Kafka magji e perhershme dhe kurthet e perkthimit

Kafka, magji e përhershme dhe kurthet e përkthimit
Po të vështrosh botimet tona nga autorë të gjuhës gjermane në 18 vjetët e fundit, do vëresh se Franz Kafka dhe Sigmund Freudi zënë vendin e parë. Po të qëndrosh vetëm te letërsia, Kafka është pa dyshim shkrimtari më i dashur për botuesit dhe përkthyesit shqiptarë.

Arsyet janë, ato kryesoret mendoj, tri, ndër to dy të parat kanë të bëjnë me përmbajtjen, e treta është gjuhësore.

Së pari, Kafka bënte pjesë në autorët më të anatemuar dhe të ndaluar në regjimin komunist në Shqipëri, ai ishte kthyer madje në sinonimin e letërsisë dekadente-mistike e cila duhej mbajtur larg edukimit të brezit të ri, që e rrezikonte madje seriozisht këtë brez. Kësaj vinte e i shtohej edhe emri Kafka - skull, Schädel.

Me rënien e regjimit dhe ndalesave më 1991 natyrisht që një numër botuesish rendën pikërisht drejt Kafkës. Shumë më pak iu drejtuan autorëve të tjerë të ndaluar të fillimshekullit 20 si Joyce, Proust, Wolfe etj. Por kjo ka të bëjë me arsyen e tretë që do të rendis këtu.

Një tjetër arsye e fortë që e mban thuajse të pandërprerë interesimin e lexuesve, për rrjedhim të botuesve e përkthyesve për Kafkën është vlera e tij, ta quajmë tejkohore, e palidhur shumë me realitetin e Pragës së fillimshekullit si mjedis ku krijoi e pa dyshim edhe ku mori shkrimtari ngacmimet për prozën e tij.

Tregimet dhe romanet e Kafkës janë më së shumti realitete të shkëputura ose të abstraguara nga realiteti konkret natyralist, ato janë situata ekzistenciale njerëzore, quajini po të doni edhe metafora të ekzistencës njerëzore, të lidhura me realitetin konkret me fije shpesh të padeshifrueshme, ku tek e fundit pak rëndësi ka nëse njeriu lëviz me karrocë apo me makinë, nëse merret vesh me telegraf ose telefon, po kështu shumë pak rëndësi kanë modat e kohës, kodet e marrëveshjeve në shoqëri etj.

Kjo gjendje e shkëputur, ky realitet i pavarur i fiksionit përbën edhe një burim të pashterrshëm të magjisë që rrethon këtë shkrimtar, ne gjithmonë do ta lexojmë atë të mrekulluar për sa kohë ekziston vetmia dhe tehuajtja e njeriut brenda shoqërisë, për sa kohë ekziston absurditeti në marrëdhëniet ndërnjerëzore, për sa kohë njeriu do të shtypet nga aparati burokratik ose gjyqësor të cilat i ka shpikur vetë por janë bërë të mëvetshëm, për sa kohë shumë nga veprimet tona diktohen nga bota e inkonshientit, shumë nga ndijimet ose përfytyrimet tona i kemi të ngjashme me botën e ëndrrave.

E lidhur ngushtë me këtë është dhe pamundësia për ta përcaktuar e përkufizuar letërsinë e Kafkës: shumica e orvatjeve që janë bërë deri më sot për të intepretuar shterrueshëm "mesazhet" apo "domethënien e brendshme" të krijimeve të tij, kanë dështuar, ato janë tejkaluar nga vetë vepra origjinale e cila deri më sot nuk e ka humbur joshjen për t\'u shpjeguar me mënyra të tjera, me intepretime të reja.

Pasi folëm për këto dy shkaqe të përmbajtjes që shpjegojnë interesimin e pandërprerë për Kafkën në vendin tonë, le të vijmë tek arsyeja e tretë që i tundon përkthyesit ta përkthejnë e ripërkthejnë pa u lodhur këtë shkrimtar hebre-gjerman të Pragës austro-hungareze në fillimin e shekullit 20.

Kush është njohur me tjerë shkrimtarë të modernizmit gjerman, po përmend këtu vetëm Gottfried Benn, Alfred Doeblin apo Robert Musil, ose të pasluftës si Arno Schmidt ose Günter Grass, Franz Kafkën nuk do ta klasifikonte tek autorët e vështirë. Në një vështrim europian, siç e cekëm më lart, ai pa dyshim nuk paraqet vështirësitë e një "Uliksi" ose të një "Mrs Dalloway" ose dhe "Në kërkim të kohës së humbur".

Përkundrazi, kush e njeh mirë gjermanishten, nuk druhet nga leximi i Kafkës, për të nuk do të shkonte fare një fjali si "kush ka frikë nga Virginia Woolfe". Fraza e këtij autori është e përpiktë, struktura e fjalisë e kthjellët, leksiku nuk është as dialektor, as zhargonal as arkaik, ajo është gjuha e komunikimit të një shoqërie të caktuar në një kohë të caktuar, jo larg sonës, edhe pse më shumë e komunikimit shkresor sesa atij gojor. Madje Kafka të tundon jo thjesht që ta përkthesh nga origjinali, por edhe ta përkthesh nga gjuhë të dyta ose të treta, kur këtë origjinal nuk e njeh.

Se, bie fjala, përkthyesi shqiptar që ka përkthyer tregime ose romane të Kafkës nga rusishtja ose nga italishtja - çka ka ndodhur shumë herë - patjetër që ka menduar:

Këto fraza kaq të sakta, ky leksik pa ekuivoke, patjetër që nuk kanë humbur shumë gjatë rrugës nga gjermanishtja në rusisht ose nga gjermanishtja në italisht, meqë një fjali e përpiktë mund të përkthehet vetëm me një të tillë, atëherë pse të jetë e madhe humbja pasi që të bëhet edhe bartja tjetër, nga rusishtja në shqip ose nga italishtja në shqip? Pra sipas parimit, saktësia mund të përkthehet vetëm me saktësi dhe kjo prapë me saktësi.

Para disa muajsh, gjatë një seminari me përkthyes të rinj, bëmë një sprovë me një tekst të Kafkës: dhamë për përkthim një nga tregimet më të njohura dhe më të shkurtra të tij: "Para ligjit".

Ma do mendja se një numër nga studentët e pranishëm këtu ka provuar ta përkthejë edhe vetë këtë prozë klasike.

Të dymbëdhjetë studentët që e përkthyen atë vjet në shtator e njihnin shumë mirë gjermanishten; e megjithatë mund të them pa ngurrim se vetëm njëri prej përkthimeve ishte i mirë, i rrjedhshëm dhe i pëlqyeshëm. Frazat e të tjerëve nuk rridhnin po ngecnin, ato shpërndaheshin nëpër zall si vijat e ujit të një përroi që i është tharë shtrati në verë.

Çfarë kishte ndodhur?

Por para se të shpjegojmë se çfarë ndodh kur e quan Kafkën një autor të lehtë për t\'u përkthyer, le të mundohemi të shpjegojmë disa nga tiparet thelbësore të mënyrës së tij të të shkruarit.

Ajo që dallon pikësëpari shkrimtarin është mënyra klinike e përshkrimit të situatës apo ngjarjes. Kafka të krijon iluzionin se gjuha është e aftë të riprodhojë gjithçka, ajo arrin ta mbërthejë një realitet në kllapat e fjalisë pa ekuivoke.

Strukturat e mirëpërcaktuara, pse jo, të hekurta të gjermanishtes janë mjaft të përshtatshme për ta kryer këtë detyrë.

Në qoftë se ajo nuk arrihet me fjalë të pakta, atëherë duhen shtuar këto fjalë, duhen shtuar gjithashtu shkallëzimet që përbëjnë frazën, derisa të arrihet përpikmëria që dallon këtë gjuhë, jo thjesht pse ajo ka pasuri të madhe leksikore e gramatikore - këto i ka shumica e gjuhëve të zhvilluara të botës - por sepse zotëron një aftësi përngjitjeje-kompozimi të një grade të lartë.

Dhe kështu i vihet ai përshkrimit të situatave më të pabesueshme, bie fjala një tregtar komisioner që zgjohet një mëngjes si një brumbull gjigant, ose një djalë që vete e mbytet në lumë sepse këtë dënim i dha babai, me frazat më të esëllta e më të ftohta që mund të përfytyrohen..

Po sjell si shembull për këtë edhe vetëm një frazë nga "Shndërrimi": Er lag auf seinem panzerartig harten Ruecken und sah, wenn er den Kopf ein wenig hob, seinen gewoelbten, braunen, von bogenfoermigen Versteifungen geteilten Bauch, auf dessen Hoehe sich die Bettdecke, zum gaenzlichen Niedergleiten bereit, kaum noch erhalten konnte. - që do të thotë: "Rrinte i shtrirë mbi kurrizin e tij rrashtëfortë, kur ngrinte pak kokën, shihte një bark të rrumbullt e të kaftë, të ndarë nga harqe të ngurta, mbi të cilin kuverta e krevatit një e dy rrëshqiste."

Po të vërejmë në këtë fjali ka 6 mbiemra për të përshkruar rrashtën e brumbullit Gregor Samsa, dhe jam i sigurt se Kafka nuk do të ngurronte të përdorte edhe 12, në qoftë se imazhi që kishte në kokë nuk do të bartej dot në një fjali me 6 mbiemra.

Dhe gjithmonë një radhë mbiemrash të vendosur në mënyrë monotone njëri pas tjetrit, pa asnjëlloj ngarkese emocionale, në dukjen e jashtme me ftohtësi klinike.

Po të vërejmë përkthimin tim të kësaj fjalie, shohim që kuptimi është dhënë i plotë, megjithatë më duket se nuk e kam arritur sa duhet ftohtësinë e origjinalit, ndoshta pse kam përdorur idiomën "një e dy" që e ka brenda njëfarë ngarkese emocionale. Por këto duhen shmangur tek Kafka mundësisht krejt.

Mënyra relatuese e tij të kujton menjëherë gjuhën e raporteve gjyqësore ose përshkrimet asnjëanëse në administratën burokratike, apo ndoshta edhe më saktë kronikat për aksidente p.sh. që i dorëzohen një instituti sigurimesh: në një të tillë punoi gjatë shkrimtari dhe përdorimi i pikërisht kësaj gjuhë në fiksion është në njëfarë mënyre hakmarrja e tij ndaj mokrave blojtëse të pashpirt të burokracisë mbi shpirtin e njeriut të lirë ose njeriut-artist.

Natyrisht që Franz Kafka nuk mund ta ketë besuar se gjermanishtja e përpiktë që përdor është e aftë të përfshijë ose pasqyrojë deri në fund atë botë aq të ngatërruar që krijon.

Mirëpo duke qenë se vetë kjo botë është ireale - në rast se do ta krahasonim me ndonjë realitet natyralist në kuptimin e Balzakut ose Zolasë - le të hyjë ajo të paktën së jashtmi në strukturat e hekurta të frazës dhe sintagmave të saj, se është aty e mbërthyer mirë dhe se kjo karkasë i shkon, karkasë që fsheh brenda një zemër që përpëlitet, sikurse zemra e Gregor Samsas, rrashtë që tek e fundit vdes e shkërmoqet dhe largohet me fshesë nga pastruesja e familjes.

Tani, besimi se strukturat e ftohta metalike të prozës së Kafkës mund të përkthehen lehtë në shqip është një nga iluzionet më të mëdha të përkthyesve shqiptarë, ndoshta edhe të shumë vendeve të tjera. Vështirësia kryesore buron nga fakti se neve na ka munguar historikisht ose e kemi patur vetëm në mënyrë fragmentare atë që gjermanët e quajnë

"Papierdeutsch" pra gjermanishtja e shkresave, e një administrate të kodifikuar dhe kalcifikuar prej shekujsh, sidmos nën organizma të tillë siç ishte Perandoria austro-hungareze ose Mbretëria e Prusisë ose Mbretëria e Bavarisë.

Për Kafkën procesi i mbartjes së gjuhës së zyrës të tij të sigurimeve në gjuhën e fantazive të tij krijuese nuk ishte i vështirë, prej momentit që i shkrepi kjo ide gjeniale, pasi kishte të bënte me një gjuhë të konsoliduar burokracie.

Por, çfarë mund të bëjë përkthyesi shqiptar në këtë çështje, i stërvitur siç është me gjuhën e Nolit e të Kutelit, me rrjedhat plot limfë, ngjyra e aroma të shqipes sonë mesdhetare, një gjuhë së cilës i shpërthejnë emocionet nga të gjitha plasat, si t\'ia bëjë ky përkthyes që jeton në një vend ku gjuha e administratës, në historinë e shkurtër të shtetit shqiptar, ka ndryshuar të paktën tri herë: nga gegnishtja e administratës së Zogut, në toskërishten e sovjetizuar të administratës komuniste dhe tani në amalgamën që është krijuar gjatë tranzicionit tonë, ku janë marrë majtas e djathtas legjislacione e rregullore nga gjithë vendet europiane e amerikane, shpesh edhe me importim të drejtpërdrejtë termash?

E vështirë, shumë e vështirë ta japësh ftohtësinë klinike të Europës qendrore në këto kushte tonat.

Megjithatë jo e pamundur. Ndoshta duke shmangur sa më shumë idioma popullore, arkaizma, krahinorizma, siç kanë qejf të përdorin në manierat e tyre përkthyesit shqiptarë, duke ruajtur gjithmonë distancën që ruan në origjinal autori nga krijesat dhe situatat e tij, duke treguar forcën e plotë të shqipes në struktura të ndërlikuara sintaktore por edhe gramatikore, bie fjala në përdorimin e trajtave të kushtores, të cilat i ka aq për zemër edhe gjermanishtja e Kafkës.

U ndalëm këtu vetëm në një nga aspektet e mënyrës së tij të të shkruarit, sadoqë ndër më kryesoret, për arsye vendi dhe pse do të duhej një analizë edhe më konkrete shembull pas shembulli, për të mos rënë më në kurthin e një Kafke gjoja të lehtë në të përkthyer e, çka është më e keqja, të një Kafke që mund të përkthehet edhe nga gjuhë të dyta e të treta.





Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama