Por, e rëndësishme, sipas Kadaresë, është që koha është duke punuar për shqiptarët dhe Kosovën. "Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë, kur koha punon për ta, kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta - ose e kundërta. Dhe, këtu ndodhin shpesh tragjedi. Kam kënaqësinë ta përsëris që koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët", u shpreh Kadare.
Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. "E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë në kohën e duhur për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të mëtejme për rolin që ka, pasi është personalitet unikal dhe duhet ta them misionar dhe ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme", tha presidenti Sejdiu.
Ismail Kadare, lidhjen me Kosovën e ka shprehur në shumë nga librat dhe publikimet e tij, të cilët sensibilizuan opinionin evropian në kohën kur populli shqiptar i Kosovës kalonte nëpër periudha të vështira të mbijetesës. Kadare e quan Kosovën gjënë themelore të kombit shqiptar. Ai është shprehur i kënaqur që ka gjetur gjuhë të përbashkët me presidentin Sejdiu për zhvillimet në Kosovë.
I pyetur të komentojë për rëndësinë e rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, shkrimtari i madh shqiptar ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar gjithmonë. Këto afrime, sipas tij, e kapërcejnë atë që mund të bëjë një rrugë.
/Radio Evropa e Lirë/