Kur bëhet fjalë për zemrën, organizmin më të rëndësishëm të trupit tonë, të gjithë dëgjojmë e shikojmë me kujdes atë që thuhet dhe tregohet. Një mijë këshilla për ushtrime fizike, për ushqim dhe jetë të shëndetshme, për të pasur një zemër të fortë. Sipas studimeve të fundit mjekësore, nuk është aspak e vërtetë se kafeja të bën keq, që vezët të bëjnë keq, po ashtu nuk është gjithmonë e vërtetë se vaji i ullirit i bën mirë zemrës. Për më tepër, në klasifikimin e ushqimeve pak ose shumë të shëndetshme është edhe fitorja e gjalpit mbi margarinën apo “rehabilitimi” i arrave. Studimi që doktor Robert Davis ka dërguar nëpër libraritë amerikane këto ditë duket si një çlirim që nga titulli: “Kafeja të bën mirë” (Coffee is good for you).
Ky shkencëtar i ri është shumë i njohur në Amerikë, kjo edhe për një libër tjetër pikërisht për shëndetin: “Mjeku skeptik”. Natyrisht, Davis është më shumë mjek se sa polemist. Studimi i sapopublikuar është më i thelluari për sa i përket ushqimeve që i bëjnë mirë apo keq zemrës. Shumë shpesh, shpjegon doktori, nëse kërkoni këshilla për ushqimet që duhet të konsumoni apo jo për të mbrojtur zemrën, do të gjeni informacione në kontradiktë me njëri-tjetrin. Sepse shpesh këto kërkime gjejnë hapësirë nëpër media për të prezantuar një fushatë të veçantë, ose sepse sponsorizohen nga producentët e një ushqimi të veçantë. Për shembull, merrni arrat dhe lajthitë. Shiheshin si “djalli” i çdo diete. Për më tepër, shumë të rrezikshme për zemrën, për shkak të yndyrave të shumta që përmbajnë. Pastaj një sërë kërkimesh zbuluan se nuk kishte asnjë rritje shqetësimesh apo vdekshmërie mes atyre që konsumonin shumë arrat. Përkundrazi.
Po ashtu, edhe me lajthitë. Të gjithë mund të hanë sa të duan dhe kur të duan. Janë të lirë ta bëjnë këtë, sipas mjekëve, sepse lajthitë ulin nivelin e kolesterolit dhe inflamacionin e arterieve, dy faktorë këta shumë të rëndësishëm për infarktet në zemër. Po vezët? Sipas doktor Robert, ishin aq shumë të diskutuara për efektin e tyre në shëndet, saqë i kanë shtyrë shkencëtarët të bëjnë eksperimente në qindra mijëra persona. Rezultati përfundimtar? Nuk ka asnjë rrezik, gjithmonë nëse nuk e kaloni pragun e gjashtë të tillave në javë, qofshin këto të ziera apo të skuqura.
Kështu edhe për kafenë. Dihet botërisht që të ngre tensionin përkohësisht, por në fund të fundit, është pikërisht kjo arsyeja se përse në momente të ndryshme të ditës i drejtohemi asaj për të na gjallëruar e për të na hapur sytë paksa. Statistikat e fundit, të bëra pas vite e vite të tëra studimesh tregojnë se, “njerëzit e varur nga kafeina” jetojnë jo vetëm jetë të shëndetshme, por edhe më gjatë se të tjerët. Arsyeja e gjithë kësaj? Antioksidantët.
Por edhe këtu vlen një rregull i artë: ai i gjashtë filxhanëve në ditë. Gjithsesi, mjeku këshillon që nuk duhen nënvlerësuar as efektet anësore: nga pagjumësia, tek djegiet e stomakut. Me pak fjalë, e vërteta, edhe ajo mjekësore, qëndron në mes. Vaji i ullirit? Duhet përdorur vetëm ai “extra-vergine”, gjithsesi nuk ka studime të mirëfillta shkencore për këtë. Po margarina? Është e vërtetë që përmban më pak yndyra të ngopura, por yndyrat e tjera që përmban nuk janë më pak të dëmshme se ato të gjalpit. Në fund, disa të vërteta edhe për kakaon dhe çokollatën. Është e vërtetë se kakaoja të bën mirë, pasi përmban shumë antioksidantë, por yndyrat dhe sheqernat e çokollatave kanë rreziqe shumë të mëdha për zemrën. E thënë kjo në prag të Shën Valentinit, nuk është se të gëzon shumë.
Kardiologu
Shkenca nuk mund të ketë siguri, çdo rast është i ndryshëm
“Nuk ka kuptim të dejonizosh apo të promovosh ushqime të caktuara për zemrën, shkenca nuk ka siguri absolute në këtë fushë”. Profesor Attilio Messeri është një nga kardiologët më të famshëm në botë, që është kujdesur për Papa Gjon Palin apo mbretëreshën Elizabet. Aktualisht president i fondacionit “Anmco”, shoqëria shkencore e kardiologëve.
Çfarë mendoni mbi kërkimet për ushqimet që i bëjnë dëm zemrës? Mendoj se nuk janë teori të plota. Bëhet fjalë vetëm për hipoteza. Në fushën e ushqyerjes dhe të zemrës nuk ka siguri për asgjë. Pra, nuk ka kuptim të thuhet: arrat bëjnë mirë dhe qepët bëjnë keq. Duhet parë reagimi i një personi të veçantë, dhe është ajo që po bëjmë ne si fondacion.
Atëherë, çfarë duhet të hamë në tavolinë?
E rëndësishme është të thuhet që të mos e ekzagjerosh dhe të mbash një peshë trupore ideale. Gjithçka, nëse përdoret me karar, nuk të bën dëm. Kështu, nëse ndjek këto rregulla, nuk ka ushqime që të bëjnë dëm.
Por në përgjithësi, çfarë i këshilloni qytetarëve?
Të respektoni një stil jetese të shëndetshme dhe të bëni ushtrime dhe ecje. Pastaj, është i rëndësishëm kontrolli sa herë ka ndonjë sinjal alarmi. Për shembull, ne jemi duke bërë kërkime se përse ka njerëz që kurohen dhe bëjnë një jetë të shëndetshme, por preken nga infarktet, ndërsa të tjerët, që janë në mbipeshë, nuk lëvizin dhe nuk pijnë ilaçe për problemet që kanë, jetojnë deri në 90 vjeç. Njëlloj si Winston Churchill. Çfarë karakteristikash ka organizmi i tyre?