Kafe biseda vizita. Ne kohen e lire ne ngjasojme me turqit

Kafe, biseda, vizita. Në kohën e lirë ne ngjasojmë me turqit

Francezët e kalojnë shumicën e kohës duke ngrënë dhe duke fjetur. Italianët dhe japonezët ia dedikojnë kohën më të madhe kujdesit për trupin.  Këto rezultate dalin nga një sondazh mbi kohën e lirë (jashtë orarit të punës) në 18 vende të botës, mes të cilëve, edhe ata me "ekonomi të pasur". Shqipëria nuk është ndër to, por kemi përshtypjen që krahasohemi disi me turqit. Gjermanët dhe amerikanët janë më të interesuar pas shopping-ut. Ata që flenë më pak janë koreanët. Më poshtë janë disa nga përfundimet e studimit:

Francezët, përveçse janë gjumashë, janë edhe më "llupësit". Vaktet janë një moment mjaft i rëndësishëm për ta. I kushtojnë ngrënies 130 minuta në ditë. Pas tyre vjen Zelanda e Re (me rreth 110 minuta për ushqimin në ditë). Ata që harxhojnë më pak kohë për të ngrënë janë Britania e Madhe, me 80 minuta dhe më pas Meksika, me 62 minuta. 

Televizioni mbetet ndër aktivitetet më të preferuara të zonës së studimit. Ekrani, sipas studimit, zë mesatarisht 40% të kohës së lirë të njerëzve.
Meshkujt e vendeve të marra për studim i dedikojnë më pak kohë se gratë kujdesit personal, (higjienë, tualet, qethje, etj.). Por bëjnë përjashtim italianët, meksikanët dhe polakët - tre vende në 18 - ku meshkujt harxhojnë më shumë minuta në ditë se femrat për shërbime ndaj vetes.

Shopping-u mbetet një aktivitet "femëror", sidomos në SHBA (59 minuta në ditë femrat), dhe në Gjermani (66 minuta).Turqia është vendi "më social" nga 18 vendet që janë marrë në studim. Turqit kalojnë 35% të kohës së tyre të lirë me miqtë, d.m.th., në biseda, vizita në shtëpi dhe kafe. (në vendet me ekonomi të pasur, këto aktivitete sociale u zënë banorëve vetëm 11% të kohës së lirë). Sporti është aktivitet i ushtruar jo aq sa mendohej. Spanja rezulton shteti që merret më shumë me sport ditor, por edhe aty aktiviteti sportiv zë vetëm 13% të kohës së lirë.

 

 

Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama