“Angelus” është një nga çmimet më të rëndësishme që jepen për prozën, dedikuar një shkrimtari të Europës Qendrore, i cili në veprën e tij trajton çështje të rëndësishme për kohën e sotme. Përveç një statuje të dizenjuar nga Ewa Rossano, ky çmim shoqërohet me një vlerë monetare prej 150.000 zlot (afërsisht 45 mijë dollarë), ndërkohë që një vlerësim shkon edhe për përkthyesin e veprës fituese. Shtatë veprat në nominim do të shqyrtohen nga një juri profesioniste e kryesuar nga Natalia Gorbaniewska, poete ruse, gazetare dhe përkthyese e letërsisë polake. Fituesi për vitin 2010 do të shpallet në një mbrëmje gala, ndërsa disa ditë më parë, në kuadër të këtij aktiviteti organizohen takime me shkrimtarë të ftuar.
Fitues të këtij çmimi në edicionet e shkuara kanë qenë Jurij Andruchowycz, Martin Pollack, Péter Esterházy, Josef Škvorecký dhe Gryögy Spiró. Fakti që ky çmim letrar është themeluar në qytetin Wroclaw lidhet me një traditë të tij si qyteti i dialogut dhe komunikimit. Për shkak të traditës dhe vendndodhjes, Wroclaw ka shërbyer si një vend ku kombe, kultura dhe prirje të ndryshme intelektuale kanë bashkëjetuar.