Kështu raportohet në një investigim të publikuar në revistën "El Mundo". Në disa vende të Evropës, gjendja nuk është shumë alarmante, megjithatë, "ekziston një pjesë e madhe e popullsisë që e kalon sasinë e këshilluar prej 300 miligramësh në ditë. Ku bëjnë pjesë njerëzit që abuzojnë me efektin stimulues të kafesë", sqaron drejtori i Qendrës Ndërkombëtare për Ushqimet dhe Ushqyerjen. Militantë të kafeinës, i quan e përditshmja spanjolle, ata që marrin çdo ditë doza aq të mëdha, sa mund të intoksikohen. "Te këta persona, ky konsum lidhet me stilin e jetesës dhe aspektin psikologjik", sqaron eksperti.
Megjithatë, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Alkaloidi natyror që stimulon sistemin nervor qendror dhe metabolizohet shumë shpejt nga organizmi mund të ketë edhe efekte të padëshiruara. Disa njerëzve shumë të ndjeshëm mund t‘u shkaktojë probleme me gjumin, takikardinë dhe hipertensionin. "Duhet të jemi të kujdesshëm, mbi të gjitha, të shmangim përzierjen e pijeve me bazë kafeine, të mos abuzojmë me pijet energjike që përmbajnë dyfishin e kafeinës që ka kafeja", tregojnë specialistët.
Në praktikë, edhe pse mund të konsumosh pak kafe, mund ta kalosh dozën e kafeinës nëse panines apo çfarëdolloj ushqimi që kemi në drekë, i shtojmë edhe "Coca-Colën", një filxhan çaji, apo një pije energjike në mbrëmje, sugjerojmë ekspertët. Megjithatë, studime të tjera kanë treguar për efektet pozitive të kafeinës mbi shëndetin: pengon zhvillimin e diabetit, kancerit të zorrës së trashë, sëmundjes së Parkinsonit dhe mbrojtjen e mushkërisë. Më shumë se 75 për qind e popullsisë evropiane konsumon mesatarisht tre filxhanë kafe në ditë, ndërsa për shtatë persona në dhjetë është një zakon nga i cili nuk mund të heqësh dorë. Për të shmangur që të shndërrohemi në "kafeinomanë" të vërtetë, është e këshillueshme që të mos kalohet sasia prej 300 miligramësh në ditë, e domosdoshme edhe për një shëndet të mirë.
300 miligramë kafeinë në ditë
Sipas studimeve të ndryshme, të pish dy ose tre filxhanë kafe në ditë, jo vetëm që i bën mirë shëndetit, por të mbron edhe nga një sërë sëmundjesh, falë antioksiduesve që gjenden me shumicë te çdo kokërr e saj. Një seri kërkimesh të zhvilluara në Norvegji, Spanjë dhe Amerikë nga viti 2004 e deri në 2008-ën, tregon se kafeja është burimi kryesor i antioksiduesve, në një dietë standarde, që bazohet kryesisht te frutat-perimet dhe kafeja. "Është e vërtetë që i bën mirë shëndetit, por nuk duhet të harrojmë se te kafeja nuk gjenden vitamina, ndaj kurrsesi nuk mund ta përdorim si zëvendësuese të frutave dhe perimeve", konfirmojnë ekspertët. Studimet e realizuara nga Instituti Farmakologjik dhe "Coffie Science" në Britaninë e Madhe, tregojnë për rolin e kafesë ndaj sëmundjeve të ndryshme. Dy ose tre filxhanë në ditë zvogëlojnë rrezikun për t‘u sëmurë nga diabeti i tipit 2 (nuk dihet akoma përse) dhe mbrojnë qelizat epatike.
Nga ana tjetër, dy studime të rëndësishme të realizuara në 2007-ën, kanë vënë në dukje lidhjen midis konsumit të rregullt të kafesë dhe një përqindjeje të vogël të rasteve me cerozë ose tumore të tjera në mëlçi. Megjithatë, duhet theksuar fakti se, nëse konsumi që këshillojnë mjekët nga dy deri në tre filxhanë në ditë shkon në pesë ose gjashtë, atëherë efektet e mira shndërrohen në të kundërt. Kafeina e akumuluar nuk arrin të tretet dhe zemra fillon të ndiejë pasojat deri sa arrin në kufirin që nuk duhet kaluar kurrë: 10 në ditë. Megjithatë, vetëm në një rast kafeja nuk mund të na "mashtrojë": fakti se përmban substanca që mund të ndikojnë në rënien në peshë. "Veprimi i saj, i cili konsiston në ndarjen e molekulave yndyrore që synojnë të rriten, është i vërtetë.
Por më pas, për t‘i shkatërruar plotësisht, këto lipide njeriu kanë nevojë për aktivitete fizike", shpjegon specialisti i ushqimit. Po ashtu, heqja e oreksit, stimulimi i diurezës, përmirësimi i aktiviteteve sportive, janë karakteristika të tjera të kafeinës që nuk mund të cilësohen si përgjegjëse kryesore për dobësimin. Kafeina ka efekte pozitive edhe në aparatin tretës dhe mund të cilësohet e mirë për të gjithë ata që vuajnë nga tretja e ushqimit, por nuk mund të cilësohet e tillë për ata që vuajnë nga ulcera.
Në botën arabe, duke nisur që nga antikiteti, kafeja ishte një substancë e shenjtë, sepse cilësohej si "ilaçi" që i bënte njerëzit më të kthjellët, më dinamikë dhe më të përqendruar. Në të vërtetë, shkencëtari i madh suedez dhe njëkohësisht intelektuali i parë evropian, ishte i pari në botë që "besoi" te vetitë e mrekullueshme të kafeinës. Në fakt, Line-ut nuk iu desh shumë kohë për ta vërtetuar këtë. Në vitet 1600, u vu re një rritje e madhe e prodhimit të kafesë, kjo edhe falë skllevërve afrikanë të depërtuar në Amerikën Latine për të punuar nëpër plantacione. Në këtë kohë, kafeja u shpërnda në mënyrë masive në Evropë. Raporti midis kafesë dhe punës u bë një konstante e pandryshueshme në historinë e saj qindravjeçare. Siç do të thoshte edhe në fund të viteve 1700, Benjamin Franklin, kafeja mban zgjuar punëtorët, i ndihmon ata të punojnë më shumë, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në fushën e biznesit. Të detyruar nga koha, evropianët kanë hequr dorë nga cilësia, sepse kompani të mëdha ndërkombëtare modifikojnë përzierjet për të krijuar shije të reja. Megjithatë, vazhdojmë ende të konsumojnë rreth gjashtë kilogramë kafe për person në vit.
Gazeta: Shqip