Kadare sa afer Italia per shqiptaret sa larg Shqiperia per italianet

Kadare: sa afër Italia për shqiptarët, sa larg Shqipëria për italianët
Por nga një bisedë që parashikohej e shkurtër, flasim për mëse një orë e gjysmë papushim. Shkrimtarit i duhet pak që t’i harrojë kamerat që i kanë kthyer përmbys dhomën e tij të ndenjes në pallatin e Boulevard Saint Michel ku kalon një pjesë të madhe të muajve të vitit, mikpritës e i interesuar që gjithçka të shkojë mirë, pyetja i shërben si ngacmim për të vërshuar plot pasion në ligjëratën e vet. Botojmë këtu një pjesë të bisedës, që ka si bosht qendror marrëdhëniet Shqipëri-Itali.


Duke vënë në pah se dokumentari, i pari në Itali që shteron historinë shqiptare nëpërmjet arkivave kinematografikë, i drejtohet publikut italian. Ndaj vërejtjet kritike të Kadaresë ndaj disa qëndrimeve të Italisë me Shqipërinë bëhen edhe më shumë interesante, pasi përmbajnë atë element dinjiteti e kritike që i mungon politikës shqiptare përballë të huajve.

Zoti Kadare, në një vështrim të gjerë historik, ku do të ndaleshit për tu marrë më gjatë në marrëdhëniet Itali-Shqipëri?

Mendoj se jashtë çdo paragjykimi politik, ose gjeostrategjik, ose kulturor, marrëdhëniet Shqipëri-Itali, kanë të bëjnë me marrëdhëniet Itali-Gadishull Ballkanik. Gadishulli Ballkanik, është më i vjetri e më i madhi i Evropës. Ndër të tre gadishujt e jugut është, mendoj, kryesori, në kuptimin historik dhe kulturor për arsye që dihen. Janë tre gadishuj, të tre të rëndësishëm, Apenin, Ballkanik dhe i Pirenejve. Secili ka dhënë më tepër se gjysmën e qytetërimit evropian: Ballkani me grekët e vjetër; Italia me kulturën e saj latine, e pastaj me Dante Alighierin e me radhë; Pirenejtë që kanë dhënë, po të përmendim Don Kishotin, për të dhënë një shembull të thjeshtë.

Këta janë gadishujt pa të cilët nuk mund të kuptohet Evropa. Kur themi marrëdhëniet Itali-Gadishulli Ballkanik, është një gjë tepër e rëndësishme sepse janë marrëdhëniet midis dy gadishujsh dhe në këtë kuadër Shqipëria zë një vend të veçantë. E them këtë jo sepse unë jam shqiptar dhe ju jeni një televizion italian dhe unë duhet tani të gjej patjetër në mënyrë artificiale pikat e afrimit, por sepse kështu ka qenë.

Shqipëria është përballë Italisë, vendi më i afërt, vendi që ka pasur gjatë 1000 vjetëve të Mesjetës marrëdhënie të ngushta, edhe më përpara, gjatë kohës së latinëve me Italinë marrëdhënie kulturore ekonomike, ushtarake, vendi që ka, si të thuash, si një ballkon përpara një ndërtese të madhe. Italia për Shqipërinë, dhe për gjithë këtë anën West Ballkan, Ballkani perëndimor që i thonë, ishte fqinji më i madh evropian, imediat, i afërt, i drejtpërdrejtë, jashtë teorive kjo.

Prandaj kështu shpjegohen marrëdhëniet shumë të ngushta që kanë pasur principatat shqiptare, sinjorët e Shqipërisë me Italianë, që nga kohërat e vjetra, qoftë konfliktuale siç kanë qenë me Romën, qoftë jo-konfliktuale siç kanë qenë, miqësore, gjysmë miqësore, prapë konfliktuale, kanë qenë marrëdhënie shumë të ngushta.

Ju i shihni si marrëdhënie gjeografike e historike. A kanë arritur këto marrëdhënie, sipas jush, të krijojnë edhe një bashkëpunim kulturor? Sidomos duke pasur parasysh që pesëdhjetë vjet të regjimit komunist i ndërprenë lidhjet.

E keqja e kësaj pune në historinë shqiptare është se në gjysmë shekulli komunizëm, komunizmit i interesoi edhe që këto marrëdhënie t’i zbehë, t’i sfumojë, t’i bëjë sa më të parëndësishme. Kështu për shembull, janë zbehur marrëdhëniet e mëdha që Shqipëria, principatat shqiptare kishin me Romën, me Venedikun, me Vatikanin, me Mbretërinë e Napolit, sepse kjo tregonte se Shqipëria kishte marrëdhënie me botën perëndimore, për të cilën komunizmi ishte armiku kryesor, kurse nga ana kulturore, akoma monstruozitet edhe më i madh.

Është sfumuar, është mjegulluar latiniciteti i kulturës shqiptare, ka një bazë, një taban shumë të fortë latin, jo pushtues, jo imitues, por po atë taban latin që ka pasur gjithë Evropa metropolitane. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që ka një letërsi shumë të theksuar letërsie shqipe, shekullore, 300 vjet e ca, ku shkrimtarët më të mëdhenj të saj ishin bilingë, ishin dy-gjuhësh, shkruanin shqip, botonin shqip dhe latinisht. Domethënë një pjesë e mirë e kulturës shqiptare kanë qenë bilingë siç ka qenë kultura franceze, gjermane, portugeze, e të gjitha vendeve.

Gjithë shkrimtarët e shquar jo vetëm artistikë, shkruanin në dy gjuhë, në gjuhën e vetë dhe në gjuhën latine, pra ne e kemi këtë traditë që për fat të keq nuk e evidentojmë sepse na ka ngelur tradita e keqe e komunizmit që këtë traditë ta lëmë mënjanë.

Ju keni shkruar një libër, “Dantja i pashmangshëm”, nëpërmjet të cilit bëni një histori të Shqipërisë nëpërmjet Dante Alighierit. Si shtjellohet kjo marrëdhënie nëpërmjet një poeti?

Unë kam pasur prej kohësh dëshirë të shkruaj këtë ese për Danten sepse është një ese që tregon në mënyrë tepër të rrokshme sesi marrëdhëniet ndërmjet dy popujsh vihen në provë dhe një nga gjërat më të bukura që i vënë marrëdhëniet në provë, ose më e vërteta, është kultura, figura e Dantes si dukuri.

Kjo që ka ndodhur mes Shqipërisë dhe Italisë nëpërmjet Dantes është një shembull i shkëlqyer për kulturën evropiane, tregon se si dy popuj që kanë pasur histori të gëzueshme dhe të trishtueshme duke përfshirë edhe histori lufte, dhe një gjeni i pajton, një gjeni qëndron mbi stuhinë e kohës, dhe nuk ndryshon asgjë, në marrëdhëniet shqiptare italiane, pas katastrofës politike, izolimit të komunizmit.

Dante fitoi edhe mbi komunizmin, është një shembull kaq i madh ky, është l\'ésprit européen, shpirti evropian quhet. Pra shikoni se se arriti që në atë komunizëm aq të pamëshirshëm që s’i dilte ballë kush, Dante Alighieri për çudi arriti t’i fitojë zemrat e shqiptarëve.

E keni quajtur një mrekulli të kulturës.

Pikërisht, kjo është një nga mrekullitë e kulturës. Dantja ishte i papërshtatshëm për komunizmin shqiptar, sepse ishte shkrimtari kryesor i Evropës, një ndër tre gjenitë kryesorë të Perëndimit, ishte i papërshtatshëm për veprën e tij, që ishte një vepër trashendentale, metafizike, fetare, kishte gjithçka që komunizmi nuk e donte, një botë tjetër që përshkruan, një botë imagjinare. Ishte i papërshtatshëm sepse të kujtonte terrorin komunist, ferrin komunist, e megjithatë arriti t’i shpëtojë vëmendjes së ngushtë duke qenë shkrimtar i fuqishëm.

Këtë kanë shkrimtarët e fuqishëm - nganjëherë arrijnë të gabojnë edhe diktaturat - i trullosin, ua marrin mendjen si të thuash. Dhe Dantja vazhdoi. Përkthimet më të bukura të Dantes janë bërë në Shqipëri gjatë komunizmit çuditërisht, pse, unë e kam thënë në esenë time, populli shqiptar si çdo popull i ish lindjes, kishte nevojë për Dante Alighierin, kishim nevojë për shkrimtarin që na tregoi ç’është skëterra mbi tokë.

Ka një moment përplasjeje në historinë e Shqipërisë dhe Italisë, është periudha ‘39-‘43, pushtimi dhe sundimi fashist, një katërvjeçar ku Shqipëria humb pavarësinë, por njëkohësisht merr një hov të ri modernizmi. Në vështrimin tuaj, si gjykohet sot pushtimi nga shqiptarët?

Çështja e pushtimit italian në Shqipëri, e pushtimit gjerman pastaj, mesa duket ka akoma vend për tu inkuadruar në histori, në mënyrë sa më të saktë.

Natyrisht - parimisht një pushtim është një pushtim - një pushtim është marrja e lirisë së një populli nga një vend tjetër, dhe pushtimi italian e kishte këtë paradigmë themelore. Ndërkaq në Shqipëri pati shumë konfuzion lidhur me pushtimin italian. Pati edhe kundërshtim të tij por pati edhe njerëz që e pranuan.

Historia nuk e ka bërë ende balancën se si është e vërteta. Kështu duhet marrë parasysh se sigurisht, në kundërshtimin e pushtimit italian do të luante rol edhe propaganda komuniste e cila, edhe sikur të ishte një vend mik Italia, jo pushtues, do ta urrente, jo pastaj që kishte arsye objektive për ta sulmuar, sepse komunistët, me po aq tërbim si Italinë, me më shumë se Italinë bile, sulmonin Amerikën që s’na kishte pushtuar kurrë, sulmonin Anglinë, sulmonin vendet e tjera perëndimore, Gjermaninë Perëndimore, që kishte aq përgjegjësi pushtimi po aq sa kishte Gjermania Lindore. Pra komunistët gjenin armiq ku u interesonin dhe për çudi me Italinë nuk ishin aq të ashpër sa ishin me këto shtete, nuk ishin të sinqertë kundër këtij pushtimi.

Pse u ngatërruan kështu shqiptarët me pushtimin italian dhe gjerman? Duhet të jemi të sinqertë dhe ta pranojmë kohën në rrethanat kur vjen koha dhe jo pas 50 vjetësh të gjykosh në mënyrë të shkëputur nga konteksti i kohës.

Jemi në vitet ‘39, ‘42, ‘43, në botë ka një përleshje të madhe midis dy kampeve të boshtit fashist dhe aleancës tjetër të botës së lirë, po prapë nuk ka qenë kaq e qartë siç na duket nganjëherë neve sot, sepse sot, në këtë botë të lirë perëndimore, bota e demokracive perëndimore, hyri papritur një shtet totalitar, një diktaturë mizore, Bashkimi Sovjetik, dhe këtu filloi konfuzioni. Domethënë në mbrojtjen e qytetërimit evropian kundër nazizmit, që ishte një gjë e drejtë të mbroheshin, u fut një fuqi mizore, një fuqi që ishte kundër këtij qytetërimi dhe në këto vende si Shqipëria, Hungaria, vendet e Kaukazit, ka shumë vende që patën konfuzion.

Ne kujtojmë se vendet e Bashkimit Sovjetik u ngritën të gjithë në këmbë kundër fashizmit. Nuk është e vërtetë, disa vende e pritën, disa popuj e pritën, nuk do thoja me gëzim por e pritën si një zgjidhje më të mirë se sa zgjidhja sovjetike komuniste.

Ndoshta një ngazëllim i tillë shoqëron edhe mbështetësit e tezës se pushtimi italian dhe ai gjerman vunë në vend, sadoqë përkohësisht, një padrejtësi që u ishte bërë shqiptarëve në 1913-ën me vendosjen e kufijve. E kam fjalën për krijimin e Shqipërisë etnike.

Po natyrisht. Edhe në Shqipëri u ndanë njerëzit në dy kampe: një pjesë që mendonte se Italia pavarësisht se e bëri këtë gjë, pushtimin, është fundja një shtet evropian, do të na sjellë civilizimin, qytetërimin evropian, dhe plus kësaj, luajti një rol të madh njohja e Kosovës së shkëputur padrejtësisht nga Shqipëria qoftë nga Italia, qoftë nga Gjermania, pra shqiptarët u gjendën përpara një dileme tepër të vështirë për ta zgjidhur, por komunistët ishin shumë miq me forcat më të këqija të kësaj aleance me rusët dhe jugosllavët.

Në planin kombëtar komunistët ishin praktikisht kundër Kosovës, kështu interpretohej në popull: këta ia dhanë Kosovën rusëve dhe serbëve, se ata kanë miq, kurse ne të tjerëve na thonin nacionalistë. Ne vërtet jemi me një forcë që kritikohet shumë si diktatoriale por ama ne sigurojmë Shqipërinë natyrale. Pra shqiptari i thjeshtë nuk e kishte të lehtë të orientohej kundër fashizmit me botën demokratike, ajo nuk ka qenë kështu, të dy palët kishin argumente dhe kundërargumente ku populli shqiptar u gjet disa herë në dilema të mëdha. Dhe kështu shpjegohet në Shqipëri lëvizja nacionaliste progjermane ose proitaliane që ishte e fortë gjithashtu dhe këtu u bë ajo që nuk e pranon historiografia komuniste ende sot, këtu ka qenë luftë për çlirim por po aq e fortë ose më e fortë se ajo ka qenë lufta civile, lufta për të marrë pushtetin.

(...)

Zoti Kadare, pse ebraktisi Perëndimi Shqipërinë? Pse e hoqi, siç keni thënë ju njëherë, edhe nga harta e shërbimit sinoptik?

Kjo është një nga gjërat e pashpjeguara mendoj unë, ose të shpjeguara në mënyrë jo fort të saktë. Perëndimi e ka quajtur të parëndësishme Shqipërinë. Ishte vendi që mund të shkëputej më lehtë nga blloku sovjetik, se praktikisht ai u shkëput në ‘60, preu edhe marrëdhëniet diplomatike, ishte pothuaj në gojë të Evropës, por Perëndimi nuk donte ta afronte Shqipërinë. E para, kishte një të drejtë sepse ishin bërë krime nga më të fëlliqurat në këtë vend dhe Shqipëria mund të afrohej me Perëndimin po të rrëzohej klasa që udhëhiqte, politike, por Enver Hoxha ëndërroi të pamundurën, të pranohej ndoshta prej Perëndimit bashkë me krimet e tij siç u pranua Titoja.

Titoja nuk ka qenë ndonjë engjëll siç mendohet ngandonjëherë, na ka mësuar edhe neve ca krime shumë të mëdha, në ’45, si t’i bënim më mirë... dhe kjo nuk ndodhi. Perëndimi siç e kam kuptuar unë, me sa dukej, nuk donte të acarohej me Rusinë hrushoviane, Bashkimin Sovjetik hrushovian për shkak të Shqipërisë. Kur e ka vënë në balancë, ndoshta nuk i dilte llogaria, arsyet strategjike kanë qenë të tilla që mund të kishte të drejtë, priste të merrte diçka më të majme nga ky kamp sesa një Shqipëri të vogël që ta kishte barrë.

Këtu do të bëja një parantezë në lidhje me marrëdhëniet me Italinë, e heqim anën globale të marrëdhënieve të Perëndimit me kampin socialist. Italia ndaj Shqipërisë duhej të ishte treguar më e vëmendshme, ky është një qortim që unë e kam bërë disa herë, nuk kam marrë ndonjë përgjigje nga ..., nuk e di... , dhe mendoj se është një kufizim... i atij mendimi italian që nuk ka pasur mundësi ta shikojë këtë gjë në thellësi.

Dhe ku qëndron ky thellim juaji?

Mendimi im është shumë i qartë: Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka pasur një jetë të përbashkët me Italinë, heqim historinë mesjetare..., po ka pasur jetë të përbashkët shtetërore me Italinë për katër vjet, ‘39-’43. Kemi qenë një shtet, nuk u tha është pushtim, kanë thënë “është bashkim”, dhe për një pjesë të njerëzve, ka qenë bashkim sidomos me Italinë. Ne kemi pasur të njëjtin mbret, Vittorio Emanuelen, ishte mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, perandor i Etiopisë, pra perandoria fashiste përbëhej nga tri pjesë Itali, Shqipëri, Etiopi, zakonisht në raste të tilla, kur një shtet ka bërë një pushtim të një shteti tjetër sidomos në Evropë, vetvetiu ka një përgjegjësi morale për fatin e tij të mëtejshëm, dhe Italisë, mendoj unë, i binte të kishte një përgjegjësi morale ose të përdor një fjalë artistike, një dhimbsuri për Shqipërinë.

Për fat të keq Italia ka qenë shumë, shumë shpërfillëse ndaj Shqipërisë. Kam menduar gjatë pse ka ndodhur. Heqim anën gjeopolitike globale sepse ishte kampi perëndimor, drejtohej nga një qendër shumë e fuqishme, anglo-amerikane a anglogjermane siç quhej. Por marrim anën njerëzore, Italia e dinte fare mirë... kishte ambasadë në Shqipëri, që i vetmi vend i bllokut komunist që shihte televizionin italian ishte Shqipëria, dhe për një dëshpërimin tim të vazhdueshëm unë nuk kam parë kurrë në televizionet italiane një emision për Shqipërinë, së paku për të treguar që ne jemi në bregun tjetër por ne e dimë që ju ekzistoni, në Itali kishte disa qindra mijëra shqiptarë arbëreshë ... kanë luajtur një rol në historinë e Italisë, dhe me një zhvillim kulturor, të kënaqshëm, kurrë nuk dha Italia një emision kulturor për këta që ta shikonin shqiptarët, domethënë ... kjo shpërfillje çfarë solli?

Vetëm atë që ishte dekurajuese për shqiptarët se ç’ishte ky vend fqinj që flet tërë ditën Liban, Palestinë, Madagaskar, Zanzibar, Kenia, Gana, vetëm Shqipëria nuk ekzistonte, ç’është ky vend që nuk e shikon fqinjin e vetë. Po kujtoj përgjegjësinë morale, Italia u nda nga Shqipëria dhe diktatura shqiptare e shfrytëzoi këtë shumë mirë: shikoni ja Perëndimi, që e keni mendjen juve, disa, Perëndimi nuk çan kokën për Shqipërinë, e ka mendjen tek një qind mijë popuj të tjerë, tek Shqipëria asnjëherë.. nuk do Italia... dhe kjo ishte shumë e hidhur se kjo vazhdoi dyzet vjet. Unë nuk di, s’më ka dhënë kurrë asnjëri shpjegim për këtë.

Jo vetëm e djathta,por edhe e majta italiane, partia më e madhe komuniste në Perëndim, ishte kundër Shqipërisë.

Po pra. Unë e kuptoj që e djathta italiane ishte e zemëruar me Shqipërinë se Shqipëria ishte staliniste, Shqipëria ishte vend idiot, i bie shkurt, e përdorte. Por e keqja e Shqipërisë ishte se edhe e majta e Italisë ishte kundër Shqipërisë se ishte shumë servile ndaj Bashkimit Sovjetik, dhe kjo nuk i bën nder kësaj të majte. Për t\'i bërë qejfin rusëve e majta italiane pati një armiqësi të egër ndaj Shqipërisë. Mua më kujtohet njëherë, nuk e harroj kurrë, që në ‘83, një kritik italian, Scarsia më duket e ka mbiemrin, në një mbledhje në Romë, bëri një kritikë kundër një libri tim, “Muzgu i perëndive të stepës”.

Por kritika është një fakt jashtëzakonisht i trishtueshëm, ishte si e një polici stalinist, praktikisht ai i bëri thirrje shtetit shqiptar të më dënonte mua. Ku ishte kritika? Ismail Kadare, thoshte, në këtë roman, godit Bashkimin Sovjetik nga pozita perëndimore. Unë jetoja në Shqipëri dhe unë e botova, dhe ky roman kështu ishte vërtet, unë godisja Bashkimin Sovjetik duke përfituar nga armiqësia, nuk ishte ndonjë trimëri shumë e madhe, por ama arrita të botoja një roman ku goditja një sistem sovjetik që ishte i gatshëm me sistemin shqiptar, dhe del kritiku italian, i majtë, komunist dhe i bën thirrje shtetit shqiptar, qeverisë shqiptare të më dënojë, është turp i madh për një vend perëndimor.


Kjo ishte pra armiqësia e të majtës italiane, nuk them e gjithë të majtës, por mesa duket e një pjese të të majtës, dhe kjo i ka kushtuar jashtëzakonisht shtrenjtë Shqipërisë, i ka kushtuar shtrenjtë emancipimit të Shqipërisë, Italia mund të luante një rol emancipues. Pse? Italia e pa që pushtimi italian nuk i errësoi marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, shqiptarët vazhduan ta duan kulturën italiane, po bie fjala prapë këtu tek Dante Alighieiri. Në komunizëm Dantja, vazhdoi të ishte shumë i njohur, po nuk u pengua fare nga politika. Ai ishte shkrimtar gati kombëtar në Shqipëri, pra populli shqiptar kishte një prirje të mirë ndaj Italisë, jashtëzakonisht humane. Italia mund të përfitonte nga fakti që populli shqiptar nuk u ra më qafë ushtarëve italianë, ishin rreth 40 mijë vetëm pas kapitullimit të Italisë në Shqipëri, iu dha strehë, i mbrojti, të paktën nuk u hakmor ndaj tyre.

Më kujtohet njëherë, Italia shkoi e ngriti një monument në një fshat të Ukrainës, vuri një monument mirënjohjeje sepse ky fshat u kishte dhënë bukë 6 ushtarëve italianë! Gjashtë! Në Shqipëri ka pasur 40 mijë, ku populli shqiptar në \'43-shin i armatosur i tëri, nuk u ra ushtarëve italianë, dhe unë këtë e kam biseduar njëherë me ambasadorin italian në Tiranë. Dhe ai më tha: zoti Kadare jam plotësisht dakord me ju dhe do ta propozoj, unë e kam propozuar tha, nuk e di ku ka mbetur, të bëhet një monument mirënjohjeje, për këta mijëra ushtarë, një pllakë, një shenjë... sepse është një gjë që emancipon popujt, që i afron, që u heq ndjenjën e urrejtjes, është një gjë që është e nevojshme për shqiptarët për të kuptuar që "Ja kam bërë një gjest human" ndaj armiqve të tyre. Po ku çmohet ky gjest, jo, nuk është dashur të bëhet, dhe unë nuk e kuptoj këtë.

Do të përfitoja nga kjo intervistë që, natyrisht marrëdhëniet ndërmjet dy popujve, nuk po flas si politikan as si ndonjë moralist, kanë vërtetë një të ardhme shumë të bukur, duhet vetëm një mirëkuptim, një heqje e klisheve keqkuptuese të kohës së komunizmit. Eshtë në përfitim të dyanshëm, Italia vërtet ka një mik në Ballkan, natyral, ka një popull që për nga struktura e kulturës së tij e kupton shumë mirë kulturën italiane, gjuhën italiane, muzikën italiane, thesarin humanist italian dhe është mëkat që kjo gjë të mos hyjë në punë, kjo duhet të hyjë në punë, për një gjë të mirë. Unë kam besim se kjo do të ndodhë.

*Roland Sejko është autori i dokumentarit “Albania, il paese di fronte”

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama