Kadare risjell Dimrin Tabloja ime per komunizmin

Kadare risjell 'Dimrin': Tabloja ime per komunizmin
 Romani “Dimri i vetmisë së madhe” u shkrua më 1971, në kohën kur, qysh prej një viti, në jetën time prej shkrimtari kishte ndodhur një ndryshim rrënjësor. Qysh prej një viti, vepra ime botohej dhe ndiqej me vëmendje të veçantë në Perëndim. Ky kushtëzim i ri më kishte bërë të ndërgjegjshëm se këndej e tutje vepra ime do të gjendej në një raport të ri me njerëzit dhe me botën. Ndonëse vazhdonte të shkruhej në të njëjtin truall, si edhe brenda së njëjtës kohë dhe të njëjtit rend politik, ajo vepër kishte pësuar një zhvendosje mu në aksin e saj.

Thelbi i zhvendosjes qëndronte në atë që ajo u drejtohej, këndej e tutje, dy lloj lexuesve: lexuesit shqiptar, pjesërisht të indoktrinuar prej komunizmit, dhe lexuesit perëndimor, kryesisht armiqësor ndaj këtij rendi. Thënë ndryshe, në rast të zhvillimit të mëtejshëm të saj, kjo vepër do të kishte një jetë të dyfishtë, njërën në kohën pa liri, që quhej epokë socialiste, dhe tjetrën në kohën e lirisë, atë që mund të quhej kohë eterne, që është koha e natyrshme e artit. Një gjë e tillë ngjante e pamundur. Këto dy kohë e përjashtonin njëra-tjetrën dhe njëra prej tyre, donte apo s’donte shkrimtari, do të ndihej e tradhtuar.

I gjendur në një skajim që do ta quaja tragjik, në qoftë se nuk do ta kisha zgjedhur unë vetë, duke e ditur se koha e dytë, ajo eterne, ishte koha e vetme e letërsisë, me besim donkishotesk tek arti, arrita të krijoj bindjen e brendshme se edhe brenda robërisë mund të përdorja ligjet dhe veglat e kohës eterne. Thënë ndryshe, të ndihesha i çliruar prej kushtëzimit komunist.

Kishte ditë që kjo ngjante e mundur, ashtu siç kishte të tjera kur shpresa venitej dhe horizontet mbylleshin. E ndërlikonte gjendjen fakti që nuk po trajtoja më ndonjë mit a legjendë të jashtëkohshme, por ngjarjen më dramatike bashkëkohore, përçarjen brenda universit komunist.

E vetmja hatu që kisha, ishte armiqësimi grotesk i Shqipërisë së vogël me kampin socialist, çka më lejonte demonizimin e këtij kampi, pjesë natyrale e të cilit, ndonëse formalisht e shkëputur, Shqipëria vazhdonte të ishte. Ndërkaq, kisha kundër meje të gjitha rregullat dhe ligjet paralizuese të realizmit socialist.

Duke e nxjerrë titullin e veprës prej fillimit të “Rikardit të tretë” të Shekspirit, “Now is the winter of our discontent”, e kam nisur kronikën e frikshme të përçarjes së komunizmit, asaj që ende nuk e kishte prekur asnjë shkrimtar i hapësirës së pafundme të kampit, i bindur se e vërteta për të cilën do të dëshmoja, ndonëse nuk do të ishte e plotë, gjithsesi nuk do të dëmtohej prej mangësisë. E dija se nuk do të kisha asnjë përligjje përpara kohës dhe as alibi të tipit: mungesë njohjeje, naivitet për shkak të besimit në idealet doktrinore e të tjera si këto. I njihja faktet, e dija të vërtetën, ashtu siç dija maskën dyzuese, me të cilën ajo mbulohej. Mbi të gjitha, e dija se si dëshmues i brendshëm i temës më tabu të kësaj bote, kisha një përgjegjësi të veçantë për vërtetësinë e tablosë globale të bllokut të lemerishëm komunist, që ende e kërcënonte botën. Bashkë me ngjarjen romaneske, doja apo s’doja, i jepja Perëndimit një informacion për këtë botë, për rrezikun, për tmerret ose për bllofet e saj.

I ndërgjegjshëm se vërtetësia e tablosë globale gjithsesi do ta bënte të falshëm cungimin e së vërtetës lidhur me atë çka ndodhte në Shqipëri, në vendin ku jetoja dhe ku libri do të lexohej me lupë, që nga militantët fanatikë të regjimit gjer te vetë sunduesi, portreti i të cilit ishte mu në qendër të pamjes, për asnjë çast nuk dyshova se kisha bërë një zgjedhje të gabuar.

Koha më shumë më dha, sesa nuk më dha të drejtë plotësisht. Shqipëria komuniste, si të ishte njerkë, e priti veprën me këmbët e para, kurse e kundërta ndodhi me botën e lirë, dhe kjo ishte kuptimplotë. Pas Francës, në më shumë se gjysmën e Europës, romani u prit më mirë se ç’e mendoja, ndonëse miqtë e Rusisë sovjetike, të acaruar natyrisht prej tij, do ta konsideronin si roman antisovjetik dhe njëfarë tradhtie ndaj komunizmit. (Njëzet vite më pas, pas botimit në Rusi, më 1992, romani nuk u konsiderua prej rusëve as pro as antisovjetik, por thjesht si pasqyrimi i dramës së përbashkët të dy vendeve, Rusisë së madhe dhe Shqipërisë së vogël, që vuajtën bashkërisht stalinizmin e kazermës, nën trillet e “dy binjakëve ideologjikë”, Hrushov dhe Hoxha!)

Tabloja globale e komunizmit botëror në këtë roman ishte një ndër më të zymtat që kishte dhënë ndonjëherë letërsia. Jo vetëm titulli, por një pjesë e atmosferës ishte një homazh i qëllimshëm për autorin e “Rikardit të tretë”. Konsili i fshehtë i shefave të komunizmit botëror në Moskë, në prag të përçarjes, më shumë se me festat komuniste, ngjante me një mbledhje funebre dhe të tilla ishin pritjet zyrtare, ku fantazma ministrash të pushkatuar kërkonin vendet e tyre në tryezën e gostisë. Në pjesën e dytë të diptikut, tabloja do të zymtohej edhe më fort. Përshkrimi i krimeve në kupolën komuniste, ato që ngjasonin me vrasjet e mesjetës, do të bëheshin zotëruese, gjë që shkaktoi edhe ndalimin e veprës.

Sa për atë që tabloja ishte e paplotë dhe ndonjë nga portretet kryesore gjithashtu, kjo ishte e pashmangshme. Megjithatë, isha i bindur se në këtë libër nuk kishte të vërteta të përmbysura. Thelbi i tij ishte i vërtetë. E vërtetë dhe jo e shpikur prej meje ishte mbledhja e tetëdhjetë shefave të komunizmit për të dënuar shefin e tetëdhjetenjëtë. Të vërteta, të riprodhuara prej procesverbaleve janë fjalët që u thanë, akuzat, kundërakuzat dhe, sado paradoksale të duket, ende sot po t’i lexosh ato, krijohet përshtypja se shefi i tetëdhjetenjëtë, ai i vetmuari, ai i fajësuari si renegat, ai që, në të vërtetë, ishte më i egri ndër ta, dilte, përkundrazi, më i logjikshmi. Sepse kolegët e tij më liberalë nuk e akuzuan për krimet, ngaqë krime kishin bërë ata vetë, pa përjashtim, por për një gjë që tingëllonte qysh në atë kohë groteske, e dyfish e tillë tingëllon sot: ti ke tradhtuar partinë mëmë, bjeri në gjunjë asaj! Akuza tjetër, e shpallur madje publikisht se i “qe shitur Perëndimit për tridhjetë aspra”, në vend që ta dëmtonte, kishte bërë përsëri të kundërtën.

Aventura e shefit komunist shqiptar për ta shkëputur Shqipërinë nga blloku komunist, pavarësisht nga motivet egocentrike prej nga u nis, ka qenë i vetmi aksion i tij, të cilin pjesa më e përparuar e Shqipërisë e ka përkrahur. Në atë shkëputje, Shqipëria, e ndarë nga Europa prej komunizmit, vuri të vetmen shpresë për t’u kthyer te kontinenti mëmë.

Në qoftë se kjo do të ndodhte, fati i Shqipërisë do të ndryshonte kryekëput. E bashkë me të i ndryshëm do të ishte gjykimi i historisë për shefin komunist të vendit. I skajuar midis Titos dhe Frankos, kishte gjasë që, për shërbimin që pa dashur i kishte bërë vendit të vet dhe Perëndimit, duke i larguar rusët nga Mesdheu, të gjykohej më butësisht prej kohës.

Për fat të keq, shkëputja e Shqipërisë prej bllokut komunist nuk e çoi Shqipërinë drejt Europës. Në këtë sfond, romani që duhej të ishte këngë për lamtumirën nga një botë e padashur, do të mbetej thjesht kujtimi i një zhgënjimi. Tridhjetë e pesë vite pas botimit të parë, të vetmit botim të pacunguar në Shqipëri, libri vjen përsëri në duart e lexuesit shqiptar, i cili sot nuk është më i ndryshëm, por i njëjtë me atë të botës së lirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama