Mbrojtja
Studiuesit kanë ekzaminuar 1369 suedezë të prekur nga infarkti prej vitit 1992, deri në 1994-ën. Gjatë mbylljes në një godinë, pacientët iu përgjigjën edhe një pyetësori që, ndër të tjera, hetonte edhe konsumimin e kafesë 12 muaj para infarktit. Tre muaj pas vizitës së parë ata u vizituan sërish nga studiuesit dhe u mbajtën nën vëzhgim për tetë vite me radhë. Gjatë këtij studimi humbën jetën 289 persona. Këtu filluan të shfaqeshin surprizat: të pasionuarit pas kafesë ishin më pak të rrezikuar nga infarkti. Pra, sa më shumë kafe të pish, aq më mirë është.
Po si është e mundur atëherë që disa kërkime të bëra pak kohë më parë dilnin në përfundimin se kafja nuk i bën mirë zemrës? "Rezultatet për efektet e kafesë mbi sistemin kardiovaskular janë kundërshtuese dhe kjo është e vërtetë. Gjithçka varet nga mënyra se si bëhen këto studime: për shembull, një gjë është të bësh një studim të gjatë ku rrezikon t‘i atribuosh kafesë efekte të cilat varen nga modifikimet në stilin e jetës, dhe një gjë tërësisht tjetër është të bësh një studim-kontroll të gjatë, si ai i suedezëve, ku pacienti pyetet se sa kafe konsumonte para infarktit. Në këtë rast, ndodh shpesh që pacientët ta shtojnë ose ta pakësojnë dozën e kafes, sipas asaj që ata dinë. Për shembull, në bazë të studimeve të bëra më parë, që kafja të bën keq, ata mund ta zvogëlojnë dozën, duke bërë kështu që rreziku i infarktit të jetë shumë më i madh. Pra, po t‘u hedhësh një sy studimeve të bëra deri tani, duket se ato që kanë zgjatur për një kohë të gjatë kanë dalë në konkluzionin se kafja nuk e rrit rrezikun kardiovaskular. Studimet e bëra 25 ose 30 vite më parë kanë treguar shpesh një efekt negativ të kafesë, ndërkohë që ato të kohëve të fundit shohin një veprim mbrojtës", shpjegon një specialiste.
Përbërësit
Një kaos i vërtetë, vlen të thuhet, për pijen më të preferuar nga të gjithë njerëzit. "Një motiv tjetër për ndryshimin e të dhënave qëndron te fakti se kafja nuk është gjithmonë e njëjta. Ekspresi ndryshon nga kafja e filtruar amerikane, ose nga kafja shumë e zier si ajo suedeze. Për shembull, kjo e fundit, duke qenë se është e pafiltruar, rrit kolesterolin LDL", thotë ajo. Përveç kësaj ka edhe informacione të tjera: me përdorimin e përditshëm të kafesë bëhemi imunë ndaj disa përbërësve të saj, mes tyre kafeina, dhe si pasojë rezultati mbi gjendjen e përgjithshme shëndetësore mund të ndryshojë nëse jemi ose jo konsumues të rregullt. "Një shembull? Dimë se kafja ka një efekt negativ mbi metabolizmin e sheqernave, por në periudha të zgjatura kjo zhduket. Gjithsesi, disa studime kanë treguar se të konsumosh më shumë se disa kafe në ditë zvogëlon rrezikun e diabetit të tipit 2", shton ajo.
Sa filxhanë kafe lejohen në ditë?
"Efekti final i kafes varet nga një numër i madh faktorësh: si është përgatitur kafja, nga sasia e pirë, nga gjendja shëndetësore e personit etj. Janë shumë elementë, me qëllim që përgjigjja e pyetjes të jetë e thjeshtë. Pra, këshilla më e mirë është të mos e teproni. Katër filxhanë kafe në ditë nuk kanë efekt negativ mbi shëndetin kardiovaskular, si për ata që kanë kaluar një infarkt, ashtu edhe për ata që gëzojnë shëndet të plotë", përfundon specialistja.
Gazeta: Shqip