Kadare u tregua i pabese me percolli ne Rinas dhe u arratis ne France

'Kadare u tregua i pabese, me percolli ne Rinas dhe u arratis ne France'
Rrjedha e ngjarjeve shpërthyese të vitit ‘90 i parapriu zhvillimeve demokratike, që përmbysën diktaturën komuniste dhe e renditën vendin në krahë të aleatëve perëndimorë. Plotë 20 vjet më pas, ish-presidenti komunist, Ramiz Alia, në një intervistë për gazetarin e njohur Bledi Fevziu, sjell një retrospektivë të zgjeruar me momentet më të rëndësishme të asaj periudhe, duke shtjelluar jehonën e revoltave të para antikomuniste në Shkodër, Tiranë e Kavajë, bisedimet me gazetarin e famshëm Sulsbejger, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së De Kuelar, e deri te përjetimet nga ikja e Ismail Kadaresë në shtator të ‘90...

Zoti Alia, viti ‘90 ka qenë një prej viteve më të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve, një vit i tensionuar dhe me ngjarje shpërthyese, siç ishte ajo e 14 janarit në Shkodër, ku u bë një tentativë për të rrëzuar bustin e Stalinit dhe demonstrata e parashikuar për t’u zhvilluar në Tiranë, më 28 janar. Ndërkaq, në Europën Lindore kishin nisur përmbysjet e regjimeve diktatoriale komuniste. Si i përjetonte këto lidershipi komunist?

Zhvillimi i ngjarjeve, pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e Lindjes, patjetër që do çonte te mendimi se ajo që ndodhte aty, do ndodhte edhe në Shqipëri. Lufta e Ftohtë nuk do të kufizohej vetëm me rrëzimin e sistemit socialist në një pjesë të vendeve, por do t’i përfshinte të gjithë. Pra, mundësia e përmbysjes së socializmit në Shqipëri ishte evidente. Prandaj, në atë kohë u përpoqëm për të marrë disa masa të ndryshme, me qëllim që të lehtësonim këtë kalim. Atë vit bëmë katër plenume, në të cilat morëm disa vendime, qofshin të fushës ekonomike, por veçanërisht në fushën politike. Unë isha më tepër për zhvillimin e mendimit pluralist, që njerëzit të shpreheshin hapur. Pra, kisha parasysh që të gjitha masat e marra mos të dilnin jashtë kuadrit të sistemit socialist. Nuk isha në atë kohë gati as për pluralizmin partiak e as për ndryshimin e sistemit, nga socialist në borgjez.

Sidoqoftë, zhvillimet e reja kishin nisur. Nuk ka dyshim që disa të dhëna siç ishin ngjarjet e Shkodrës, ato të Kavajës, disa pakënaqësi, disa artikuj që filluan të dalin në emër të disa intelektualëve si Ylli Popa, Sali Berisha, Ismail Kadareja, etj, tërhiqnin vëmendjen për disa çështje të veçanta, duke bërë vërejtje e sugjerime konkrete, por jo për ndryshim të sistemit. Kjo tregonte se duhej të lëviznim, domethënë se ndryshimet ishin të domosdoshme. Të mos harrojmë se ndryshimet në Shqipëri kanë të bëjnë me faktorin e jashtëm. D.m.th: ishte e interesuar bota perëndimore. Në qoftë se SHBA dhe vendet perëndimore ishin të interesuara për përmbysjet në vendet e Lindjes, padyshim që ishin tepër të interesuara që këto ndryshime të ndodhnin edhe në Shqipëri, e cila kishte mbetur e vetme. Dominoja e fundit, siç i thoshin, do të binte dhe duhej të binte patjetër.

Në maj të vitit ‘90 janë regjistruar dhe dy takime të rëndësishme, që keni pasur me gazetarin e njohur Sulsberger dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, De Kuelari. Çfarë kujtoni nga to dhe cilat ishin mesazhet prej tyre?

Sulsbergeri është një gazetar i vjetër dhe shumë i njohur. Ai ka qenë edhe më parë në Shqipëri, në periudhën 1938-1939, para ndryshimeve që u bënë pas Luftës së Dytë Botërore. Kur erdhi në Shqipëri kërkoi të takohej me mua. Bisedimet me të kanë qenë thjesht një bisedë për Shqipërinë. Ai pyeti për gjendjen, si është, si nuk është, çfarë mund të bëhet, kujtoi ca histori të vetat, që e lidhnin me vendin tonë dhe kaq. Sa për takimin me De Kuelarin, njëra nga çështjet ishte ajo e nxjerrjes nga Ambasada Italiane e familjes Popa. Familja Popa, siç dihet, ishte futur në Ambasadën Italiane më parë. Ne bëmë shumë presion që të na dorëzohej kjo familje, por italianët nuk pranuan. Na u bë shumë presion për ta lejuar që të dilte jashtë. Vetëm pasi lejuam për t’u larguar Popajt, u realizua vizita zyrtare e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Më parë u ulëm e zhvilluam bisedime me italianët. Arritëm një marrëveshje të përbashkët për lëvizjen e tyre dhe një ditë para takimit me De Kuelarin, u bë i mundur udhëtimi i tyre për në Itali.

Padyshim që ngjarja më e bujshme e vitit ’90 është vërshimi në ambasada më 2 korrik, ose siç u quajt ndryshe, kriza e ambasadave. Është folur se për këtë ka pasur një urdhër nga ana juaj. A është e vërtetë se keni urdhëruar për të hapur ambasadat?

Nuk ka pasur urdhër për hapjen e ambasadave, sepse futja e njerëzve në to, ajo që ndodhi në korrik të ‘90, ishte një goditje e madhe për pushtetin tonë dhe është absurde të mendosh që ne dhamë urdhër për të hapur ambasadat për të futur njerëzit. Kur u futën brenda, dy rrugën kishim: O duhej t’i nxirrnim me forcë dhe të futeshim në konflikt me ambasadat, gjë që do të kishte pasoja të mëdha. Ose t’i hapim rrugë të dilnin dhe kjo ishte më logjike. Për këtë na ndihmuan shumë, sidomos përfaqësuesit e OKB-së, sepse në atë kohë u kërkuam emrat dhe ambasadat nuk na i jepnin. U desh prezenca e përfaqësueseve të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, që brenda natës të merrnim emrat dhe t’u jepnim po brenda natës pasaportat të gjithëve. Kështu që këta qytetarë, janë të vetmit shqiptarë që ikën si qytetarë legalë, jo si ata që ikën ilegalisht më vonë dhe një pjesë e tyre akoma nuk është stabilizuar plotësisht...

Në shtator të vitit ‘90 ikën Ismail Kadareja dhe kërkon strehim politik në Francë...

Kadareja ka ikur kur unë isha në Kombet e Bashkuara. Domethënë, unë shkova në shtator të ‘90, bile në aeroport të Tiranës kur jam nisur, midis të tjerëve doli dhe Kadareja për të më përcjellë. Mos harroni, se në atë kohë ai ishte nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë. Pra, doli dhe me këtë funksion, siç kishin dalë dhe shumë të tjerë. Kjo ishte hera e fundit që u takova me Kadarenë në Shqipëri, se kur u ktheva nga Kombet e Bashkuara, pas një jave, mora vesh që Kadareja kishte ikur. Si e mora vesh? Më erdhi shumë keq. Më erdhi shumë keq dhe bile ishte një pabesi, e konsiderova një pabesi.

Pse? Se Kadareja me mua fliste hapur. Ai më kishte ardhur në zyrë në maj të atij viti dhe më kishte folur për shumë gjëra; çfarë duhej bërë për fshatin, si duheshin bërë reformat në politikën e jashtme, në kulturë etj. Me mua Kadareja fliste pa ndrojtje fare. Të them të drejtën, më erdhi shumë keq dhe thashë po ky, priti rastin e ua mbathi këmbëve, pa më lajmëruar? Kaq ishte puna e tij dhe asgjë më tepër. Unë e kam thënë disa herë: Kadareja mbetet një shkrimtar i shquar, një talent i veçantë, i madh, por një politikan i keq.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama