Kadare vleresohet me cmimin Flaiano

Kadare vlerësohet me çmimin
Çmimet ndërkombëtare "Flaiano" jepen çdo vit pas një sërë konkursesh, manifestimesh dhe aktivitetesh kinematografike teatrore e televizive në Peskara.

Ky aktivitet lindi në vitin 1974 për të nderuar artistin italian Ennio Flaiano. Prej gati 35 vitesh, ky aktivitet është një ndër evenimentet më të rëndësishme kulturore, i cili grumbullon në Peskara disa prej personazheve më të spikatur të spektaklit e kulturës mbarëbotërore. Çmimet do të dorëzohen nga data 14 qershor deri më 6 korrik në qytetin italian.

Përfaqësuesi i çmimeve, Eduardo Tiboni, duke prezantuar fituesit, u shpreh se "rruga ka qenë e gjatë, ndonjëherë dhe e vështirë, por rezultatet kanë qenë më sinjifikueset dhe konkretet".

Alice Munro, një prej fituesve të këtij çmimi, është një nga romancieret më të njohura sot në Evropë. Librin e saj të parë e ka botuar në vitin 1961. Dhe pse kritika i ka quajtur shpesh historitë e saj të lehta, Munro është një depërtuese e thellë e psikikës njerëzore. Subjektet e librave të Munros vijnë nga eksperiencat e saj në jetë. Në një intervistë, shkrimtarja kanadeze shprehet se historitë që ajo rrëfen në libra nuk janë autobiografike. "Sigurisht që unë kam marrë nga jeta ime gjithçka që është thelbësore për t‘u ngritur një subjekt, kohët kur isha në depresion, idealizmin gjatë adoleshencës, zbulimin e seksit, koha kur braktisa shtëpinë, testi që i bëra vetes gjatë universitetit, kohët kur kam rënë në dashuri, martesën, të pasurit fëmijë, divorcin, përballimin e jetës dhe ecjen e vetme në këtë rrugë shpeshherë të errët të jetës, duke kërkuar ndjenjën", shprehet ajo. Dhe pse i ka kaluar të 70-at, Munro vazhdon të jetë një shkrimtare prodhimtare, historitë e së cilës gjithnjë provokojnë diçka. Por dhe pse duket sikur i ka rrëfyer të gjitha në librat e shkruar, jeta e saj duket sikur është e mbështjellë nga sekretet. "Një femër nuk mund të bëjë pa to", shprehet Munro. Femrat zënë një pjesë të madhe të letërsisë së Munros. 37 vjet më parë, në vitin 1971, ajo shkroi librin me titull "Jeta e vajzave dhe grave".

Shkrimtari tjetër fitues i çmimit "Flaiano" është kritiku dhe autori i njohur i letërsisë italiane Alberto Arbasino. Vetëm katër vjet më parë ai është nderuar në vendin e tij dhe me çmimin e karrierës. Arbasino është protagonist i grupit të njohur, që bëri revolucion në kulturën italiane, "Grupi 63". Më shumë se shkrimtar, Arbasino njihet për vlerësimet e tij të sakta ndaj periudhave të ndryshme të artit italian.

Ky çmim është një tjetër vlerësim që i bëhet shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare. "Vajza e Agamemnonit" është një roman që ka pasur komente pozitive në faqet e shtypit botëror. Kritikët më të njohur italianë e kanë renditur shkrimtarin shqiptar si një nga shkrimtarët më të mirë sot, jo vetëm në Ballkan. Librat e Kadaresë janë më të kërkuarit në vendin fqinj.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama