka dhënë tjetër përmasë gjuhës shqipe, përmasën botërore që nuk e ka pasur”, – vijoi Kuçuku, duke thënë se përpara Kadaresë botimet shqiptare në gjuhë të huaj kanë qenë rastësore dhe episodike, kryesisht në bazë të marrëveshjeve kulturore mes vendeve, rëndom ato të Lindjes Komuniste.

Kuçuku u shpreh se vepra e Kadaresë i jep, për herë të parë, përmasën botërore letërsisë shqipe.  “Në 2015-n, – vijoi ai, – mund të jenë rreth 1200 botime të veprës së Kadaresë, të përhapura në të gjithë botën. Ai është autori shqiptar më i përkthyer në gjuhët e Europës, që janë edhe ato të Amerikës, në gjuhët e Azisë, Afrikës dhe Australisë. “Raporti i botimeve tregon se botime shqiptare mund të jenë rreth 300, të tjera janë rreth 800. Funksioni i parë i Kadaresë nuk është më ai me lexuesin shqiptar, por kryesori është ai me lexuesin e huaj, nga pikëpamja e përhapjes  gjeografike dhe e botimeve”. Lidhur me opinionin se vepra e Kadaresë është përkthyer në gjuhë të huaja e nxitur edhe nga politikat e regjimit komunist të asaj kohe, studiuesi e hodhi poshtë duke sjellë disa shembuj të botimeve të para të Kadaresë në gjuhë të huaja. “Ka qenë iniciativë individuale dhe jo shtetërore. Sipas fakteve, s’ka asnjë marrëveshje. Vepra e parë e mirëfilltë e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u botua  më ’66 në bullgarisht, nga një përkthyese që dinte shqip, Marina Marinova. Ajo ka botuar variantin e parë, atë të botuar më 1963-shin, jo atë të rishikuarin. Nëse do të ishte iniciativë shtetërore, nuk do të lejohej”, – ka thënë ai, duke shtuar se edhe botimi në serbisht, turqisht apo edhe frëngjisht kanë qenë iniciativa personale dhe rastësore. “Është një vepër që ka çarë vetë”, – përfundoi Kuçuku. Studiuesja Viola Isufaj solli  përvojën e saj mbi trajtimin e mitit nga Kadare, por edhe aspekte të perceptimit të tij në leximet e studiuesve të tjerë përmes një shqyrtimi bibliografik. Një tjetër botim i kohëve të fundit mbi veprën e Kadaresë është edhe ai i Saverina Pashos, botuar para dy viteve në gjuhën frënge, një studim për Kadarenë në kuadrin e letërsisë ballkanike.

 

 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, premierë në Stamboll

Romani i shkrimtarit të Ismail Kadare, dramatizuar për skenë nga Jeton Neziraj, u shfaq  premierë ditën e djeshme në Teatrin e Qytetit të Stambollit, me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit. Në një njoftim për media nga qendra Multimedia, thuhet se dramatizimi i “Gjeneralit…”(Ölü Ordunun Generali) i përkthyer në turqisht nga Bilge Emin, është vënë në skenë në teatrin kryesor të qytetit të Stambollit, nga regjisori i mirënjohur turk, M. Nurullah Tuncer. Në këtë shfaqje luajnë një kastë prej 20 aktorësh, kurse në realizimin skenik janë angazhuar një numër i madh i bashkëpunëtorëve të tjerë kreativë. Thuhet se kjo është shfaqja qendrore në repertorin e këtij teatri për këtë sezon dhe do të shfaqen në mbi 10 skena të ndryshme.

 

Shkrimtari ka dy jetë

Ja si e përshkruan Kadare ditëlindjen në librin “Ftesë në studio”

Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë! Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë.

Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe, përgjithësisht, rrinte i zymtë. Vjen i ftohtë, i thoshin gjyshes shoqet për të, dhe me bisht të syrit vështronin nga unë, thua se donin të kuptonin a do t’i ngjaja. Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin vendet skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur, siç duket, nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë, ndoshta, kjo arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore.

Gjyshin nuk e mbante mend askush në Gjirokastër. Kishte vdekur fare i ri, njëzet e pesë ose njëzet e tetë vjeç, fill pas martesës dhe pas mbarimit të studimeve të larta në Stamboll. Atje dhe u varros, pa u kthyer dot në qytetin e lindjes. Në shtëpinë tonë flitej përherë për një kësoll të madh në Stamboll, kësollin e gjyshit, dhe qysh herët në ndërgjegjen time fjala “Stamboll” shoqërohej gjithmo-në nga një ceremoni funebre.

Ndryshe nga gjyshi, që i ngjasonte një fantazme, stërgjyshi kishte qenë për mua më i prekshëm. Kur në moshën dymbëdhjetëvjeçare botova vjershat e para, nisa të dëgjoj përherë e më shpesh komentet e shoqeve të gjyshes: do të bëhet i dëgjuar si Ismail Kadareja. Kështu quhej stërgjyshi im, i cili paskësh qenë i dëgjuar në Gjirokastër për… kalcunjat (lloj çorapesh) e bukura që mbante. Me fjalë të tjera, për ndjekjen e modës. Paskëshin qenë kaq të bukura kalcunjat e tij, saqë në një këngë të njohur gjirokastrite, ku këngëtari rendiste gjërat që mund ta bënin të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, ishin dhe “kalcunjat e Ismailit”.

Kështu që më pëlqente ose jo, ideja e famës iu shfaq së pari ndërgjegjes sime në formë çorapesh të bukura. Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar, bashkë me fjalët: “ka për t’u bërë i dëgjuar si Ismail Kadareja”, kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur dhe letrave, dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij.

….

Kur isha katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeç, më dukej mosha mbi njëzet vjeç tepër e mërzitshme. Vetë fjala “njëzet” më ngjante se ishte ngjizur me mërzi dhe fillim pleqërie.

Kur isha njëzet e dy-njëzet e katër vjeç, ndonëse shqyhesha gazit me marrëzinë e parë, isha i bindur se, sidoqoftë, koha më e mirë për një shkrimtar për të vdekur ishte aty nga tridhjetë e një-tridhjetë e dy vjeç. Kur e mbërrita këtë kohë, ideja ime për moshën pësoi një trandje njëherë e përgjithmonë.

Ishte pak a shumë në atë kohë që e ndjeva së pari se shkrimtari ka dy jetë krijuese, një të gjatë e monotone e një tjetër të shkurtër si shkreptima. Që shkrimtari është, gjithashtu, dymoshës (mosha fizike e tij dhe mosha e famës ose, së paku, e kujtimit të tij, qoftë edhe me një famë gjysmë të shuar), këtë e dija qyshkur. Ajo që zbulova ishte tjetër gjë dhe pikërisht që kjo dymoshësi ose, më saktë, mosha e tij e dytë, ajo e madhja, është dhe një nga shkaqet e keqkuptimeve midis shkrimtarit dhe kohës së vet.

Keqkuptimet janë të pashmangshme, po të kujtojmë se kur një njëzetvjeçar e ka vështirë të merret vesh me një tetëdhjetëvjeçar, si do ta ketë të lehtë të kuptohet me një tetëqindvjeçar (që është mosha mesatare për shkrimtarin e shquar) e aq më shumë me një dymijëvjeçar (moshë mesatare e të mëdhenjve)?E keqja është se qysh se është gjallë (domethënë në moshën e tij të parë), shkrimtari e ndien moshën e dytë. Ai ndien peshën e saj, lumturinë, trishtimet dhe gjithçka tjetër të saj, që, duke qenë të përmasave të tjera, ngjajnë të mbikësojetshme.

Ai është dyzet vjeç, por një zë i brendshëm i thotë: në të vërtetë, ti je ende dy vjeç, kështu që sipas kalendarit tjetër, atij të dytit, ti ke ende një mijë e katërqind vjet për të jetuar. Por në moshën e dytë të shkrimtarit kalendari mund të ecë mbrapsht, domethënë shkrimtari, me kalimin e viteve, në vend të plaket, mund të rinohet edhe më. Të gjitha këto sjellin në jetën e shkrimtarit një tjetër ajër e tjetër klimë nga të tjera zona. Që e gjithë kjo të shëmbëllehet me punët hyjnore, çka edhe shpesh është bërë, gjithashtu është e kuptueshme. Më shumë se një vetëmburrje e shkrimtarëve, ky hyjnizim i punës së tij ka ardhur nga vështirësia për të shpjeguar të fshehtën e dy kalendarëve.

(Marrë  me shkurtime nga libri i Kadaresë “Ftesë në studio”)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama